Nga Fliri Mosho
Në debatin e ditëve të fundit ka dy çështje që lidhen me tregun e sigurimeve. Rritja e papritur me 20 përqind e çmimit të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve dhe nga ana tjetër ideja e hedhur për vendosjen edhe të banesave në skemën e sigurimit të detyrueshëm.
Dy nisma që vështirë se mund të mbrohen me ekspertizë edhe veç e veç. Imagjino që AMF do të duhet ti mbrojë të dyja bashkë.
Përpara se të nisja këtë shkrim, kërkova që të gjej ndonjë përgjigje, apo të paktën ndonjë paralajmërim (për sa ndodhi me çmimin e policave, apo për sa pritet të ndodhë për sigurimin e ndërtesave), në raportin vjetor të Autoritetut të Mbikqyrjes Financiare, (në anglisht FSA dhe për dreq, njësoj me inicialet e autoritetit mbikqyres Londinez). Nuk gjeta asgjë! AMF flet vetëm për arritje të veta! Do vi më poshtë të analizoj edhe arritjet e AMF në kurriz të konsumatorëve, por po nis me rritjen 20 përqind të çmimit. Pse u rrit çmimi? Dhe pse 20 përqind e jo më pak apo më shumë? Këtë përgjigje nuk e jep AMF! Nuk e dha as në prononcimet e veta të ditëve të fundit. Do të ish e llogjikshme kjo rritje, nëse raporti prime-deme do të justifikonte rritjen e çmimit, duke argumentuar që dëmet nuk po shlyhen në masën 20 përqind, ndaj që të arrihet optimalja, atëherë duhen rritur çmimet 20 përqind…. Por jo!
Raporti prime-deme është shumë larg niveleve mesatare, (edhe të vendeve të tjera në zhvillim, ku përfshihet Shqipëria) e jo më të flasim për shlyerje optimale të dëmeve të ngjarjeve me pasojë sigurimin.
Pse të gjitha kompanitë e sigurimit si me komandë e rriten të gjitha në unison çmimin dhe të gjitha 20 perqind? Amf nuk përgjigjet! Dhe AMF është mbikqyrësi. Është autoriteti që paguhet nga gjithë shqiptarët për të mbikqyrur investimin e vet tek kompanitë e mbikqyrura nga AMF. Tani paralelisht me këtë rritje del dikush dhe në kaosin e reformave të qeverisë hedh idenë e vendosjes në sigurim të detyrueshëm edhe të objekteve të banimit…
Skema e sigurimit të detyrueshëm ka një llogjikë nga pas. Nuk është teksti i shkruar pas çdo ëndrre vere! Automjetet janë në skemën e sigurimit të detyrueshem sepse kur bëjnë dëm, dëmtojnë të tretë, nuk dëmtojnë veten.
Skemat e investimeve në pasuri të paluajtshme, apo të kreditimit të pasurisë së paluajtshme, janë në skemën e sigurimit të detyrueshëm, sepse nëse ndodh demi, dëmtohen të tretë, (banka, individë etj).
Por të thuash që “meqë Shqipëria është zonë me rrisk të lartë sizmik, do e bëj të detyrueshëm sigurimin e çdo ndërtimi nga tërmetet, përfshirë banesat”, është një hap larg futjes në skeme sigurimi të detyrueshëm edhe të jetës apo shëndetit. Se njeriu ka probabilitet shumë herë më të lartë të sëmuret, sesa ta zërë shtëpia poshtë nga termeti. Fushata edukuese për rrezikun nga termeti, apo për leverdinë e sigurimit të pasurisë, janë një gjë dhe vendosja me dispozitë ligjore, vetëm sepse tani jam unë në pushtet dhe ëndrrat i shof vetë, janë budallallëk. Më tej, duke vlerësuar se ç`janë këto kompanitë, ku shteti do i detyrojë gjithë shqiptarët të hedhin paratë, atëherë dispozita bie erë. Dhe bie erë të qelbur edhe akoma pa u shkruar si tekst 9…
Sepse pasi po miratohet në heshtje nga mbikqyresi dhe nga gjithë shteti, rritja të paktën me 20 % e pagesave për kompanitë e sigurimit, tani po u thuhet “bëni gati thesin se të tjera do vijnë”. Nuk pati asnjë reagim, asnjë masë, asnjë verifikim nga AMF apo nga shteti, se pse heqja e TVSH nuk u reflektua pak kohë më parë në uljen e çmimit të policave. Tani jo vetëm që asnjë ulje, por rritje 20%. Dhe 20% nuk është pak. Është 1/5 e çmimit. Duke lexuar raportin e AMF në fakt e gjeta një arritje…!
AMF në 2015 ka rritur………. të ardhurat!? AMF raporton se të ardhurat janë 23 % më shumë krahasuar me planin! Por AMF nuk është administratë që mbledh taksa, që tani të mund të mburret me rritje të ardhurash.
Nga ana tjeter, AMF nuk është subjekt që e ushtron veprimtarinë e vet me qëllim fitimin. Autoritetet mbikqyrese aplikojnë tarifa liçencimi apo tarifa të tjera periodike mbi të lincesuarit, për të siguruar financimin e vet. Vitin e kaluar, kujtoj që AMF, pati edhe një “arritje” tjetër. Mori nga ligjvënësi të drejtën për të miratuar vetë strukturën si dhe pagat. Dhe megjithse struktura dhe pagat u frynë sipas çdo parashikimi, (fundja edhe pa na zhgenjyer në këtë pikë), paskan rritur edhe të radhurat me 23%!? Dmth shqiptarët nuk përfituan nga përjashtimi 15% i TVSH për çmimin e polices, u ndeshkuan edhe me 20 % shtese cmimi per policen dhe paskan paguar kot paradhënie edhe 23% për AMF??? Dhe jo vetem kaq! Nëse AMF nuk miraton urgjentisht uljen e tarifave të mbikqyrjes për subjektet e mbikqyrura, pasoja do të jetë që shqiptarët do vazhdojnë të paguajnë të paktën 23 % më shumë sesa nevojat e AMF, sa herë që kontaktojnë kompanitë e sigurimit për çdo sigurim të detyrueshëm edhe në të ardhmen. Them 23%, sa kohë që AMF nuk vendos t`i rrisë tarifat, se atëhere kjo perqindje do jetë edhe më e lartë.
Tani po na thonë që duhet të sigurohemi me detyrim edhe nga tërmeti! Dikush në shtyp ka lancuar edhe shifrat konkrete, por unë nuk dua të abuzoj me analiza me shifra të shtypit. Më pëlqen që analizën ta bej me shifrat e vetë AMF. Mbrojtjen i takon AMF ta bëjë! Por jo kundër analizës sime! I takon të mbrohet ballë shqiptarëve investitorë. I takon që në raportet e veta vjetore të shprehet qartë dhe shkoqur se sa te sigurta janë kompanitë e sigurimit që mbikqyr. Duhet ta bëjë! Të paktën për të mos u identifikuar si “Faraoni i keq” që sundon dhe fryhet, në krye të ca piramidave të fshehura pas emrit “kompani sigurimi”. Shteti nuk mund të fshihet pas AMF! Askush nuk ndalon Ministrinë e Financave, të ndërmarrë nisma ligjore, që të zhbëjë, të paktën marrveshjet korruptive midis kompanive të sigurimit dhe AMF.