Aktorja e njohur, Olta Gixhari, ka pranuar se është në një lidhje dashurie dhe se këtë vit do t’i japë fund beqarisë. E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në “Tv Klan”, e gjendur përballë pyetjeve të fëmijëve se nëse ka dëshirë të lindë një fëmijë, ajo u përgjigj pozitivisht. Më tej, Alketa Vejsiu e ka pyetur nëse e ka gjetur “fatlumin” dhe Olta me një buzëqeshje në fytyrë u shpreh se e ka gjetur. Ajo ka treguar planet për shtimin e familjes, duke rrëfyer se dëshiron të ketë një vajzë dhe një djalë.
“E keni gjetur fatlumin?”, është pyetur aktorja, e cila e ka pohuar. Më pas Alketa Vejsiu vuri re unazën në dorën e saj dhe e ka e pyetur nëse është nga partneri.
“Pak a shumë, në ato ujëra jemi”, u përgjigj Olta, duke treguar se ajo dhe partneri po mendojnë të martohen.
Kjo ishte hera e dytë që aktorja e njohur flet për djalin që i ka rrëmbyer zemrën, identitetin e të cilit preferon ta mbajë edhe për pak kohë sekret. Hera e parë që foli për të ishte gjatë emisionit “Siluetë” të motrës së saj, Gerta Gixhari.
Aktorja zbuloi detaje nga lidhja e saj duke përshkruar të dashurin. Olta tha se ai ka një ekonomi mesatare dhe jo i pasur, duke u shprehur se ka zgjedhur dashurinë në vend të parave. Gjithashtu, shtoi se partneri i saj nuk është artist, pasi nuk do lidhej kurrë me një të tillë.
“Po. Mendoj se kam rënë në një gjendje shpirtërore shumë të rehatshme dhe në një lumturi do të thosha unë. Është me flokë, as brun, as biond. Për mua ka shumë rëndësi të bie në dashuri, sepse nuk jetoj dot me të se fillon më bezdis mënyra si ha, mënyra si i jep makinës, më jep stres të madh. Nuk dua ta stresoj veten time. Jam duke jetuar me një djalë që është me ekonomi mesatare dhe që përpiqemi t’ia dalim të dy dhe ndihmojmë njëritjetrin. Nuk është artist, nuk do lidhesha asnjëherë me një artist”, tha ajo.
Ndërkohë, burime pranë artistes kanë treguar se Olta ka nisur përgatitjet për dasmën, një ceremoni krejtësisht private dhe shumë shpejt të vendoset në Spanjë, vendi ku jeton djali shqiptar, me të cilin ajo po shijon këtë lidhje në distancë.
Vitin e kaluar, aktorja e njohur vendosi të hiqte dorë nga jeta hermetike, për t’u hapur disi në çështjet e zemrës. Ajo zbuloi për të gjithë se nuk është më beqare, ndërsa shfaqej në një video duke kërcyer me bikini. Ajo publikoi videon, ku dukej shumë e lumtur dhe tregonte se ia ka bërë i dashuri.
“E bërë nga dashuria ime”, shkruante Olta sipër videos, ku shihej e lumtur si në qiellin e shtatë duke shijuar pushimet me njeriun e saj të zemrës. Direkt nisën aludimet se aktorja ishte duke shijuar një histori të bukur dashurie, por marrëdhënien e saj kishte vendosur ta mbante larg mediave.
Gjithsesi, më vonë e konfirmoi se videoja ku shfaqej mjaft tërheqëse ishte shkrepur nga partneri i saj. Aktorja po e shijon historinë e saj të dashurisë larg syrit të mediave dhe thashethemeve, por për identitetin e partnerit të saj duket se do të na duhet të presim edhe pak. Kujtojmë që në një nga intervistat e fundit, Olta dha një deklaratë kontroverse në lidhje me marrëdhëniet në çift.
“E urrej barazinë gjinore. Dua një burrë që të më bëjë të ndihem femër”, ishte deklarata e saj, ku fliste për ëndrrën që ka për njeriun që do të ndajë jetën.
“Unë i respektoj shumë rregullat e femrës. Nuk më pëlqen barazia gjinore. E urrej barazinë gjinore. Ne duam barazi gjinore të shtrembër. E duam, por lekët burrit ia marrim. Lëre se çfarë themi ne, por çfarë ndodh përreth. E duan, por i pyesin për lekët te banka. Unë dua një mashkull që të jem e varur nga ai jo vetëm financiarisht, por për çdo gjë. Unë kam dëshirë të ndihem femër. Sot janë ngatërruar këto gjëra, po ndërrohen pozicionet, s’po merret vesh kush është femër, kush është mashkull”, është shprehur Olta, duke treguar kështu se ajo ka nevojë të ketë në krah një mashkull, që për shembull, ta shoqërojë kur del, ta ndiejë pranë vetes në çdo moment.
Po sa i përket karrierës, ç’po ndodh me Oltën? Ajo sapo ka shijuar një rol të bukur në kinema, në filmin “Love”, ndërkohë që paralelisht me aktrimin menaxhon biznesin e saj, një kompani “real estate”. /Panoramaplus.al