Shtatë kandidatë për emërimin e Partisë Demokrate në garën presidenciale amerikane ngjiten në podiumin e debatit të martën mbrëma në shtetin jugor të Karolinës së Jugut.
Bernie Sanders
Senatori nga shteti Vermont, Bernie Sanders ka avantazhin e fitores së jashtëzakonshme në grupet e partisë të shtunën në Nevada, së bashku me një epërsi në numrin e përgjithshëm të delegatëve që kandidatët duhet të grumbullojnë në mënyrë që të zgjidhen për të kandiduar përballë Presidentit Donald Trump në nëntor.
Statusi i kandidatit që kryeson mund ta shndërrojë një kandidat në objektiv sulmi për të tjerët në debat, por sondazhet e opinionit publik në Karolinën e Jugut mund ta kthejnë një pjesë të kësaj vëmendjeje tek ish-Nënpresidenti Joe Biden.
Joe Biden
Zoti Biden zë vendin e tretë në numrin e delegatëve pasi shënoi një vend të dytë në Nevada – rezultati më i mirë i tij deri më tani, që kur votuesit demokratë filluan këtë muaj të japin verdiktin e tyre. Anketimet e tregojnë atë si të preferuarin në Karolinën e Jugut, disa pikë përpara zotit Sanders.
Anketimet tregojnë gjithashtu mundësinë që miliarderi Tom Steyer të avancojë në garën demokrate me një nivel mbështetjeje që ai ende nuk e ka parë. Megjithëse ai nuk ka fituar ende asnjë delegat të vetëm, sondazhet e treguan atë të tretin në Karolinën e Jugut, përpara ish-kryetarit të bashkisë South Bend në shtetin Indiana, Pete Buttigieg, senatores së Masaçusets Elizabeth Warren dhe senatores së Minesotës Amy Klobuchar.
Debati i së martës nuk është vetëm një shans që kandidatët të impresionojnë votuesit në Karolinën e Jugut, por edhe në disa nga shtetet që lejojnë votimin e hershëm, duke filluar nga data 3 mars.
3 Marsi pritet të jetë një datë kryesore për votimet në 14 shtete amerikane, së bashku me territorin e quajtur Samoa Amerikane. Gjithsej vendoset për 1,357 delegatë, nga të cilët 54 janë të Karolinës së Jugut.
Megjithëse nuk gjendet në fletën e votimit në Karolinën e Jugut, ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg merr pjesë në debat. Ai vendosi të mos kandidojë në shtetet që zhvilluan zgjedhjet paraprake gjatë muajit shkurt, dhe vendosi të përqëndrohet te një fushatë masive mediatike në shtetet që votojnë në muajin mars.
Mike Bloomberg
Ai mori pjesë në debatin e tij të parë javën e kaluar në Nevada, duke tërhequr sulme të mprehta nga kundërshtarët e tij që kritikuan qasjen e tij si përpjekje për ta blerë nominimin, ndërsa ai kundërshtoi duke deklaruar se ai është zgjidhja më e mirë për t’iu kundërvënë Presidentit Trump.
Partia Demokrate do të emërojë zyrtarisht kandidatin e saj presidencial në një kongres në korrik. Republikanët do ta emërojnë kandidatin Trump në kongresin e tyre në gusht.