Nga Besjan Pesha
Llogjika e karantinimit është që ne mbyllemi në shtëpi për një periudhë të shkurtër për të lehtësuar kryesisht tre proçese:
1. Mos-përhapjen në masë të virusit
2. Bërjen më të lehtë të testimit masiv nga ana e autoriteteve
3. Kurimin efektiv të çdo të prekuri duke mbajtur fluksin e tyre në një ritëm të përballueshëm.
Pse duhet kjo?
Duke testuar në masë, autoritetet ia dalin të identifikojnë në kohë të shkurtër të githë të infektuarit dhe ti izolojnë rreptësisht apo kurojnë ata, teksa karantina dhe distancimi social e ndalon apo ngadalëson përhapjen duke mos e zeruar punën e tyre.
Kështu, pasi kemi qëndruar (le ta themi 1 muaj brenda, apo edhe 2) të prekurit janë identifikuar, izoluar dhe shanset për ta vrarë përfundimisht virusin janë super të larta.
Nëse kjo nuk ndodh, karantinimi duhet të zgjasë jashtë mase, sepse rastet e infektuara nuk dihen, ata nuk izolohen duke vazhduar te infektojnë të tjerë dhe cikli mbyllet vetëm pasi e gjithë popullata e ka kaluar sëmundjen. Efekti i vetëm pozitiv është mbajtja e fluksit nën kontroll.
Çfarë po ndodh në Shqipëri?
E para më duhet të them se karantinimi nuk po funksionon. Siç ndodh për çdo gjë, rreptësia e autoriteteve zgjati vetëm 2 ditët e para e më pas kush me mik, e kush me lekë, kush me kushëri e kush me parti, shumica e njerëzve kanë siguruar nga një leje dalje a lëvizjeje, aq sa sot trafiku në Tiranë ngjasonte me një ditë normale. Për të mos folur për fashat orare të cilat kanë shkatërruar gjithë ca është ndërtuar duke provokuar mbledhje masive njerëzish.
E dyta, testime po u bëhen vetëm familjarëve e rrethit shoqëror të atyre që shfaqin simptoma të theksuara, si edhe politikanëve, elitës ekonomike dhe fis e farefis të tyre. Në gati një muaj kemi testuar vetëm 2200 persona dhe nëse ecim me këtë ritëm do na duhen diku te 100 vite për të mbaruar punë me popullatën.
E treta, vdkeshmëria nga virusi në Shqipëri në raport me rastet e evidentuara është e lartë krahasuar me vendet e tjera (top 10) edhe pse fluks nuk ka patur deri tani për të krijuar skenarë si në Itali.
Nëse nuk ndryshohet strategjia duke rritur numrin e testimeve dhe bërë më efektive karantinimin, mund ta gjejmë veten mbyllur edhe mbas 3 muajsh.
Duke qenë se karantina është privilegj i të pasurve dhe ky vend nuk ka shumë të tillë, kjo strategji që po ndiqet mund të kthehet në një bombë sociale dhe ekonomike që do vrasë më shumë se sa projektimet më të frikshme të virusit.








