Nga BoldNews.al
Kompania farmaceutike “Farma Net Albania” duket se është paracaktuar të fitojë një tender me vlerë 1.5 milionë euro, i cili është shpallur vetëm një ditë pasi Qeveria Shqiptare kishte nënshkruar një tjetër kontratë me këtë subjekt tregtar, me vlerë 3 milionë euro, në bazë të një procedure pa konkurim.
Në 18 Mars 2020, Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një procedure të drejtëpërdrejtë, akordoi fondin prej rreth 3.5 miliardë lekë (të vjetra) për bashkimin e operatorëve “Farma Net Albania” dhe “Euromed”, me objekt furnizimin me maska mbrojtëse për mjekët e angazhuar në përballimin e pandemisë COVID-19.
Një ditë më pas, në 19 Mars 2020, Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor, e drejtuar me komandim nga Mirela Cami, një strukturë varësie e Ministrisë së Shëndetësisë, shpall tenderin për “blerje medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore për qendrat shëndetësore të Shqipërisë, për periudhën 2020-2021-Marrëveshje Kuadër”.
Vlera e këtij tenderi përllogaritet në rreth 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH (rreth 1.5 milionë euro) dhe afati i mbylljes së procedurës është 16 Prilli.
Si shkon tenderi tek “Farma Net Albania”
Disa të dhëna, të siguruara nga “Boldnews.al”, ngrenë dyshime të forta për paracaktimin e fituesit në këtë tender, duke rritur mundësitë që kjo procedurë të shndërrohet në objekt hetimi të prokurorisë speciale-SPAK.
“Orientimi” i tenderit drejt kompanisë “Farma Net Albania” duket se po realizohet nëpërmjet dy trukeve në dukje të vogla :
Truku i parë
“Gjarpri” shpall fituesin 1.5 mln euro
Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor, i drejtuar nga Mirela Cami, nëpërmjet tenderit 1.5 milionë euro, synon të sigurojë furnizim me një larmishmëri barnash dhe materialesh mjekësore të gjitha qendra shëndetësore në vend.
Në listën me 54 artikuj bie në sy ai me numrin 17, i cili, si edhe të gjithë artikujt e tjerë, është i detyrueshëm të paraqitet për të fituar tenderin.
Në listën e hartuar nga Autoriteti Kontraktor është përfshirë medikamenti kundër pickimit nga gjarpri dhe ky bar, i quajtur “Viper venom antiserum”, gjendet në flakon qelqi dhe është i prodhuar disa dekada më parë në Serbi.
Pikërisht, ky lloj ilaçi, i kërkuar specifikisht nga Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor, duket se është “bileta fituese” e kompanisë “Farma Net Albania” në tenderin 1.5 milionë euro, i cili pritet të shpallë rezultatet në datën 16 Prill 2020.
Ky medikament, me këtë emërtim, vjen në Shqipëri vetëm nëpërmjet kompanisë “Farma Net Albania” dhe është prodhim Serb.
Kompania Farma Net Albania e ka paraqitur këtë produkt edhe në një tender të zhvilluar vitin e kaluar në Shqipëri, duke pasur ekskluzivitetin e tij.
Por, serum kundër pickimit nga gjarpri, prodhohet edhe në vendet e Bashkimit Europian, si në Kroaci, Bullgari e Gjermani. Ndërkohë që Autoriteti kontraktues e përjashton blerjen e të singjashmëve të tij, të cilët, me shumë mundësi, janë edhe më cilësorë.
Kjo sjellje e Operatorit Qendror të Kujdesit Shëndetësor shkel, ndër të tjera, edhe Marrëveshjet që Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Europian, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Aq i madh është ky truk në favor të “Farma Net Albania”, sa, në specifikimet teknike të tenderit, për këtë produkt është theksuar: “Të jetë i prodhuar në vendet e Ballkanit, dhe të ketë marrë autorizim për tregëti në vendin e tij”.
Pra, më thjeshtë, ndryshe nga specifikimet e barnave të tjera, ku thuhet të jenë prodhuar në BE, Kanada dhe SHBA, ky bar kërkohet specifikisht nga vendet e Ballkanit, në këtë rast nga Serbia.
Pra, falë posedimit të këtij medikamenti, jo shumë i rëndësishëm krahasuar me morinë e objekteve të tjera të kërkuara nga Operatori i Kujdesit Shëndetësor, e shndërron “Farma Net Albania” në fituesin potencial të tenderit.
Truku i dytë
Gjithçka në funksion të Farma Net Albania
Autoriteti Kontraktor ka vendosur të zhvillojë një tender të unifikuar, pra pa lote, pavarësisht se mallrat e kërkuar janë të natyrave tërësisht të ndryshme (a. medikamente; b. pajisje mjekësore).
Në një nga pikat e Marrveshjes Kuadër thuhet se: “Ndryshimi i Operatorit Ekonomik (OE), në rast se kjo marrëveshje do të lidhej me disa operatorë për secilin lot (pra rrjedhimisht ku jo të gjitha kushtet do të ishin të përcaktuara), do të shkaktonte kosto shtesë, pasiguri dhe konfuzion për OE të suksseshëm, gjë që do te shoqërohej me rritjen e afateve të lëvrimit duke patur parasysh që barnat kanë afat skandence dhe kryesisht importohen nga jashtë”.
Sipas argumentave zyrtarë të Operatorit Qendror të Kujdesit Shëndetësor, “Lidhja e Marrëveshjes Kuadër (MK) me një Operator Ekonomik të vetëm, do të shoqërohej me mirëorganizimin e këtij të fundit për sigurimin e mallrave në kohë, sigurimin e një rezerve dhe furnizimin në kohën e kerkuar nga AK.”
Autoriteti Kontraktues (Operatori Qëndror i Kujdesit Shëndetësor), gjykon se pjesmarrja e shumë kompanive në tender nuk është në të mirën e parave publike të qytetarëve shqiptarë.
Gjithnjë sipas Operatorit Shëndetësor, në rastet kur tenderi i jepet një ofertuesi të vetëm, atëherë fitojnë të gjithë edhe qytetarët, edhe kompania, edhe qeveria.
Në këtë mënyrë, fituesi i merr të gjitha.
Tender pa lote
Në një vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ndër të tjera është përcaktuar edhe rasti kur një tender ndahet në lote të veçanta.
Sipas atij vendimi, “Kontrata ndahet në lote kur përbëhet nga punë, mallra apo shërbime të ngjashme dhe kur vlera e kombinuar është e tillë që vetëm një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë do të ishin në gjendje t’i siguronin ato”.
Pra, praktikisht, Vendimi i Këshillit të Ministrave ka parashikuar mekanizmat për ndarjen në lote, kur objekti i tenderit përbëhet nga kërkesa të ndryshme dhe, sidomos, kur plotësimi i tyre kufizon konkurencën.
Por, siç rezulton, Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor nuk i është referuar këtij përcaktimi qeveritar në tenderin e fundit, me vlerë 1.5 milionë euro.
Operatori i Kujdesit Shëndetësor ka dhënë një shpjegim, jo shumë bindës, për mënyrën e përzgjedhjes së tenderit pa lote.
Në dokumentat e tenderit, shkruhet: “Duke qenë se Shqipëria është një treg i vogël dhe mallrat (materialet e mjekimit) janë mallra importi, me qëllim garantimin e furnizimeve në afatet kohore të përcaktuara për sejcilin njësi të shërbimit shëndetësor, Marrëveshja e Kuadrit me një Operator Ekonomik të vetëm fitues, do të garantonte sigurinë e furnizimeve dhe brenda afateve të kërkuara”.
Në fakt, këto tendera, vitet e kaluara, janë kryer nga qendrat shëndetësore rajonale. Ndërsa këtë vit, çdo gjë është centralizuar.
Procedurat janë marrë në një dorë të vetme, nga drejtoresha e komanduar e Operatorit Qëndror të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami, duke goditur konkurrencën dhe mundësinë për uljen e çmimeve.
Në të gjithë argumentimin e dhënë nga Operatori Qendror i Kujdesit Shëndetësor për realizimin e këtij tenderi pa lote, duket se ka një lojë fjalësh, të cilat, me shumë mundësi, fshehin qëllimin final, atë të paracaktimit të kompanisë fituese.
Në udhëzimin për operatorët ekonomikë thuhet.
Seksioni 1. Hartimi i ofertës
1.1 Operatorët Ekonomikë janë të detyruar të përgatisin oferta, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këto DT. Ofertat që nuk përgatiten në përputhje me këto DT do të refuzohen si të papranueshme.