3 vjet pasi mori postin e kryeministrit, Edi Rama po zhbën një nga vendimet simbol të qeverisë, që zgjodhi ta miratojë në mbledhjen e pare, kur sapo u ul në postin e kryeministrit. Më 22 shtator të 2013, Rama mori 3 vendime; zëvëndësimi i fotografisë së Bujar Nishanit me atë të Ismail Qemalit, miratimin e Kodit Etik dhe ndalimin e importit të plehrave.
Pika 1 në vendimin për importin e plehrave u formulua e qartë dhe e prerë.
“Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.”
Nuk u la asnjë hapësirë për interpretim, sepse kur ishte në opozitë, Rama u pozicionua qartësisht kundër importit të plehrave. Në opozitë, ai mbrojti fort idenë se importi i plehrave dëmton turizmin dhe ishte i pakontrollueshëm në një vend si Shqipëria.
Madje në fjalimin e tetorit në parlamentnë 2013, Rama foli edhe për paratë e pista të mafias që përfitohen nga ky biznes.
“Ka vetëm një arsye që mafia u drejtohet vendeve si Shqipëri dhe vendeve të tilla që nuk kanë standarde të larta për kontrollin e tyre. Arsyeja është shumë e thjeshtë, paratë e pista që përfitohen nga ky biznes” u shpreh kryeministri.
Qasja sot është krejt tjetër. Qeveria ka përgatitur projektligjin e ri, që zhbën ligjin e miratuar 3 vjet më parë me pompozitet, nga e njëjta mazhorancë. Madje gazeta Shekulli shkruajti se projekligji u diskutua me dyer të mbyllura në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Në fshehtësi dhe duke mbajtur larg mediat, u tha se ka pasur një konsultë me ambjentalistët.
Në mbledhje, i njëjti deputet që dikur rebelohej dhe përbetohej për dëmet që i vinin Shqipërisë nga importi i plehrave, Besnik Bare, tani propozon se çfarë plehrash duhen importuar nga jashtë.
Sipas të tij duhen importuar “mbetjet jo të rrezikshme të ngurta të listës së gjelbër”.
Eduart Shalsi, një deputet tjetër socialist që ka marrë përsipër të mbrojë projektligjin sqaron çfarë lloj mbetjesh janë këto.
“Po cilët janë lëndët e parë dytësore? Tani BE-ja është duke diskutuar për plastikën dhe granulën, kanoçet e shtypura, copat e drurit të prera dhe shishet plastike të ndara. Këto janë lëndë e parë dytësore” shpjegoi Eduart Shalsi për Shekullin.
Deputetët e Ramës kanë ndryshuar mendim, njësoj siç bëri dhe kryetari dhe prej tyre nuk pritej më shumë se kaq. Por ambjentalistët mbeten në të njëjtat pozicione.
Ata thonë se plehrat që do të importohen, edhe këto që propozon Besnik Bare, ajnë të dëmshme për mjedisin. Gjatë riciklimit lënë pas mbetje që nuk dihet se ku përfunodjnë.
Por çfarë ka ndryshuar që Edi Rama, vendos të rrëzojë një vendim, të cilin e miratoi me urgjencë dhe me bindje të plotë 3 vjet më parë?
Për të kuptuar më mirë mjafton një pjesë nga shpejgimi i Eduart Shalsit, që është i njohur tashmë për thëniet e tij.
Vini re se Edi Rama, dikur përdorte fjalë si “mafia” dhe “para të pista”, kur fliste për importin e plehrave. Rama kishte prioritet mjedisin dhe interesin publik, sepse e shihte dhe e gjykonte situatën në këndvështrimin e interesit publik. Ndërsa deputeti Eduart Shalsi, kur argumenton nismën e qeverisë që i hap rrugë importit të plehrave, flet dhe i qan hallin bizneseve që merren me riciklimin e mbetjeve.
“Vendet e punës janë reduktuar se kjo është një industri që nuk ka pasur mundësi të rritet. Objektivi madhor mbetet mbledhja e mbetjeve të vendit, por ne nuk mund ta linim industrinë të falimentonte. Një pjesë e këtyre kompanive e merrnin lëndën në Kosovë, Maqedoni dhe një pjesë ishin bërë gati të shpallnin falimentin” thotë Shalsi.
Se çfarë ka ndryshuar, është e qartë; bizneset që dikur Edi Rama i akuzonte nga parlamenti si “mafia”, e kanë bindur se e kishte gabim në 2013 dhe se u nxitua me ndalimin e importit të plehrave. Lapsi