Nga Boldnews.al
Edi ka të drejtë! Edi është shpëtimtari! Edi po na mbron!
Po, shyqyr që e kemi, se në të kundërt kushedi ku do ishim, kushedi sa do kishim mbetur, dhe kushedi kush do të arrinte të mbijetonte!
Ndaj duhet t´a duatrokasim duke brohoritur pandërprerje “bravo Edi”.
Ti arrite që një epidemi, ta konsiderosh luftë dhe një virus t´a shpallësh armik të padukshëm. Dhe jo vetëm e the, por ua ngulite në mendje të gjithëve që ishim në luftë, madje edhe mjekëve, epidemiologëve, virorogëve dhe infeksionistëve, edhe pse ata ishin përballur me plot viruse të tillë. Dhe për këtë meriton një BRAVO.
Ti ua the aq shumë herë njerëzve si të lajnë duart, sa disa nisën të besonin se ishe ti që u mësove metodën e duhur, dhe ajo çfarë kishin bërë deri më sot, ishte e gabuar. Dhe për këtë sërisht meriton një BRAVO.
Pastaj u the se ishe babai, jo bilogjik, por ai babai që do të kujdesej për njerëzit, dhe disa të besuan se janë pjesë e familjes tënde. Madje ende besojnë se të kanë baba dhe po presin ndoshta që t´i përmbushësh ato boshllëqet që kanë. Të besojnë të varfërit të besojnë, do të thoshte Jovan Bregu, pa e ditur se ti thjesht kënaqesh kur shikon dhe dëgjon se kanë nisur të të shikojnë si babain e tyre. Dhe këtu meriton një tjetër BRAVO.
Pastaj tu mbush mendja të thoje se ishe Zoti, dhe nuk ngurove t´ua thuash shqiptarëve, se Zoti i tyre është i madh. Këtu të kundërshtuan disa, duke u përpjekur të shpjegojnë se Zoti është vetëm një, dhe nuk ka Zot të shqiptarëve, italianëve, grekëve, amerikanëve apo gjermanëve. Po jo, ata e kanë gabim. Arrite që disa të të shohin si Zot që po i shpëton me duart e tua të gjata nga virusi. Madje ty të pëlqen shumë kur dëgjon që ata që të bësojnë nuk thonë më o “Zot na ndihmo”, por “O Edi na ndihmo”. Dhe ti lumturohesh, zgërdhihesh, merr zemër, bëhesh arrogant edhe më shumë dhe në fund tallesh kur shikon se ia ke arritur edhe këtij qëllimi. Sërisht duhet të të themi BRAVO.
Ti arrite që t´i mbyllësh njerëzit në shtëpi jo me ligj, as me vendime, por nga Facebook. Ngriheshe në mëngjes dhe hidhje në faqen tënde rregullat e reja, njerëzit të bindeshin, ti kënaqeshe aq shumë sa nuk e shikoje të arsyeshme që as t´i ktheje në vendime apo ligje. Dhe këtu je i pari që ia arrite kësaj dite, duke vendosur jo një precedent, por duke ndryshuar gjithë rregullat, qofshin edhe formale. Kuvendin dhe Parlamentin i zëvendësove me faqen që administron në rrjet, nga ku si Sulltan lëshoje fermane online. Pas teje, dilnin me rradhë dhe tundnin kokën me rradhë ministra, deputetë, drejtorë, me dhe pa uniforma, ndërsa njerëzit mbylleshin brenda, pasi më parë i kishe future frikën në palcë me arkivolë që transportoheshin me makina ushtrie, apo se nuk do të kishe më vende as në botën e përtejme për ta. Dhe prapë duhet të të themi BRAVO.
Ti mbylle kufinjtë dhe i hap kur të duash, sipas ëndrrave që shikon, vendos kush hyn dhe ku duhet të rrijë, pasi të duatrokasin për çdo vendim që merr, dhe për këtë e meriton një tjetër BRAVO.
Meriton një BRAVO të madhe edhe kur bën sikur po plotëson disa nga kërkesat e opozitës. Ja përshembull ti ua more parasysh propozimin për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe mund të bësh çfarë të duash, pasi askush nuk të thotë dot sot pse e shpalle. Menduan se duke t´a propozuar që t´a shpallje do të bëheshe më i dhembsur dhe do të ndihmoje biznese e familje. Por jo, ti do bësh atë që do, dhe ja ke arritur kësaj dite.
Meriton edhe një BRAVO që i kujton shqiptarëve Suden, dhe bie fjala nuk i përmend Gjallicën. Ndoshta këtu do kesh lexuar ose duhet ta dish një gjë që shumë nuk e dinë, ose e kanë harruar, se pot ë përmendje Gjellicën mund të mërzitej ndonjë pjesëtar i ekipit dhe ti nuk ke si qëllim t´i mërzisësh ata që të vijnë nga pas dhe të shërbejnë.
Po kështu e meriton një BRAVO që edhe në kohën e luftës së shpallur prej teje ka disa të paprekshëm. Janë ata të milionave të tenderave dhe konçensioneve, që ende s´janë mërzitur me rregullat që i ke imponuar një shoqërie, pasi kur të mërziten do të detyrojnë që t´I ndryshosh dhe të shpallësh përfundimin e luftës.
Dhe në fund e meriton një BRAVO të madhe dhe një duatrokitje të fortë që arrite t´ua vjedhësh kohën shqiptarëve, njëlloj sikundër u janë vjedhur taksat që paguajnë dhe pronat që kanë pasur. Ua vodhe pak nga pak në emër të mbrojtjes nga armiku, nga plagosja apo vdekja që i priste po të mos të të kishin Ty.