Komisioneri Publik këmbënguli në shkarkimin e Arben Dollapajt në seancën e fundit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ndërsa Dollapaj kërkoi të rikonfirmohej ndërsa i cilësoi akuzat ndaj tij të pabazuara dhe barrën e provës jopropocionale.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi mëngjesin e të enjtes parashtrimet përfundimtare të palëve në çështjen e ngritur nga Komisioneri Publik, ndaj prokurorit anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Arben Dollapaj.
Komisioner Florian Ballhysa lexoi pesë faqe parashtrime duke vënë në dukje që në fillim që qëndrimi i tij nuk kishte ndryshuar nga kërkesa fillestare dhe se subjekti nuk kishte sjellë prova për të përmbysur barrën e provës dhe se duhej të shkarkohej. Ballhysa vuri në dukje se për çështjet e ngritura, përfshi shtëpinë në Tiranë, një banesë në Valbonë, huatë dhe dhuratat nga të afërm Dollapaj kishte bërë “deklarim të pamjaftueshëm”, ndërsa përfitimi prej tij i një kredie të butë kishte cënuar etikën e magjistratit.
Në krahun tjetër avokati i Dollapajt, Viktor Gumi lexoi 16 faqe kundërshtime. Gumi u fokusua të vinte në dukje se megjithëse kishte vendime të Gjykatës së Strasburgut që ofronin mbrojtje proceduriale, ndaj kërkimeve të Komisionerit për ngjarje të ndodhura vite më parë, Dollapaj kishte përmbushur çdo kërkesë në proces dhe nuk kishte parashtruar kundërshtime të tilla. Gumi tha se provat e sjella kishin qenë të mjaftueshme dhe se disa nga kërkimet e Komisionerit Publik ishin lehtësisht të verifikueshme.
Prokurori i Apelit në Shkodër Arben Dollapaj u konfirmua në detyrë në 6 gusht 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe më pas u zgjodh anëtarë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por konfirmimi i tij u kundërshtua nga Komisioneri Publik me pretendimin se hetimet në kriterin e pasurisë sa i përket një ndërtese tre katëshe në Tiranë dhe një ndërtese në Valbonë nuk kishin qenë të plota.
KPA rihapi hetimin mbi këto çështje dhe ka administruar një sërë provash të reja nga subjekti dhe nga disa institucione. Dollapaj është anëtari i katërt prokuror i KLP që i nënshtrohet Apelimit. Më herët ne një vendim të debatuar Kolegji shkarkoi prokuroren Antoneta Sevdari. Po ashtu u shkarkua prokurori Gentjan Osmani dhe sëfundmi edhe prokurori Besnik Cani.
Çështja e shtëpisë në Valbonë
Komisioneri Publik u fokusua gjatë në problemet sipas tij të shtëpisë së ndërtuar nga Dollapaj, i vëllai dhe e motra në Valbonë. Komisioneri vuri në dukje disa probleme për këtë ndërtim, përfshi dyhsimet se leja për të nuk ishte e rregullt dhe po ashtu edhe dyshimet se ajo ishte përdorur si bujtinë dhe nuk ishte deklaruar.
Thelbësisht Komisioneri këmbënguli se nga provat e administruar mbetej e paqartë vlera e investimit. “Nga gjendja e akteve të administruara, referuar përmbajtjes së deklaratave periodike2 , D-Vett. dhe dokumentacionit të paraqitur nga vetë subjekti në këtë gjykim, rezultojnë vlera të ndryshme investimi për këtë aset”, tha Ballhysa.
Ai këmbënguli se mosprovimi i shumave të shpenzuara në këtë ndërtim rëndonin mbi subjektin dhe kundërshtoi qëndrimet e Dollapajt se nuk kishte pasur detyrim të ruante dokumentacionin. Komisioneri tha se prokurori gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe se nuk kishte sjellë prova për të treguar as burimin e ligjshëm të të afërmve bashkëinvestitorë. Ballhysa këmbënguli se deklarimet e Dollapajt nëse banesa ishte përfunduar apo ishte ende në ndërtim ishin kontradiktore.
Në anën tjetër avokati Gumi, këmbënguli se gjithçka çfarë mund të provohej prej Dollapajt i ishte vënë në dispozicion KPA. Gumi këmbënguli se pretendimet që ndërtesa ishte e përfunduar ishin krejt të pabaza, ndërsa tha se kishte video, foto dhe akt ekspertimi që provonte qëndrimi e Dollapajt.
Gumi tha se mungesa e dokumentacionit rëndonte mbi komunën Margegaj dhe se ndaj kësaj të fundit pikërisht për shkak të zhdukjes së dokumenteve mbi lejet e ndërtimit kishte një hetim të papërfunduar në Tropojë. Ai këmbënguli se pasuritë e vëllait dhe motrës ishin provuar përtej dyshimit.
Gumi po ashtu kundërshtoi pretendimet mbi lejen dhe tha se ligji që i referohej Komisioneri Publik nuk kishte qenë në fuqi në kohën që ishte marrë leja dhe se dosja e dorëzuar nga Dollapaj ishte e mjaftueshme për të treguar që ndërtimi ishte miratuar nga institucionet që kishin tagër vendimmarrës.
Shtëpia në Tiranë
Palët po ashtu ndanë qëndrime të njëjta mbi shtëpinë në Tiranë. Komisioneri nuk e përmendi në parashtrim numrin e kateve të ndërtesës, që ishte ngritur në Kolegj pas një denoncimi publik, por vuri në dukje se kishte dyshime që Dollapaj nuk kishte pasur burime të ligjshme për 1.9 milion lekë investim në këtë shtëpi.
Po ashtu Komisioneri vuri në dyshim marrjen e kredisë së butë, duke pretenduar se ndërtimi kishte përfunduar para se kjo kredi të lëvrohej dhe se Dollapaj nuk kishte qenë i pastrehë.
Sipas Komisionerit Dollapaj nuk kishte deklaruar në deklaratën veting burimin e krijimit të kësaj pasurie për shumën prej 9 milion lekësh dhe nuk kishte provuar burimin e ligjshëm të huasë 25 mijë dollarë nga kunati.
Përndryshe avokati Gumi iu rikthye kërkimit fillestarë mbi numrin e kateve duke thënë në seancë se kjo kishte qenë lehtësisht e verifikueshme dhe se nuk duhej të ishte shtruar si çështje. Gumi nga ana tjetër këmbënguli në ligjshmërinë e kredisë së butë dhe pretendoi se ajo ishte marrë para përfundimit të shtëpisë, që ai tha se kishte qenë në atë moment në kushte karabinaje.
Gumi po ashtu kundërshtoi pretendimet e Ballhysës mbi mungesën e të ardhurave dhe mungesën e burimeve të ligjshme, duke këmbëngulur se huadhënësit kishin provuar burimin e ligjshëm të pasurisë, se paratë kishin ardhur përmes transfertave bankare dhe se huadhënësit ishin në gjetje mjaft të mirë ekonomike në SHBA dhe me pasuri që kalonte dhjetra herë vlerën e huasë. Ai tha se ishin sjellë në KPA dokumente bankare dhe kontrata të kompanive të kunatit dhe motrës së Dollapajt që provonin burimin e pasurisë së tyre dhe po ashtu qëndrime nga autoritetet e taksave në SHBA, që dëshmonin se ata ishin taksa pagues të rregullt.
Kërkimi përfundimtar
Komisioneri Publik këmbënguli në seancën e fundit se veç dy mijë dollarëve të dhuruara nga mbesa asnjë prej të afërmve të tjerë nuk provojnin se kishin burim të ligjshëm për dhuratat dhënë Dollpajat.
Komisioneri tha po ashtu se për dhuratat e marra nuk ishin paguar detyrimet tatimore.
Avokati Gumi e kundërshtoi këtë arsyetim ndërsa vuri në dukje se disa prej kërkesave të Komisionerit ishin jo serioze, ndërsa pretendohej se vjehrri i Dollapajt nuk kishte të ardhura për të dhuruar 200 euro apo që një universitet privat nuk kishte paguar 52 dollarë taksa për leksionet që Dollapaj kishte dhënë atje.
Gumi po ashtu pretendoi se motrat e subjektit kishin të ardhura të mjaftueshme në SHBA dhe se kjo ishte e provuar, nga bizneset e tyre punët që kishin bërë dhe se dokumente për këtë i ishin dorëzuar Kolegjit.
Në fund Komisioneri kërkoi shkarkimin e Dollapajt, duke këmbëngulur se ai kishte bërë “deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë” dhe kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”, kjo në lidhje me përfitimin e kredisë së butë.
Nga ana e tij Gumi kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së. Vetë Dollapaj tha në fund se kishte punuar me ndershmëri dhe korrektësi dhe se ndihma e familjarëve të tij ia kishte mundësuar të punonte i pavarur. “Nuk mund të them që jam i pasur apo i varfër, por kam pasur mundësi (financiare) për të bërë punën time me ndërshmëri dhe korrektësi dhe duke zbatuar ligjin”, tha Dollapaj. Kolegji u tërhoq për vendimmarrje, që do të njoftohet më 12 mars në orën 10.00.
/Reporter.al/