Diplomacia kosovare pritet të marrë së shpejti një pamje të bukur me emërimin e Meliza Haradinajt në postin e ministres së Jashtme. Ish-këshilltarja politike e Ramush Haradinajt kur mbante postin e kryeministrit, është propozuar për të qenë ministre e Jashtme në qeverinë e re të Kosovës. Ajo është diplomuar në Universitetin e Oxford.
Por për t’u fokusuar në raportet Shqipëri-Kosovë, Meliza Haradinaj nuk pritet të jetë elementi në Qeverinë e re kosovare që do të forcojë bashkëpunimin me Qeverinë e Edi Ramës në Tiranë. Dhe kjo për shkak të akuzave të ashpra që Haradinaj ka lëshuar më parë për kryeministrin e Shqipërisë.
Në tetor të 2019-ës, pasi ishin zhvilluar edhe zgjedhjet e parakohshme me fitues Lëvizjen Vetëvendosje, Meliza Haradinaj, ashtu si eprori i saj, kryeminstri në ikje, Ramush Haradinaj, shtoi dozën e kritikave ndaj kryeministrit Rama.
Ishte Meliza Haradinaj që shpalosi disa informacione “sekrete” sa i përket samitit të Berlinit të organizuar në prill të 2019-ës. Në një reagim të gjatë, Haradinaj e përshkruante me tone negative sjelljen e Ramës në samit dhe e akuzonte se ishte pozicionuar kundër kryeministrit të Kosovës.
“Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush”, ka shkruar Meliza Haradinaj.
Ajo nuk ka kursyer as ironitë ndaj Gent Cakaj, i cili tashmë do të jetë homologu në anën tjetër të kufirit: “Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, (Rama) u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë.”
Doza e ironisë dhe kritikës ndaj Ramës është gjithnjë në rritje në statusin e Haradinajt, të publikuar më 26 tetor: “Më pas (Rama) vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5-të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhe pse me mbathje atraktive.”
Meliza Haradinaj, e cila pritet të emërohet ministre e Jashtme e Kosovës, e konsideron Edi Ramën si të dështuar në qeverisje.
“Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë – Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%”, ka shkruar ajo.
Reagimin, Haradinaj e ka mbyllur me një akuzë të rëndë teksa flet për pozicionim të lidërve shqiptar në krah të agjendës serbe.
“E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental! Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare… e kjo s’është punë e kësaj gjenerate! Ma thuani cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!”, ka shkruar ajo.
Ky reagim i Meliza Haradinajt paralajmëron se raportet Kosovë-Shqipëri mund të mos marrin hovin që kërkohet prej kohësh, por duke u rikthyer në pikën më të keqe të tyre kur Ramush Haradinaj dhe Edi Rama, nga pozitat e kryeministrit, nuk tërhiqeshin nga akuzat dhe kundër-akuzat, madje deri te kërcënimet për padi.
Kush është Meliza Haradinaj?
Ajo është diplomuar në Rochester Institute of Technology për Menaxhim dhe Politika Publike. Studimet master i ka kryer në Universitetin e Oksfordit për Diplomaci dhe Politikë Ndërkombëtare.
Flet anglisht dhe serbisht.
Në qeveritë e Kosovës ka filluar të angazhohet që në vitin 2006, si asistente në Zyrën e Shtypit, për të kaluar më pas në kompani private. Në vitin 2009 është zgjedhur anëtare e Këshillit të Komunës së Prishtinës, detyrë që e ka mbajtur deri në vitin 2013.
Në vitin 2017-të u emërua këshilltare e Kryeministrit për Politikën e Jashtme.
Edhe pse me të njëjtin mbiemër, Meliza Haradinaj nuk ka lidhje gjaku me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë.
Në tetor të 2019-ës, Meliza Haradinaj u dënua me 8 muaj burg, të cilin nuk e vuan nëse nuk kryen një vepër penale për një periudhë 1 vjeçare. Ajo u gjobit edhe me 1 mijë euro gjob. Shkak për këtë vendim ishte deklarimi i rremë i pasurisë, pasi Haradinaj kishte fshehur biznesin që kishte në Londër.