Në një intervistë të dhënë në emisionin “Chic” të gazetares Fjodora Fjora në “News 24”, ish-kapiteni i kuqezinjve Lorik Cana komenton edhe aludimet mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe nuk ngurron ta quajë veten si një makinë të tipit “Benz Mercedes”….
Lorik, kjo i bie të jetë intervista juaj e parë pas ditës që keni bërë lajmërim ku keni nënvizuar se ju nuk do të jeni më pjesë e Kombëtares.
Po, është e vërtetë. Por besoj se në jetë çdo gjë ka momentet e veta dhe, porsa i përket kombëtares, mendoj se ishte koha e duhur për t’i dhënë fund një historie shumë të gjatë.
Është një kombëtare që për ju pa dyshim ka vlera shumë të mëdha dhe ka shënjuar jetën tuaj, profesionale dhe personale. Sepse Kombëtarja e Shqipërisë ka qenë pika ku të gjithë ata njerëz që mundën të kishin një kontribut për futbollin tonë arritën më në fund ta sillnin dhe sidomos pas këtij Europiani ku e dëshmuam. Juve çfarë ju ka kënaqur më shumë në këtë përfaqësuese dhe çfarë ju ka shqetësuar më shumë. Cili është pengu juaj më i madh?
Kombëtarja është një gjë e jashtëzakonshme. Është ajo që përfaqëson një vend, ajo që përfaqëson historinë, vlerat dhe cilësitë e një kombi. Unë u rrita me sportin, me frymëzimin për të luajtur futboll, sepse doja dhe ia arrita që të ndjek hapat e babait tim. Me ndihmën e tij, pata mundësinë që të largohesha nga Kosova…
Po flas në aspektin për të pasur dhe gjetur kushtet, për të vazhduar këtë ëndërr dhe për të ecur me hapa më të shpejtë në këtë profesion që doja të bëja. Gjatë gjithë ato viteve larg Kosovës, më ka bërë më të përmalluar, kam ndier shumë mall për vendin tim. Dhe sigurisht duke ecur përpara, gjithçka çka lidhej me Shqipërinë, me shqiptarët më bënte kurioz që të ndiqja.
Pa dyshim që futbolli nuk mund të anashkalohej. Jam rritur duke ndjekur ndeshjet e gjeneratave të para, po flas për vitet ’90, kombëtaren e Rrakllit, Vatës, Strakoshës, Tares… I shihja në televizor dhe me vete thosha që “pse të mos isha edhe unë i aftë që të përfaqësoja shqiptarët”.
Dhe kur e kam parë se realisht isha në hapat e duhur nuk ngurrova që të vendosja se “dua të luaj për Shqipërinë”. Mund të them se Kombëtarja ka qenë për mua një qëllim i hershëm, mendoja për të që në moshën 8-vjeçare. Madje, kur isha me ekipin e Parisit dhe mendoja se mund të arrija në përfaqësuese, më dukej diçka e jashtëzakonshme. Ndihesha krenar thjesht nga ideja për të përfaqësuar popullin tim, një ndjesi që më ka shoqëruar gjatë të gjithë karrierës sime.
Pikërisht kjo ndjesi ndoshta më ka ndihmuar edhe në aspektin sportiv. Shumë lojtarë duan thjesht që të fitojnë trofe, të luajnë në klube të mëdha, të luajnë në Champions, ndërsa për mua, pavarësisht rangut që mund të kishte Kombëtarja, unë doja thjesht ta arrija atë. Përfaqësuesja është diçka unike, të bën të ndihesh më i lumtur, më krenar, por në të njëjtën kohë edhe zhgënjimi është më i madh. Por personalisht nuk do të ndërroja asgjë që kam përjetuar gjatë gjithë këtyre kohëve.
Sigurisht që kam kaluar shumë momente të vështira, shumë prej të cilave ishin faktor i mentalitetit shqiptar. Sepse kur gjërat shkojnë mirë ti je më i miri në botë, në të kundërt është katastrofë. Gjithsesi, as kjo nuk më ka shpërqendruar nga objektivi im për të bërë gjëra pozitive për futbollin shqiptar.
Keni qenë gjithmonë kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe, përveçse jeni përpjekur më së shumti që t’i motivoni shokët e skuadrës, keni bërë të njëjtën gjë edhe me tifozët. Ky lloj motivimi ju ka shtyrë që të kërkoni të jeni gjithmonë një lider, gjithmonë një që mban peshën, edhe përgjegjësinë, ndoshta edhe atëherë kur nuk duhet. Çfarë ju shtyn të kërkoni që, përveçse brenda grupit, të krijoni një marrëdhënie të fortë edhe me pjesën jashtë saj?
Ky është një aspekt i karakterit tim, ndoshta që më është krijuar si rrjedhojë e përvojës personale, e qëllimeve që unë i kam vënë vetes, qoftë edhe çështje dëshire për të qenë lider. Nëse shumë njerëz i kanë këto vlera, unë asnjëherë nuk i kam fshehur dhe s’kam pasur frikë së treguari ato.
Unë jam tipi që jam gati të mbaj mjaft gjëra mbi shpatulla, ndërsa të tjerë e kanë më të lehtë t’ua kalojnë të tjerëve. Ndoshta, edhe fati më ka dhënë një ndihmë të madhe, sepse kam luajtur dhe kam kaluar me sukses në rangjet e moshave të Parisit dhe të debutoj shumë shpejt, që në moshën 19- vjeçare me skuadrën e parë. Këto hapa të shpejtë dhe përballja me lojtarë të mëdhenj si Okoça, Anelka, Ronaldinjo, yje botërorë me moshë të re.
Por, në të tilla momente, nuk duhet të kesh frikë nga ata. Pikërisht duke u përballur me kampionë si këta duhet të tregosh personalitet, duhet të formohesh si karakter, sepse ndryshe nuk e fiton vendin tënd. Pa dyshim, duke i lënë edhe atyre vendin që meritojnë. Ndoshta edhe roli ku kam luajtur më ka ndihmuar jo pak.
Në mesfushë është e lehtë të shohësh të gjithë lojën dhe të mësuarit dhe të kuptuarit më shpejt më erdhi në mënyrë natyrale. Futbolli duke qenë një sport kolektiv është e detyrueshme që të kërkosh pozicionin tënd në skuadër, t’i gjesh hapësirë vetes në atë grup, të bëhesh lider, përndryshe nëse grupi nuk të do, mund të të largojnë lehtë.
Mesfushor shkatërrues, si nuk jeni thyer në mes gjithë këto vite?…
Kam lindur si mesfushor dhe kam luajtur për shumë vite e si i tillë. Gjithashtu kam luajtur edhe si mbrojtës, sidomos në ekipin kombëtar. Madje, në 14 vite gjithsej, në këto 7-8 vitet e fundit kam luajtur si qendërmbrojtës. Kjo është një aftësi e mirë për një lojtar. Jo se nuk jam shkatërruar, por mendoj se trupi im është një model “Mercedesi” jo shumë i vjetër, por që i ka nja 400-500 mijë kilometra të bëra… dhe sigurisht vaji prishet dhe motori ka ndonjë problem të vogël…(qesh).
Unë në 14 vite, të them të drejtën, nuk kam pasur thuajse kurrë kohë për pushime. Disa herë nuk preferoj që nuk preferoj të rri në një vend dhe të mos luaj. Mendoj se kam aftësitë tani dhe kam mjekët e duhur që të mund t’i dedikohem si duhet trupit tim. Nga fundi i vitit, nëse gjërat shkojnë mirë dhe nëse do të paraqitet një ofertë e re, atëherë do të shoh mundësitë edhe për ndonjë aventurë.
Por nëse nuk do të më jepet mundësia që të jem në minimumin e performancës, atëherë do ta rimendoj të ardhmen. Vitet e fundit kam luajtur me shumë dhimbje në trup dhe mosha bën të vetën. Unë kam qenë me fat në karrierën time, por këtë radhë kam nevojë për pushime.
Së fundmi, është aluduar shumë për gjendjen tuaj shëndetësore, ndërkohë që ju vetë nuk e keni saktësuar të ardhmen tuaj, duke e lënë mundësinë të hapur edhe për një rikthim në fushat e blerta…
Ishte një vendim personal për t’u tërhequr paksa. Nuk ka pse t’u interesojë të tjerëve se çfarë problemesh kam unë, por edhe me aq shumë vite futboll mund të kuptohet se çfarë problemesh të ndryshme mund të kem unë. Më vjen keq që disa herë, qoftë edhe për të bërë lajm. Shkruhet pa marrë parasysh pasojat dhe efektet në jetën personale të një njeriu.
Unë jam mësuar ta menaxhoj këtë, por ndonjëherë ndodh me djem të rinj të Kombëtares që kur shohin ndonjë lajm të shkruar, janë ndikuar prej tij. Gjithsesi, ne kemi fatin që jemi në botën e sportit dhe duhet të përpiqemi të jemi shembull për të tjerët. Kritikat janë pjesë e punës sonë, por çdo gjë e ka një limit.
Kësaj radhe nuk zbritët në fushë që të jepnit lamtumirën aty… Pse nuk dolët në fushë për të përshëndetur tifozët?
Nuk e bëra sepse ende nuk e kam ndarë mendjen nëse jam apo jo në përfundim të karrierës. Nuk më ka shkuar mendja për ceremoninë, por deri tani nuk e kam menduar. Me siguri, ceremonia, kur t’i vijë koha, do të bëhet në Shqipëri.
Çuditërisht duhet të flasim për dy ekipe që përfaqësojnë shqiptarinë, por ngjarjet rrodhën në këtë mënyrë dhe ne duhet ta pranojmë këtë gjë. Ju çfarë mendimi keni mbi ekzistencën e përfaqësueses së Kosovës dhe çfarë duhet të bëjnë lojtarët?
Është hera e parë që unë po flas për këtë çështje, pasi Kosova u pranua në FIFA. Unë e kam pasur gjithmonë mendimin tim lidhur me këtë temë dhe i kam lënë gjërat të jenë spontane. Kam disa parime të miat dhe njerëzit në fund e gjykojnë nëse kam të drejtë apo jo. Unë kam thënë që në fillim që Kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë një rëndësi përtej sportit. Ne tashmë jemi shembull për të rinjtë, jemi simbol i këtij kombi, pasi kemi bashkuar shumë vlera dhe arritje.
Nëse nuk do të kishim kaq shumë rëndësi të madhe, kjo gjë do të ishte pak më e zbehtë. Nëse Kombëtarja do të kishte rezultate më të dobëta si vitet e para, sigurisht që ky diskutim i madh nuk do të ishte bërë. Është shumë bukur kur sheh shumë njerëz bashkë që festojnë, trishtohen, zhgënjehen, por edhe shahen bashkë. Nuk ishte e arsyeshme që të ndahet Kombëtarja shqiptare.
Pra, jeni për një kombëtare?
Unë e kam mbështetur shumë sportin në Kosovë dhe kam dhënë kontribut të veçantë, edhe për pavarësinë e sportit në Kosovë. Sporti aty nuk ka pasur asnjë zhvillim dhe asnjë mundësi për të realizuar një ëndërr. Njohja e sportit ka qenë gjëja më e bukur. Kam qenë i mendimit që elita e futbollit në aspektin kombëtar të qëndrojë te Shqipëria.
Kam qenë i mendimit që te Kosova të ketë një nivel më të ulët përfaqësimi në nivelin kombëtar, por nuk vendos unë. I kam thënë Vokrrit që do t’i mbështes dhe sigurisht që do të shkoj për të parë ndeshjen. Kam besim se edhe Kosova të jetë e suksesshme sepse ka shumë talente.
Për ta lënë disi në hije sportin… Ju keni qenë një ambasador i Shqipërisë në Europë për prezencën tuaj edhe jashtë futbollit. Përpara disa ditësh ishit në shenjtërimin e Nënë Terezës…
E thashë që unë gjërat i bëj në mënyrë spontane. Kur mund të bësh diçka e bën sepse e ndien dëshirën për ta bërë. Unë kam pasur gjithmonë dëshirë për të përfaqësuar Shqipërinë. Nuk ma ka imponuar askush këtë gjë dhe nuk më intereson aspak çfarë mendojnë të tjerët. Këto vlera i kam trashëguar nga gjyshërit e mi dhe nga të afërmit. Kur vjen puna për Shqipërinë dhe kur unë duhem aty, e bëj gjithçka me dëshirën më të madhe.
Në Shqipëri nuk jam pasuruar financiarisht, por vetëm shpirtërisht. Gjatë këtyre 12 viteve, më shumë kemi shpenzuar nga aspekti financiar në Kombëtare, sesa kemi fituar. Kjo është diçka e parëndësishme. Unë i dua tifozët, pavarësisht se ndonjëherë edhe më kanë sharë. Nuk mund ta refuzoja kurrë shenjtërimin e Nënë Terezës, por kisha frikë se si do të shkonte. Kisha kënaqësi dhe isha krenar që u rreshtova përkrah njerëzve të mëdhenj dhe të njohur si artistët shqiptarë. Aty kishte më shumë myslimanë sesa katolikë.
A e keni vendosur që përfundimisht të qëndroni në trekëndëshin Romë-Tiranë- Prishtinë?
Sigurisht që do të jem në udhëtim, por në Tiranë do të qëndroj më gjatë. Tashmë kam edhe apartamentin tim, por jam i vonuar për shkak të ecurisë së ngadaltë të punimeve të pallatit. Jam dashuruar me Tiranën dhe është e rëndësishme që do të kaloj kohë të mirë. Pas futbollit do të marr sa më shumë kualifikime, të cilat lidhen me sportin. Të shoh se cila nga këto mënyra do të më pëlqejë më shumë dhe pastaj do të vendos përfundimisht. Ndoshta do të bëhem trajner, ndoshta drejtues, ndoshta menaxher. Kam dëshirë ta provoj këtë sfidë të re.