The Economist: Të gjitha qeveritë po luftojnë, por disa reaguan më shpejt se të tjerët
Për të kuptuar se çfarë na pret le të shikojmë në Lombardi, rajonin e pasur Italian, zemra e shpërthimit të covid-19 në Evropë. Spitalet e saj ofrojnë kujdes shëndetësor të klasit botëror. Deri javën e kaluar ata menduan se do të përballen me sëmundjen. Po kur radhët e njerëzve me pneumoni filluan të shtoheshin, mbaruan ventilatorët dhe oksigjenimi, stafet u rraskapitën dhe në disa spitale janë detyruar të përzgjedhin pacientë për trajtim. Për të tjerët…
Pandemia, që deklaroi zyrtarisht OBSH këtë javë, po përhapet shpejt, me gati 45,000 raste dhe gati 1.500 vdekje në 112 vende jashtë Kinës. Epidemiologët vlerësojnë se Italia është një ose dy javë përpara vendeve tjera si Spanja, Franca, Amerika dhe Britania. Vende më pak të lidhura, si Egjipti dhe India, janë më larg, por jo shumë.
Pak prej udhëheqësve politikë të sotëm janë përballur me ndonjë gjë si pandemia dhe pasoja e saj ekonomike – megjithëse disa prej tyre po sjellin në kujtesë krizën financiare të 2007-09. Ndërsa po del në pah se sistemet shëndetësore po lodhen dhe vdekjet do të rriten, udhëheqësit më në fund po pajtohen me faktin se janë në fillim të stuhisë. Tre faktorë do të përcaktojnë suksesin në këtë përballje për çdo vend: reagimet ndaj pasigurive; struktura dhe kompetenca e sistemeve shëndetësore përkatëse; dhe, mbi të gjitha besueshmëria tek politika.
Pasiguri ka shumë. Njëra është se sars-cov-2 dhe sëmundja që ai shkakton, covid-19, nuk janë kuptuar ende plotësisht. Një tjetër është statusi i pandemisë. Në secilin rajon ose vend, ajo ka tendencë të përhapet me shpejtësi që nuk dihet. Në kohën kur testimet zbulojnë raste në një vend, virusi ka mbërritur në shumë të tjerë, siç ndodhi në Itali, Iran dhe Korenë e Jugut. Koha kur qeveritë mbyllën shkollat dhe ndaluan grumbullimet mund të ketë qenë shumë vonë.
Zgjidhja e Kinës qe të impononte një karantinë brutale, të përforcuar nga testime në masë dhe gjurmime të kontakteve. Kjo pati një kosto të lartë njerëzore dhe ekonomike, por infeksionet e reja janë zvogëluar. Këtë javë, në një xhiro të fitores, Presidenti Xi Jinping vizitoi Wuhanin, ku u shfaq për herë të parë pandemia. Megjithatë, pasiguria edhe në Kinë vazhdon, sepse askush nuk e di nëse do të ketë një valë e dytë infeksionesh pasi karantina të lehtësohet.
Në demokraci udhëheqësit duhet të peshojnë nëse njerëzit e tolerojnë regjimin e ashpër të izolimit dhe mbikëqyrjen si në Kinë. Bllokimi i Italisë është kryesisht i vetë-policuar dhe nuk cënon shumë të drejtat e njerëzve. Por nëse nuk ka rezultatin e Kinës, mund të jetë pothuajse aq i shtrenjtë dhe shumë më pak efektiv.
Efektiviteti gjithashtu varet nga struktura dhe kompetenca e sistemeve të kujdesit shëndetësor. Ekziston një hapësirë e jashtëzakonshme për mesazhe të gabuara dhe udhëzime në kundërshtim me testimet dhe kur duhet të qëndroni të izoluar në shtëpi. Çdo sistem shëndetësor do të mbingarkohet. Vendet ku njerëzit marrin shumë pak kujdes shëndetësor, përfshirë kampet e refugjatëve dhe lagjet e varfëra, do të jenë më të rrezikuarit. Por edhe spitalet me burime më të mira në vendet e pasura nuk janë jashtë rrezikut. Sistemet universale si Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Britani mund ta kenë më të lehtë mobilizimin e burimeve dhe përshtatjen e rregullave dhe praktikave krahasuar me sistemet e fragmentuara, private që duhet të shqetësohen se kush paguan kë dhe se kush është përgjegjës për çfarë. SHBA, përkundër pasurisë dhe përsosmërisë së shkencës së saj mjekësore, përballet me pengesa. Sistemi i privat është i optimizuar për trajtimet përkundër pagimit të tarifave. 28 milion njerëz të pasiguruar të Amerikës, 11 milion imigrantë të paligjshëm dhe një numër i panjohur jashtë sistemit, kanë arsye për të shmangur testimet ose izolimin. Mungesa e tamponëve ka vonuar fatalisht testimet e duhura.
Një faktor i tretë është besueshmëria. Besimi u jep liderëve licencën për të marrë vendime të vështira në lidhje me karantinat dhe distancimin social, përfshirë edhe mbylljen e shkollave. Në Iran qeveria, e cila ka qenë prej kohësh jopopullore, dyshohet gjerësisht se fshehu vdekjet dhe rastet e prekura. Kjo është një arsye që klerikët rebelë mund të refuzojnë të mbyllin faltoret, edhe pse përhapin infeksion. Asgjë nuk i nxit më shumë thashethemet dhe frikën se sa dyshimi se politikanët po fshehin të vërtetën. Kur ata minimizojnë kërcënimin në një përpjekje të gabuar për të shmangur panikun, ata përfundojnë të mbjellin konfuzion që kushton jetë. Sidoqoftë, udhëheqësit janë përpjekur të pajtohen me pandeminë dhe të flasin për të. Presidenti Donald Trump, në veçanti, është larguar nga një optimizëm i pabazuar për të sulmuar armiqtë e tij. Këtë javë ai njoftoi një ndalim prej 30 ditësh për pjesën më të madhe të udhëtimeve nga Evropa që do të bëjë pak për të ngadalësuar një sëmundje e cila tashmë ka kohë që qarkullon në Amerikë. Ndërsa njerëzit do të shohin vdekjen e miqve dhe të afërmve, ai do të kuptojnë se pandemia nuk është një komplot nga të huajt, demokratët apo CNN.
Çfarë duhet të bëjnë politikanët? Secili vend duhet të gjejë ekuilibrin e vet midis përfitimeve që sjell gjurmimi i sëmundjes dhe ndalimeve të grumbullimeve (distancimi social). Koreja e Jugut dhe Kina treguan fuqinë e tyre në të dhëna të mëdha nga testimi masiv, si një mënyrë për të identifikuar rastet dhe për të kufizuar përhapjen e tyre. Qeveritë gjithashtu duhet ta kishin parashikuar pandeminë, sepse veprimet për të ngadalësuar përhapjen e saj, me distancim social, janë efektive nëse merren në kohë.
Shembulli më i mirë se si të përgjigjemi është Singapori, i cili ka pasur shumë më pak raste nga sa pritej. Falë një burokracie efikase në një territor të vërtet të vogël, kujdesit shëndetësor universal të klasit botëror dhe mësimeve të nxjerra nga sars, epidemi e një virusi të ngjashëm në 2003, Singapori veproi herët. Qeveria qe në gjendje të marrë masa të vështira me pëlqimin e publikut sepse mesazhi i saj ka qenë i qëndrueshëm, i bazuar në shkencë dhe i besueshëm.
Në Perëndim covid-19 është një sfidë për gjeneratën e politikanëve që kanë marrë pushtetin që nga kriza financiare. Shumë prej tyre e kundërshtojnë globalizimin. Aty lulëzon përçarja dhe konflikti. Në një farë mënyre, pandemia ndikon në axhendën e tyre. Vendet mund të ndjekin Amerikën dhe të kthehen brenda apo edhe të mbyllin kufijtë e tyre. Industritë mund të tërhiqen nga globalizimi, edhe pse prej tij fitonin më shumë mbështetje duke diversifikuar zinxhirët e tyre të furnizimit.
Nga ana tjetër, pandemia gjithashtu i vendos mjekët, shkencëtarët dhe ekspertët e politikave edhe një herë në zemër të qeverisjes. Pandemitë janë çështje globale. Vendet duhet të punojnë së bashku në protokollet e trajtimit, terapitë dhe, shpresohet edhe një vaksinë. Votuesit e trembur kanë më pak dëshirë për betejën teatrale të politikës bipartizane. Ata kanë nevojë që qeveritë e tyre të merren me problemet reale me të cilat përballen – kjo është ajo që politika duhet të bëjë përgjatë gjithë kësaj kohe.