Daniel Cohen, doktor në shkencat ekonomike, është profesor në Shkollën Ekonomike të Parisit. Ai është autori i veprave të shumta, në të cilat ai huazon nga shkencat e tjera si ato sociale dhe historia për të përshkruar në një mënyrë të kapshme nga publiku pa njohuri të thella ekonomike, fenomenet e mëdha socio-ekonomike bashkëkohore. Ndër veprat e tij përmenden “Bota e kufizuar dëshiron të pafundmen” (2015); “Homo Ekonomikus” (2013); “Zëvendësimi i Rritjes” (2009). Në këtë intervistë ai shpërfaq mënyrën se si e kupton këtë krizë të thellë nëpër të cilën po kalon bota.
Zakonisht në debatin publik kriza e tanishme krahasohet me ato të vitit 2003 (pas epidemisë SARS), 2008 dhe madje dhe me atë të vitit 1929. A kanë kuptim këto krahasime?
Krahasimi i parë që mu kujtua kur filloi kriza e koronavirusit ishte kriza shëndetësore e vitit 2003, e cila erdhi po nga Kina. Ajo shkaktoi 774 vdekje dhe bëri që rritja ekonomike globale të ngadalësohej me 0.2- 0.3% në atë kohë.
Tani jemi shumë, shumë larg! Edhe para se të përhapej kriza aktuale shëndetësore në vendet e tjera, ndikimi i drejtpërdrejtë i krizës kineze në pjesën tjetër të botës kishte ndryshuar në shkallë.
Produkti i brendshëm bruto i Kinës (PBB) ndërkohë është rritur 8-fish dhe roli i saj në tregtinë ndërkombëtare gjithashtu është rritur, ajo zë 20% të shkëmbimeve ndërkombëtare!
Ky “virus kinez”, siç e quajti presidenti amerikan Donald Trump, ka bërë të mundur matjen e varësisë së jashtëzakonshme nga Kina, të një numri shumë të madh të sektorëve industrialë.
Në këtë drejtim, pandemia mund të mbyllë një cikël ekonomik i cili filloi me reformat e Deng Xiaoping në Kinë në fillim të viteve 1980 dhe vijoi me rënien e Murit të Berlinit në 1989. Vala tronditëse e këtij globalizimi është e lartë. Lufta tregtare e nisur nga Trump ka bindur madje edhe vetë kinezët se ata duhet të ulin varësinë e tyre nga SHBA.
A nuk ishte kriza e vitit 2008 një manifestim i kësaj situate?
Kriza e vitit 2008 lindi nga projekti delirant i bankave të mëdha tregtare amerikane për të tërhequr nga ndërmjetësit dhënien e kredive për ekonomitë familjare në një cenueshmëri të madhe, me nënprimet e famshme. Produkte jashtëzakonisht toksike u injektuan në sistemin financiar ndërkombëtar duke shkaktuar një kolaps të përgjithshëm të tregjeve.
Përgjigja e qeverive të asaj kohe u bë në kulmin e krizës. Duhet të kujtojmë takimet e G7 dhe G20, të cilat mundësuan një reagim të fortë, të koordinuar dhe global. Krejt ndryshe është sot me personazhe si Donald Trump, Jair Bolsonaro, Boris Johnson që ia kanë kthyer shpinën multilateralizmit. Në atë kohë, u desh të përballej një krizë finaciare, e ngjashme me të të vitit 1929.
Edhe krahasuar me 1929, që për pasojat jemi shumë afër: pasi vala fillestare e shokut qe aq e dhunshme, por ama recesioni global zgjati vetëm nëntë muaj!
Kriza aktuale ekonomike në të vërtetë është thellësisht e ndryshme nga ajo e vitit 2008 ose 1929. Kjo e sotmja është një krizë në ekonominë reale. Sfida nuk është, si dje, të kërkosh ta mbështesësh atë përmes masave të ofertës ose kërkesës. Ajo që pritet nga shteti është, në mënyrë paradoksale, të sigurojë që shumë biznese të mbyllin dyert e tyre.
Për shkak të masave të kontrollit, PBB duhet të bjerë! Roli kryesor i politikës publike, në këtë fazë, nuk është për të ringjallur ekonominë, por për të siguruar që ajo mbetet në një gjendje të kënaqshme të letargji, e cila lejon që ajo të fillojë përsëri shpejt. Ne nuk po kërkojmë masa makroekonomike, por masa mikroekonomike.
Nuk është kredi ajo që duhet të shpërndahet, por mbështetje e drejtpërdrejtë e buxhetit që siguron rrjedhën e parave të korporatave dhe të ardhurat e familjeve.
Në këtë drejtim, parimi është i thjeshtë, deficiti thjesht duhet të jetë i barabartë me humbjen e aktivitetit për shkak të pandemisë. Nëse ndjekim statistikat e prodhuara, çdo muaj i izolimit mund të kushtojë 3 pikë rritje gjatë vitit. Nëse kriza zgjat dy muaj, do të jetë dyfish.
Buxheti Evropian, i cili sidoqoftë përfaqëson 1% të PBB-së së BE, duhet të jetë në gjendje të financojë drejtpërdrejt, për shembull, funksionimin e spitaleve më të prekur në Evropë.
Debati për “koronabondet”, një kredi evropiane e urgjencës, është vendimtar në këtë drejtim. Do të lejonte që Evropa të bënte menjëherë transferime të rëndësishme buxhetore, me përgjegjësinë e uljes së shpenzimeve të caktuara për të paguar interesin e borxhit të lëshuar.
SHBA sapo ka filluar një plan 2 trilion dollarë (rreth 1,83 trilion euro), një pjesë e madhe do të shkojë direkt në llogaritë e bizneseve dhe familjeve. Kjo është ajo që po mendon?
Ky plan përfaqëson 10% të PBB-së amerikane dhe është me të vërtetë i rëndësishëm. Në lidhje me mbështetjen e familjeve, një “gjuajtje” në errësirë: japen 1000 dollarë për të rritur dhe 500 dollarë për fëmijë për të gjitha familjet, të ardhurat e të cilave janë poshtë 75,000 dollarë në vit, por pa pasur parasysh gjendjen e tyre reale.
Nuk mund të përjashtohet që Trump synon mbi të gjitha të ruajë shanset e tij për t’u rizgjedhur. Një shtet modern, një shtet i shekullit njëzet e një, duhet të ketë aftësinë për të vlerësuar mikroekonominë “kirurgjikale”, duke synuar dhënien e ndihmave për kompani e individë të caktuar që janë në nevojë.
Mjetet për ta bërë këtë janë. Kjo ndërhyrje është natyrisht, një mundësi rreziku për mbikëqyrje, sepse shteti merr aftësinë për të monitoruar gjithçka – njëlloj si GAFA (Google, Apple, Facebook, Amazon).
A sinjalizon kjo krizë fundin e kapitalizmit neoliberal global?
Padyshim që është fundi, apo fillimi, i rënies së kapitalizmit të globalizuar që pamë për dyzet vjet, bazuar në kërkimin e vazhdueshëm për uljen e kostove duke prodhuar gjithnjë e më larg.
Por sinjalizon gjithashtu përshpejtimin e një kapitalizmi të ri, kapitalizmit dixhital. Për të kuptuar qëllimin dhe kërcënimet e reja që ky kapitalizëm dixhital ka, ne duhet të kthehemi, në kohën kur menduam se deindustrializimi do të çonte, në vendet e zhvilluara, në kompani shërbimi.
Ideja, e teorizuar në veçanti nga ekonomisti francez Jean Fourastié (1907-1990), ishte që njerëzit nuk do të punonin më tokën ose lëndët e para, por vetë njerëzit do të ishin objekt dhe subjekt: të kujdesit për veten, të arsimimit, të stërvitjes, të argëtimit të të tjerëve, pra më në fund do të kishim një ekonomi të humanizuar. Kjo ëndërr post-industriale ishte çliruese, përmbushëse. Por siç thekson Fourastié, ajo nuk ishte më burim i rritjes.
Nëse vlera e së mirës është koha që kalojmë duke u kujdesur për të tjerët, do të thotë gjithashtu që ekonomia nuk mund të rritet më, përveçse duke rritur kohën e punës në afat të pacaktuar. Kapitalizmi ka gjetur një zgjidhje për këtë “problem”, atë të dixhitalizimit të tepruar.
Nëse qenia ime mund të shndërrohet në një burim informacioni dhe të dhënat mund të menaxhohen nga distanca në vend që të jepen ballë për ballë, atëherë unë mund të kujdesem, të shkollohem, të argëtohem pa pasur nevojë të dal nga shtëpia ime: unë shoh filma në Netflix në vend që të shkoj në kinema, unë marr recetën pa shkuar në spital, dixhitalizimi i gjithçkaje të mundshme është mjeti për kapitalizmin e shekullit 21 për të ulur kostot.
Ndarja e përgjithshme të cilës ne i po nënshtrohemi tani shfrytëzon masivisht këto teknika: telekomunikim, arsim në distancë, telemjekësi. Kjo krizë shëndetësore mund të shfaqet, në retrospektivë, si një moment i përshpejtimit të këtij virtualizimi të botës. Si pikë ndikimi e kalimit nga kapitalizmi industrial në kapitalizëm dixhital. /Le Monde