Një ish ndihmëse e Joe Biden-it po e akuzon kandidatin presidencial të partisë demokrate për sulm seksual ndaj saj gjatë fillimit të viteve 1990 kur ai ishte senator. Fushata e zotit Biden i mohon akuzat.
Në dy intervistat e fundit me agjencinë The Associated Press, Tara Reade pretendon se sulmi ndodhi në bodrumin e një ndërtese të zyrës në Kongres në pranverën e vitit 1993. Ajo paraqiti një raport policie në Uashington të enjten duke thënë se ishte viktimë e një sulmi seksual nga një person pa emër në vitin 1993, një kopje e të cilit u mor nga agjencia The Associated Press.
Nuk është hera e parë që Reade ka bërë një akuzë kundër ish-nënpresidentit. Vitin e kaluar, Reade e akuzoi publikisht zotin Biden për prekje të papërshtatshme, por nuk pretendoi për sulm seksual.
Në një deklaratë, zëvendës drejtori i fushatës së zotit Biden dhe drejtoresha e komunikimeve Kate Bedingfield tha se ish-nënpresidenti “i ka kushtuar jetën e tij publike ndryshimit të kulturës dhe ligjeve rreth dhunës ndaj grave”, duke treguar punën e tij me miratimin e Aktit të Dhunës ndaj Grave. Ajo tha se “ai beson fuqishëm se gratë kanë të drejtë të dëgjohen – dhe të dëgjohen me respekt”, por shtoi: “Pohime të tilla gjithashtu duhet të shqyrtohen me kujdes nga një shtyp i pavarur.”
“Çfarë është e qartë rreth këtij pretendimi: ai nuk është i vërtetë. Kjo absolutisht nuk ka ndodhur,” tha zonja Bedingfield.
Akuza e zonjës Reade vjen në një moment të rëndësishëm për zotin Biden. Ish nënpresidenti po kërkon të bashkojë partinë demokrate pas fushatës së tij si kandidati presidencial pasi senatori Bernie Sanders doli nga gara javën e kaluar. Gratë janë një bllok i rëndësishëm votuesish për demokratët dhe çdo erozion i mbështetjes për zotin Biden mund të fundosë kandidaturën e tij në vjeshtë.
Gara në nëntor mes zotit Biden dhe Presidentit Donald Trump do të jetë gara e parë presidenciale e epokës #MeToo, një lëvizje që nxiti shumë gra të paraqisnin pretendime për sulme seksuale, përfshirë këtu kundër disa burrave të shquar në politikë, argëtim dhe industri të tjera. Presidenti Trump gjithashtu është akuzuar për sulm seksual dhe prekje të padëshiruar nga shumë gra, akuza që ai i ka mohuar. Ai u detyrua të kërkojë falje gjatë fushatës së vitit 2016, pasi u dëgjua në një incizim duke u shprehur se po përdorte famën e tij për të sulmuar gratë.
Më parë në zgjedhjet paraprake të demokratëve, Biden u përball me akuza për prekje të padëshiruar nga disa gra, të cilat thanë se ishin vënë në siklet nga përqafimet, mbajtja e duarve dhe veprime të tjera. Zonja Reade ishte mes atyre grave që dolën me akuzat e tyre qysh në atë kohë.
Javët e fundit, ajo ka dhënë disa intervista ku thotë se veprimet e zotit Biden shkuan më tej se nga ato që ajo bëri të ditura fillimisht. Në një intervistë me AP, ajo dha hollësi për një takim të vitit 1993 që thotë se ndodhi kur saj iu kërkua nga një epror ti çonte zotit Biden çantën e tij të fiskulturës, teksa ishte duke shkuar për në palestrën e Senatit. Ajo thotë se zoti Biden e shtyu atë kundër një muri në bodrumin e një ndërtese të zyrës në Kongres, dhe e ngacmoi seksualisht.
“Ai po më pëshpëriste dhe po përpiqej të më puthte në të njëjtën kohë, ndërsa po thoshte:” A dëshiron të shkojmë diku tjetër? “, tha zonja Reade. “Mbaj mend që doja të thoja ndal, por nuk e di nëse e thashë me zë të lartë apo thjesht e mendoja. Isha e ngrirë ”.
Reade tha se kur ajo u tërhoq Bideni dukej “i tronditur dhe i befasuar” dhe u përgjigj: “Ej, kam dëgjuar që më ke pëlqyer”.
Reade, e cila ishte asistente e stafit në zyrën e zotit Bidenit në atë kohë, tha se nuk ishte në dijeni të dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të takimit. Ajo i tha agjencisë AP se ngriti akuzat për ngacmim seksual, por jo për sulm seksual, kundër Bidenit në takime të shumta me mbikëqyrësit e saj, përfshirë Marianne Baker, ndihmësen ekzekutive të Bidenit; Dennis Toner, zëvendës shefin e personelit të Biden; dhe Ted Kaufman, shefin e personelit të senatorit.
Në një deklaratë të publikuar nga fushata, zonja Baker tha se në afro dy dekada që ajo ka punuar për zotin Biden, “Kurrë nuk kam parë dëshmitarë, ose nuk kam dëgjuar apo marrë ndonjë raport për sjellje të papërshtatshme – jo nga zonja Reade dhe jo nga dikush tjetër. ”
AP foli me pesë anëtarë aktual ose të dikurshëm të zyrës së zotit Biden të dielën, të gjithë që kanë punuan për të në kohën kur pretendohet të ketë ndodhur incidenti. Askush nuk e kujton një incident të tillë, dhe as zoti Toner as Kaufman nuk e mbajnë mend zonjën Reade. Të dy thanë se ajo që kishte përshkruar ajo nuk ishte në karakterin e zotit Biden.
“Ajo nuk ka ardhur tek unë. Do ta kujtoja nëse do të kishte ardhur, dhe nuk e mbaj mend fare”, tha zoti Kaufman.
Reade tha se ajo paraqiti një raport me shkrim në një zyrë të personelit të Senatit. Por ajo nuk mori një kopje të raportit dhe nuk ka qenë në gjendje të marrë atë tani pasi, sipas saj, dosjet e zotit Biden gjatë periudhës në Senat janë aktualisht në Universitetin Delaware, i cili ende nuk i ka bërë ato publike.
AP nuk ka qenë në gjendje të verifikojë nëse është bërë një raport me shjrim nga zonja Reade.
Reade thotë se pasi u ankua tek eprorët, përgjegjësitë e saj në punë u zvogëluan dhe asaj iu tha përfundimisht nga zoti Toner se nuk ishte e aftë si duhet për punën dhe e inkurajoi të gjente një punë të re.
Reade i tha AP-së se ajo foli me së paku katër persona për sjelljen e zotit Biden para se të dilte në publik me përvojën e saj: dy miq, vëllain dhe nënën e saj. Nëna e saj ndërroi jetë, dhe vëllai i saj nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Një mik, i cili e ka njohur Reade në vitin 1993, tha në një intervistë të dielën se ajo u kishte treguar për sulmin e supozuar kur ndodhi. Personi, i cili kërkoi anonimitet për shkak të ndjeshmërisë së situatës, nuk e përmendi pretendimin e sulmit gjatë një interviste fillestare me AP vitin e kaluar, por konfirmoi ato detaje pasi Reade e bëri publike çëshjen. Personi tha se ata fillimisht e kishin këshilluar Reade të mos ndante hollësi të sulmit për shkak të përgjigjes negative që kishte marrë ndaj akuzave të saj më pak serioze për ngacmim.
Miku i dytë u takua me Reade më shumë se një dekadë pas incidentit të pretenduar dhe konfirmoi se Reade kishte bërë një bisedë me të në vitin 2007 apo 2008 në lidhje me ngacmimin e supozuar seksual nga zoti Biden ndërsa punonte në zyrën e tij në Senat. Por miku, i cili kërkoi anonimatin për të mbrojtur privatësinë e familjes së tyre, nuk përmendi sulmin seksual.
Gjatë raportimit për pretendimet e zonjës Reade, AP gjithashtu kontaktoi 21 ish-punonjës të zotit Biden nga ajo kohë dhe foli me disa prej tyre. Ndërsa disa e mbanin mend zonjën Reade, askush nuk kujtoi ndonjë rast prekjeje apo sjelljeje të papërshtatshme të zotit Biden, ose ndonjë ankesë të bërë nga Reade./VOA