Nga BoldNews.al
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka kaluar rreth 500 milionë lekë (të vjetra) brenda një dite në llogaritë e kompanisë “Farma Net Albania”, ndërkohë që nuk ka bërë transparent asnjë detaj të kontratës sekrete, me vlerë 3.5 milionë euro, të nënshkruar me këtë subjekt privat për blerjen e maskave dhe dorezave mbrojtëse për COVID-19.
Manastirliu shpërndau paraditen e së Hënës një video, në të cilën ajo shfaqej në Doganën e Durrësit, ku po shkarkoheshin, sipas saj, rreth 8 ton pajisje mbrojtëse për stafin mjekësor, i cili është angazhuar në kurimin e pacientëve të prekur nga korona-virusi.
Në videon e kuruar më së miri, Ministrja e Shëndetësisë ripërsëriti edhe njëherë mesazhet për qytetarët, sidomos për distancimin social dhe higjienës personale.
Por, ndërkohë, ende nuk ka asnjë sqarim publik për mënyrën se si u vendos të shpenzoheshin 3.5 milionë euro të qytetarëve, nëpërmjet kontratës “urgjente” me kompaninë e rrjetit të farmacive, “Farma Net Albania”.
Të dhënat e publikuara në portalin informativ, “spendingdata.al” dëshmojnë se, pavarësisht mungesës së transparencës së Ministrisë së Shëndetësisë, institucioni i drejtuar nga Ogerta Manastirliu i ka kaluar rreth 500 milionë lekë (të vjetra) kompanisë “Farma Net Albania”, brenda një dite të vetme-më 6 Prill 2020.
Sipas të dhënave të ‘spendingdata”, të Mërkurën e javës së kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka kryer tre transaksione në llogarinë e “Farma Net Albania”, e konkretisht;
– fatura e parë, me vlerë 32,442,900lekë të reja
– fatura e dytë, me vlerë 8,365,788 lekë të reja
– fatura e tretë, me vlerë 11,030,724 lekë të reja.
Pagesa e këtyre faturave është kryer me të njëjtin shpjegim shoqërues: “Blerje materiale pastrimi per Covi-19, në bazë të kontratës nr. 1366/18, dt.18.03.2020.
“Boldnews.al” ka raportuar më parë se Ministria e Shëndetësisë zgjodhi të nënshkruajë kontratën “urgjente” për blerjen e pajisjeve mbrojtëse për COVID-19 me kompaninë “Farma Net Albania”, megjithëse ajo kishte ofruar çmimet më të larta për maska dhe doreza plastike.
Sipas një proces-verbali, të publikuar në mënyrë ekskluzive nga “Boldnews.al”, Ministria e Shëndetësisë u kishte dërguar ftesë për ofertë për maska e doreza vetëm 5 subjekteve tregtare, ndërkohë që në treg ka një numër shumë të lartë operatorësh.
Nga 5 kompanitë e ftuara, dy prej tyre nuk paraqitën ofertë. Ndërsa nga 3 kompanitë që iu përgjigjën ftesës së Ministrisë së Shëndetësisë, “Farma Net Albania” kishte çmimet më të larta.
E, megjithatë, qeveria shqiptare, me vendimin nr.241, dt. 21.03.2020, vendosi të miratojë kontratën e Ministrisë së Shëndetësisë me bashkimin e operatorëve “Farma Net Albania” dhe ‘Euromed”, për vlerën totale prej rreth 3.5 milionë euro bashkë me TVSH.