Nga Fitnete Gruda
Unë gruaja – mësuesja,kurban i korrektësisë dhe parimeve të mija, në një sistem arsimor të shekullit XXI, ku politika shqiptare zgjedh, më së shumti, drejtues shkollash dhe arsimi militantë mediokër që si vlerë kanë përfitimin dhe selektojnë për të ruajtur pas ndërrimit të pushteteve, më së shumti kategorinë e drejtuesve të njollosur, mjeshtër të deformimit të realiteteve duke ngritur paaftësinë mbi profesionalizëm. Me këtë kategori drejtuesish nuk mund të ketë efikasitet të ligjeve dhe sigurim të lirisë së shprehjes. Votimi nga mësuesit i drejtuesve të Drejtorive Arsimore në vitin 2014 dhe drejtuesve të shkollave në vitin 2017, (të cilat unë personalisht i kam abandonuar si të pavlerë)- me rezultate të pritshme të paracaktuara me qëllim fuqizimin e të paaftëve, nën moton “lider të konfirmuar me votë”, në ngjashmëri me shitjen e votave në zgjedhje”, çoi në sjelljen e kësaj kategorie drejtuesish si “bandë”, si rasti në shkollën 9-vjecare “Marie Logoreci“, ish “Androkli Kostallari“ Tiranë, ku unë kam qënë mësuese deri afërsisht një vit më parë, duke devijuar shkollën nga misioni i saj-drejtues që detyrën nuk e shohin si përgjegjësi institucionale, por si privilegj përfitimi dhe “pushtet“ për të dhunuar individë më të kualifikuar, më profesional e shumë më të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm. Arsyet e kapërcimit arbitrar të drejtorit të komanduar të kësaj shkolle në vitin 2014 (ndoshta ende I komanduar) nga emigracioni në drejtim, pa plotësuar as kriteret më minimale që përcakton ligji për drejtues shkolle, si kategoria “mësues i kualifikuar”, kuptohen me lënien në krah të tij, si zv.drejtor të ish drejtorit më problematik që ka pasur ajo shkollë, që kishte krijuar një mjedis të dhunshëm në shkollë me një grup rreth tij të krijuar në vite të shumta drejtimi në atë shkollë. Synimi i drejtorit të vetëquajtur “shumë tolerant” dhe “dashamirës“- realisht simbol i abuzimit dhe papërgjshmërise (ku arritjet e nxënësve u vunë në plan të fundit) ishte, që përmes hipokrizisë të shitur si virtyt dhe bashkëpunimit me zv.drejtorin- mjeshtër të deformimit të realiteteve, të realizonte nënshtrimin total të mësuesve, me dhunë apo joshje të formave të ndryshme, ku askush të mos ishte më në gjëndje të kthente një përgjigje- Të pabindurit do t’i tregohej rruga. Dhe ashtu ndodhi realisht. Nëse mësuesi shikon se politika e drejtimit të shkollës apo të hallkave të tjera të sistemit arsimor është e gabuar, i vetmi instrumrent demokratik i tij është fjala. Duke moskuptuar apo mosdashur të kuptojnë se kritika e vërtetë mund të vijë nga mësues të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm ata më etiketuan mua si armiken jo vetëm të tyre, por dhe të qeverisjes, të asaj të arsimit në veçanti. Kësisoj filluan sulmet me qëllim “shtypjen” time. Për fat të keq, në vendin tonë fenomeni i shtypjes së kritikës vazhdon, madje duke u forcuar ku vitet e fundit po merr përmasa të frikshme në vecanti kur kjo kritikë vjen nga “një grua”. Nuk futem në rastet që po shkruaj sepse u penalizova padrejtësisht, por jam një rast që kam shkruar në shtyp prej vitesh, kam ngritur probleme dhe për këtë po paguaj sot. Unë heshta, nuk shkruajta në shtyp për të mos influencuar në asnjë formë mbi drejtësinë ku ishte çështja ime edhe pse penën e kam patur në dorë prej 15 vitesh duke ngritur probleme që i mendoja tërësisht shqetësim publik, por tashmë që po ndërhyhet nga institucionet e larta të arsimit ( e çfarëdo lloj qëllimi qoftë kjo ndërhyrje) në çështjen time në organet përkatëse të drejtësisë, zgjodha ditët e 7-8 Marsit si mësuese, si grua, si nënë për të ngritur këtë shqetësim jo vetëm personal, por në thelb dhe publik, duke u përpjekur të jem sërish paksa diskrete që drejtësia të thotë fjalën e vet edhe pse unë jam paraqitur dhe kam thënë fjalën time sa herë jam thirrur në organet përkatëse, si e akuzuar mbi bazën e një sajese, pasi vendimet e organeve të drejtësisë unë nuk do t’i marr nëpërmjet institucioneve arsimore, por nëpërmjet organeve të drejtësisë. Institucionet e larta të arsimit shqyrtimin e ankesave të mija duhet ta bazojnë në zinxhirin e tyre institucional. Aq më tepër kur po përndiqem edhe tani, së bashku me familjarët e mi duke ua rritur çdo ditë e më shumë shqetësimin edhe atyre.
Në kohën kur mungesa e disiplinës, rregullit, transparencës, pabarazia, korrupsioni, dhuna në të gjitha format e saj, cilësia e ulët, mashtrimi, pasiguria, hipokrizia, klima e ankthit po ia zinin frymën shkollës “Marie Logoreci”; në kohën kur drejtoria arsimore po ristrukturohej dhe “ajka“ e saj e krijuar në vite dhe e ruajtur me aq fanatizëm nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, po synonte të mbante kolltukun e ngrohtë; në kohën kur “Bashkëqeverisjes” do ti duhej të vinte pikat mbi “i” (e pakta siç predikohej në media) mbi fajtorët e sorollatjes time katër vjeçare deri në tallje, për mospagesën e orëve suplementare të disa viteve dhe abuzimet e bëra; në kohën kur Drejtorisë Arsimore të Tiranës (DART, sot ZVA Tiranë) po i dilnin “telashe“, pas pagesës time, për të paguar të gjithë mësuesit e Tiranës për orët suplementare të prapambetura (siç pretendohej për mos pagesë në media nga sindikatat); në kohën kur drejtorin e shkollës dhe nëndrejtorin-ish drejtor po aty, i kishin zënë ethet pas këmbënguljes time për disa orë të tjera të papaguara-ku kishin shkuar ato lekë si dhe dhunës psikologjike në vite të ushtruar mbi mua – në rritje gjithnjë e më shumë madje më fort pas çdo kërkese apo ankese; në kohën kur reagova fort ndaj indiferencës totale së drejtorisë së shkollës ndaj dhunës në shkollë; në kohën kur zërat ndryshe në shkollë u shuan si kurrë ndonjëherë dhe dëgjoje vetëm jehonën e zërave të dikurshëm tashmë të heshtur, u planifikua hakmarrja ndaj zërit të vetëm të mbetur në shkollë, zë i fortë i arsimit të Tiranës dhe i arsimit parauniversitar në të gjithë Shqipërinë. Ai zë isha unë: “Rebelja e arsimit”- sipas autoriteteve të ndryshme ku në analizat për mendimin ndryshe justifikohen për atë çka thuhet dhe është realisht; ”Striktja“ – sipas atyre që u pëlqente ta përkthenin kështu korrektësinë time të madhe. “Ajo që ka guxim prej budallai dhe i duhen prerë duart“- sipas atyre që më kërcënonin në rrjetet sociale për shkrimet e mia. “E çmendura“, “delja e zezë e kolektivit“- sipas një prej drejtuesve aktual të shkollës (fyerje e bërë disa herë haptazi para stafit pedagogjike deri në zyrat e ish DART në prani të shefeve), kryetar i grupit “KÇK” në shkollë, që realizoi largimin tim nga puna me një shkak pa shkak, një sajesë të turpshme dhune, duke më prekur aty ku unë nuk kam toleruar askënd, tek nxënësit (i kam mbrojtur nga të gjitha format e dhunës) dhe pikërisht për fenomenin të cilin e kam ngritur dhe në shtyp. Të gjitha këto epitete që listova dhe të tjera dalëngadalë u përhapën në shkollat e Tiranës dhe kudo ku unë njihesha apo ku këmba ime shkelte, me strategjitë që zgjidhte grupi “i struktuar” (ish DART –shkollë). Përvoja ime afro 30- vjecare në arsim si mësuese me titullin “Mësues Mjeshtër” për lëndën e matematikës – ndër to 4- vjecare drejtuese në dy shkolla të kryeqytetit, pas kryerjes së kursit për drejtimin e shkollës në Institutin e Zhvillimit të Arsimit (IZHA sot ASCAP) –;bashkëpunimi me këtë institucion me botime në buletinin e tij, në grupin e punës për hartimin e Standardeve të mësuesit të matematikës, në grupin e punës për hartimin e programeve të matematikës dhe redaktore shkencore e tyre; kurs një vjecar –“Trajnere Evropiane” me përparësi Qeverinë e Nxënësve në shkollë; kualifikime të shumta të tjera dhe në vazhdim të masterit shkencor në ”Politika dhe drejtim arsimi”, paralelisht përvoja 15 vjeçare në shtypin e shkruar mbi arsimin – kryesisht kritike mbi problemet në arsim dhe në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve si dhe probleme të ndyshme sociale mjafton që me një klikim në google e të shfaqen shkrimet e mija ndër vite. Të gjitha këto kanë qenë një investim për të kryer punën me profesionalizmin- përshtatur kërkesave të kohës në mësimdhënie e më gjerë por dhe një ndihmesë për një arsim cilësor, gjithashtu flasin qartë për integritetin tim profesional dhe jo vetëm, por njëkohësisht më shtyjnë të deklaroj se largimi im nga puna është një hakmarrje e hapur të cilën po e përshkruaj shkurt, por dhe ndaj një njëriu më profesional dhe më me integritet në një mjedis. Përpos, të qenit gjithmonë një simpatizante e hapur e Partisë demokratike dhe kontributi 10-vjecar si aktiviste e PD (jashtë orarit të punës, pa ngatërruar punën me parti madje as përmendur në ambientet e punës, punë partie ) jo se nuk dija ta bëja pasi jo në pak raste mi kanë sjellë të tilla situatat që unë ta përmendja por parimet e mija nuk më linin ta bëja atë gjë, është një tjetër avantazh që i shtohet pretendimit tim për hakëmarrje. Korrektësia dhe komunikimi im i hapur dhe i drejtëpërdrejtë në institucion dhe publik nëpërmjet shkrimeve në gazeta, gjithmonë ka shqetësuar ndokënd dhe jam sulmuar në ndonjë formë, por sulmet pas vitit 2013 kanë qenë të përmasa denigruese dhe diskriminuese me qëllim kthimin e figurës time nga shumë e respektuar në të përbuzur nëpërmjet deformimit të realitetit. Në këto vite jam përndjekur në forma të ndryshme në shkollë e kudo ku shkelte këmba ime madje, më është mohuar e drejta për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur me qëllim mbajtjen time larg problemve. Jam penguar në kryerjen e detyrës në forma të ndryshme në trajtë provokimi e presioni, deri në mosdhënien e regjistrit një ditë të tërë mësimi. Këto dhe shumë të tjera flasin për vënien time në pozita të disfavorshme pune nga ana e drejtorit të shkollës në rritje vit pas viti. Është investuar shumë vitet e fundit nga grupi “i strukturuar” për të përgatitur komunitetin e shkollës ku unë punoja dhe ato ku kisha punuar më parë si dhe opinionin publik i cili më kishte lexuar për vite me radhë. Fillimisht me presione më të buta, intriga për të më mbyllur gojën, më pas për t’u vetëlarguar në shkollë tjetër, apo tentativat për vetëlargim nga arsimi pasi menduan duke hedhur baltë mbi mua do t’a bëja, por të tërbuar nga mosnënshtrimi im hartuan strategji për të më larguar brutalisht – në dukje si preokupim në “interesin për mbrojtjen e fëmijëve”, por po të futesh në rrugën e ndjekur ndjen neveri për teatrin e luajtur i cili devijoi në sjellje jo etike, jo profesionale, jo institucionale të drejtorit të shkollës duke “harruar” edhe vlerësimin e nxënësve të bërë nga unë për muajin prill, pa të cilën kanë bërë vlerësim përfundimtar të nxënësve të pesë klasave në matematikë për vitin shkollor 2018- 2019, një fiktivitet i hapur pa iu dridhur qërpiku.
Dhunuesit e vërtetë, ata që po shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve mbetën aty “triumfuan”; ata që heshtën dhe aty ku duhet folur fort, janë aty. Unë fola për cdo gjë të mbrapshtë në shkollë, ja ku jam – “kurban i fjalës së lirë”, e larguar nga puna, por gojën nuk ma mbyllin e as kokën nuk ma ulin dot. Situata e largimit tim nuk është e panjohur për kolektivin e kësaj shkolle dhe për institucionet eprore, e thënë ndryshe “në traditën e shkollës”, pasi nuk është rasti i parë në këtë shkollë që përdoren teknika të sajesës për dhunë nga mësues të ashtuquajtur kundërshtarë, nëpërmjet përdorimit të fëmijëve, prindërve, psikologut, apo peticione me qëllim lëvizjen e detyruar të mësuesit, “shtypjen” e kundërshtarëve, përpos pyetësorët me rezultate të deformuara nga drejtoria e shkollës duke u sugjeruar nxënësve se kë mësues duhet të shigjetonin për negativisht. Të gjitha këto i kam ngritur në shtyp edhe pse asokohe nuk kanë patur lidhje me mua personalisht por si shqetësim për një arsim efektiv. Sulmet në përmasa jo të vogla nisën në vitin shkollor 2013 -2014, pas denoncimit tim në shtyp (Revista “Mësuesi ,madje dhe në organin e Ministrisë së Arsimit) të mbulimit në shkollë, të fenomenit të braktisjes së shkollës. Sapo erdhi drejtori i ri – drejtori që firmosi largimin tim, e nisi luftën ndaj meje, me një shantazh që unë të firmosja si mësuese kujdestare falsifikimin e një note të një nxënësi nga 4 (katër ) në 5 ( pesë) duke kërcënuar në emër të drejtoreshës së DART, (këtë më pas e kam pasqyruar në institucionet eprore e më pas në shtyp). Për këtë dhe të tjera drejtori gjente një justifikim të mosdijes si mungesë përvoje në arsim, ndërthurur me hipokrizinë që të bëhej i besueshëm, madje iu desh një marrëveshje e heshtur të kërkimit të heshtjes për gjithë. Marrëveshja shërbeu në përhapjen tek organet eprore e një ”qetësie të rreme” ku çdo vit pabarazija rritej, fenomenet negative shtoheshin, dhuna shtohej, cilësia ulej rrjedhimisht. Mirëpo serioziteti i një pjese prishte qetësinë farsë te vendosur në këmbim favoresh, prandaj ndaj zërave ndryshe drejtoria e shkollës filloi me presione, intriga, deri në fyerje hapur e ulërima , duke dalë tërësisht nga kornizat e detyrës shtetërore. Organet kolegjiale të shkollës përfshirë këtu komisionin e etikës dhe disiplinës të cilat zgjidhen sipas preferencave të drejtuesve kuptohet që nuk funksiononin e si pasojë kaosi sa vinte e shtohej. Problemet që unë kam ngritur rrishtazi në këto vite nuk janë të panjohura as për drejtorinë e shkollës, as për organet eprore e as për median e shkruar, ku ndër të tjera përveç ngritjes së problemeve kam sugjeruar dhe mënyra zgjidhjeje. Parashtrimi i problemeve në institucionet eprore nga unë (duke i njohur me realitetin që përballemi çdo ditë) nuk u pa me gjakftohtësi në sensin ç’rëndësi ka kush i shtron problemet, a janë të vërteta dhe çfarë mund të bëhet për t’i zgjidhur por definicioni i problemit mbeti jo vetëm indiferencë totale të organeve eprore por dhe shtim të sulmit ndaj meje. Heshtjen e MASR, asnjëherë nuk kam dashur ta mendoj si një indiferencë ndaj arsimit parauniversitar, por si një keqinformim, keqinterpretim dhe deformim te realitetit nga nyjet e forta, të krijuara në vite, në zinxhirin e sistemit arsimor dhe për fat te keq askush nuk mundi t’i “zgjidh”.
Kë prekën kaq rëndë këto shkrime sa u investua me mish e me shpirt tërë këto vite duke u përpjekur për të gjetur sajesën ideale që si e si të më flaknin në rrugë?! Kë vriste ndërgjegjia kur unë punoja, isha korrekte në maksimum, ngrija probleme të cilat ishin mjaft shqetësuese?! Por nga ana tjetër dhe kur nuk flisja por thjesht vazhdoja punën time me korrektësi të madhe përsëri korrektësia dhe drejtësia ime u dukej sikur u bënte “roje”, i friksonte, nuk i linte të vazhdonin avazin “rrumpallë“. A mund të heshtësh kur drejtuesi nuk do t’ia dijë për arritjet e nxënësve? Kur në një klasë të 6-të si kurrë ndonjëherë këto vite ka jo pak nxënës që nuk dijnë ende tabelën e shumëzimit dhe kjo jo për faj të fëmijëve ?! A mund të heshtësh kur nxënësi të dridhet bashkë me ty teksa bën mësimin pa ngrohje në ditët më të ftohta dhe deklarohet se kemi ngrohje, punon kaldaja?! A mund të heshtësh ku në një shkollë të kryeqytetit nuk ke një tavolinë dhe karrige mësuesi ose ajo të bie mbi këmbët e tua me muaj të tërë dhe askush nuk do t’ia dijë?! A mund të heshtësh kur tualetet e shkollës mbushen me nxënës që lenë orët e mësimit dhe askush nuk do t’ia dijë?! A mund të heshtësh kur jepen dëftesa që prodhojnë analfabetë nëpërmjet mosvënies së mungesave?! A mund të heshtësh kur vetë drejtori abuzon në vijueshmëri me orën e mësimit ?! A mund të heshtësh kur siguria në shkollë është për të vënë duart në kokë?! A mund të heshtësh kur psikologu i shkollës nuk ka një ambjet pune më vete dhe ambjentet në shkollë keqpërdoren?! Kur të ardhurat nga “Bordi i shkollës“ nuk dihen ku shkojnë dhe për to nuk ka një transparencë qoftë dhe formale?! A mund të heshtësh kur nxënësit lihen në klasë pa mësim nga vetë drejtuesit që i drejtohen kafeneve në vend të mësimit?! A mund të heshtësh kur kryefjala është nënshtrimi i çdo mësuesi, ulja e autoritetit të tij?! Amund të heshtësh…?! A mund !!?
Lufta ndaj meje në vitin shkollor 2016 -2017, nga drejtuesit u fokusua duke i kërkuar kolektivit peticion për largimin ndaj të cilit filluan presione, për të justifikuar veten dhe bashkëpunëtorët në problematika dhe shmangur vemendjen e institucioneve më të larta nga problemet e ngritura nga unë. Ndërsa DART dhe drejtori e zv.drejtori me grupin e tij po mendonin si e si të më, “shtypnin”, injoronin e më pas largonin, unë u përzgjodha nga komisioni në vendin e parë në konkursin për drejtor shkolle në shkollën “Emin Duraku”, sipas pikëve të dosjes, paçka se nuk u zgjodha si drejtuese e saj nga titullarja e DART, kuptohej shkaku. Hakmarrja për kritikat u përforcua me atë për kërkesat dhe rikërkesat e shumta drejtuar DART dhe drejtorit të shkollës për pagesën e orëve suplementare të prapambetura.
Kështu në këtë shkollë vendin e komunikimit të hapur po e zinte bindja dhe rreshtimi. Në shkollë po krijohej një mjedis nxitës të pasigurisë. Korrektësia dhe parimet e mia nuk më linin të heshtja ndaj kësaj klime të krijuar në shkollë, ndaj problemeve shqetësuese, ku prekej dinjiteti i mësuesit dhe i nxënësit me arritjet e tyre. Po kujt i pëlqente kjo kauzë?! Kësisoj fillova të punoj në një presion psikologjik të paparë, me sa duket çdo sugjerim që jepja, çdo problem që ngrija personalizohej nga titullarët sepse vetëm në këtë mënyrë justifikonin “llumin” ku ishin futur. Pas votimit të drejtuesve nga kolektivi, “errësira” në shkollë filloi të rritej, mashtrimi gjithashtu. Çdo gjë e mbrapshtë pranohej nga të gjithë me heshtjen, madje edhe dhuna ndaj fëmijëve. Unë si korrekte dhe rezistente në dinjitet mbeta si një “qiri i izoluar”, madje përtej gardhit të shkollës. Provokimeve të shumta në këto 4 vitet e fundit, i jam përgjigjur me qetësi dhe durim të madh, shpesh duke shkelur mbi autoritetin tim kam shmangur përplasjet e dhunshme – qëllimi për të cilin bëheshin të gjitha provokimet dhe intrigat.
Në vitin mësimor 2018-2019 vit ku u finalizua hakmarrja, jam hasur cdo ditë me provokime dhe intriga të shumta por ndryshe nga herët e tjera, në qendër të këtyre provokimeve dhe lojërave kanë qenë të shumëpërdorur nxënësit, veçanërisht nxënës të klasës ku u gatua sajesa.
Në muajin shkurt 2019 iu drejtova “Bashkëqeverisjes” ku shpreha shqetësimin e sorollatjes time 4-vjeçare, deri në tallje për një ankesë në lidhje me disa orë të papaguara prej 4 -vitesh nga ana e ish Drejtorisë Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë edhe pse unë kisha dërguar kërkesa dhe rikërkesa tek kjo e fundit dhe tek drejtori shkollës. Por sapo bëra ankesën, nuk po lihesha e qetë të bëja punën dhe kjo mungesa e qetësisë rritej në vijim të komunikimit me bashkëqeverisjen. Këto shqetësime ia bëra të ditur dhe kësaj të fundit ku ndër të tjera përveç pagesës së orëve kërkova : ”të lihem të punoj e qetë sepse po kërkoja të drejtën time.” Besova tek ideja e kryeministrit mbi “Platformën e Bashkëqeverisjes”, duke besuar tek vlerat e komunikimit të hapur, jo nga naiviteti por dëshira për të qenë kështu, sigurisht nëse do të veprohej siç pretendohej. Në momentin që unë prisja përgjigjen në vijueshmëri të komunikimit në javën e parë të prillit, pa kaluar asnjë javë e plotë nga emali i çuar në Bashkëqeverisje, si hakmarrje por edhe për vetëshpëtim DART-i dhe drejtoria e shkollës planifikuan sajën për largimin tim nga puna duke finalizuar atë që kishin projektuar me kohë dhe çuditërisht “Bashkëqeverisja” heshti duke e mbyllur komunikimin. Dukshëm që “nyjet” në arsim janë shumë më të forta se “Bashkëqeverisja“ e cila me apo pa dëshirë heshti. Të errësuar sytë nga hakmarrja por njëkohësisht për të shpëtuar veten nga dallaveret e bëra, “Grupi i strukturuar“ kishte bërë sajesën pas krahëve të mija. Sajesa e realizuar si një teatër, mjeshtërisht me përfshirjen e asaj pjesë që ata e mendojnë naivë dhe duke siguruar heshtjen tek pjesa tjetër që nuk e budallepsnin dot. Kjo sajesë nuk ishte një fantazi e momentit, por e projektuar me kohë në një klasë ku ishte bërë një farë parapërgatitje. Heqja ime është bërë në mënyrë të fshehtë prej meje, pa patur dijeni unë as për atë që pretendohej dhe as procedurat që janë ndjekur, shkelje haptazi e ligjit nga të dyja palët. Nëse vërtet ishte situata siç e parashtronin ata përse nuk më largoi menjëherë por e zgjati një muaj…përse nuk më denoncoi në polici? Habia ime dhe çdokujt që e kupton sadopak situatën është si paskam punuar unë një muaj pas sajesë, kur pas krahëve të mija manipuloheshin nxënësit për të mbushur raporte për ta bërë të besueshëm largimin tim!!
Tendenca e drejtorit të paditur, vegël në duart e nëndrejtorit hakmarrës ndaj meje, ka qenë që të paraqiste rastin si refuzim procedurash. Pas kësaj, grupi i strukturuar me emrin “Të zhdukim Fitneten se ndryshe na njohu gjithë Shqipëria se cilët jemi” u zgjerua duke përfshirë dhe punonjës të policisë së shtetit. Sjellja e tyre kundrejt meje për rastin në fjalë ishte një sjellje aspak profesionale, etike dhe çnjerëzore. A mund të bashkohet në këtë lojë të ndyrë një institucion i cili në thelb ka sigurinë e njerëzve dhe jo cënimin e tyre?! Jam mbajtur rreth dy orë në sallën e mësuesve, aty ku unë po korrigjoja punët e nxënësve në orët pushim, e rrethuar nga policë të cilët hyn në sallë të pashoqëruar nga ndonjë drejtues. Nëse qëllimi i tyre ishte marrja ime në komisariat përse nuk më morën menjëherë, qoftë dhe me forcë?! Përse erdhën në shkollë dhe jo në banesën time siç erdhën më pas; Mesa duket ky ishte një nga qëllimet e drejtorit i cili luante rolin e të paditurit për ardhjen e tyre – “dhënia e urdhrit nga ana e policisë”, se drejtori nuk e shihte veten të aftë për të ma dhënë ashtu siç duhej. Ndërsa unë rrija e rrethuar me polic në sallën e mësuesve (ata nga fundi filluan të shfajësoheshin se ashtu kishin urdhër të më mbanin në sallë), drejtori dhe zv.drejtori gëzonin në kafen përballë sallës, jashtë shkollës. Qëllimi i tyre realisht ishte ulja e autoritetit dhe integritetit tim në shkollë dhe në komunitet i cili shihte që dy makina me policë futen në shkollë, gjë e cila nuk kishte ndodhur kur ka patur raste skandaloze që mbylleshin pa u kuptuar ndërsa mbi një sajesë u realizua një teatër i cili ishte një kërcënim për të gjithë. Qëllimi tjetër i këtyre skenave ishte, dhënia e mesazhit për mësuesit, nxënësit dhe komunitetin -“ kush ngre zërin ndaj padrejtësive, ne i bëjmë gjëmën” duke harruar që ky veprim nxit frikën tek fëmijët të cilët kur hyra në klasë i gjeta të shokuar, sepse edhe ata dijnë të bëjnë diferencën e së drejtës nga mashtrimi. Pas mësimit iu drejtova komisariatit të policisë ku mësova që isha larguar nga puna dhe për çfarë po akuzohesha.
Më larguan mua padrejtësisht dhe “banda” sot ndihet “fitimtare”, por me frikën që kur të kalojë pak kohë, prindri që u përdor nga frika apo dhe me ndonjë mënyrë joshje të momentit “nesër” do t’i gjykoj; ato pak nxënës që u përdorën nga frika do ti gjykojnë madje dhe urrejnë këta drejtues për këtë keq edukim deri në deformim të personalitetit të tyre. Për momentin kolektivit nuk ia kanë frikën sepse i votuan si “lider”, por edhe nëse ndokush do të dojë të flas nuk e lë ambienti, sepse në një ambient ku normaliteti kish marrë udhën duke u fokusuar tek lufta ndaj një personi të projektuar nga grupi, të gjithë filluan të ndiheshin mirë në këtë antinormalitet dhe aty filloi të mbizotëroj frika, jo arsyeja. Në vetvete e bindur se një pjesë të mirë i vret ndërgjegjja madje edhe ndonjë nga ata që kanë firmosur ndonjë procesverbal të rrem. Unë fola ndaj çdo gjejë të mbrapshtë në shkollë e më gjerë, sugjerova zgjidhje, kërkova kushte pune, mbrojta dinjitetin tim dhe të asaj pjese që nuk guxojnë të flasin dhe të fëmijëve; fola dhe për ata prindër që nuk mundën të flasin për mirë arsimimin e fëmijëve të tyre. Fola për një arsim cilësor.
Në gjithë eksperiencën time 30 vjeçare si mësuese kam parë situata të ndryshme por një ambient dhe një situatë si ajo që kam parë në shkollën “Marie Logoreci” këto vitet e fundit më ka bërë të më vij turp nga vetja që isha mësuese e kësaj shkolle dhe që profesioni i nderuar i mësuesit në këtë shkollë nuk ka më vlerë. Këtë gjë e kam shprehur hapur në shkollë me fjalinë “më vjen turp që jam mësuese e kësaj shkolle që e keni degraduar Ju – drejtori dhe zv drejtori-ish drejtor”. E gjitha kjo ka lidhje me drejtimin e shkollës dhe aspak me komunitetin e shkollës dhe nxënësit, siç do të përpiqen t’a deformojnë drejtuesit… Përpos këtyre çka shpreha më lartë ka shumë e shumë për të ditur, por e shtrembëruar ose jo e vërteta mbetet e vërtetë… dhe fjalën nuk ma ndalojnë dot.