Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg është kualifikuar për debatin e ardhshëm presidencial të demokratëve, hera e parë që ai do të marrë pjesë në garat e tyre për t’u përballur me Presidentin Trump në zgjedhjet e nëntorit.
Një sondazh i ri i NPR / PBS NewsHour / Marist, i publikuar të martën, e nxjerr zotin Bloomberg të dytin me 19% mbështetje, pas senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili kryeson me 31%.
Paraqitja e mirë e Bloombergut e ndihmoi atë të arrinte mbështetjen mesatare prej 10% në të paktën katër sondazhe kombëtare, që është kusht i partisë demokrate për të marrë pjesë në debatin e së mërkurës në shtetin Nevada.
Megjithatë zoti Bloomberg i ka fokusuar përpjekjet në 14 shtetet që do të zhvillojnë zgjedhje paraprake më 3 mars.
Ish-nënpresidenti Joe Biden ishte i treti në sondazh me 15% mbështetje, i pasuar nga senatorja nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren me 12%, ajo nga Minesota Amy Klobuchar me 9% dhe ish-kryebashkiaku i South Bendit, Pete Buttigieg me 8%.
Ndërsa Bloomberg është ngritur në sondazhe pas hyrjes në garë me vonesë, ai është bërë objekt i goditjeve të ashpra nga rivalët e tij demokratë, si dhe Presidenti Trump, i cili e talli atë javën e kaluar duke e quajtur një “masë të energjisë së vdekur”, dhe “Mini Mike (Majku i vogël)” për shtatin e tij të shkurtër.
Nga ana tjetër, Bloomberg e quajti Presidentin Trump “një klloun,” duke shtuar: “Në anët tona, ne e masim gjatësinë nga qafa e lart”.
Kundërshtarët demokratë e kanë akuzuar zotin Bloomberg, i cili thuhet se ka një pasuri prej 62 miliardë dollarë, se është përpjekur të blejë emërimin e partisë. Bloomberg raportohet se ka harxhuar gati 400 milionë dollarë nga paratë e tij për reklama fushate, dhe ka punësuar qindra punonjës fushate përpara votimit të 3 marsit, që njihet si Super e Marta, kur ai do të jetë në votim.
Bloomberg e bëri pasurinë kur ishte themelues i kompanisë së informacionit të biznesit që mban emrin e tij dhe gjithashtu faqen e internetit Bloomberg News.
Sanders, një demokrat i vetë-shpallur socialist, ka sulmuar gjithnjë e më shumë zotin Bloomberg, i cili ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut nga viti 2002 deri në vitin 2013.
“Kryebashkiaku Bloomberg, me të gjitha paratë e tij, nuk do të krijojë llojin e entuziazmit dhe energjisë që na duhet dhe në pjesëmarrjen e votuesve që duhet të kemi për të mposhtur (Presidenit) Donald Trump”, tha Sanders në një tubim.
Sanders sulmoi politikën “raciste” të Bloombergut për arrestimet pas “ndalimeve dhe kontrolleve” të njerëzve në lagjet me krime të larta në lagjet e Nju Jorkut kur ishte kryetar bashkie, një politikë për të cilën Bloomberg ka kërkuar falje.
Një video regjistrim i vitit 2015 u publikua javën e kaluar, ku Bloomberg thoshte se mënyra më e mirë për të zvogëluar dhunën me armë tek të rinjtë e pakicave ishte t’i “hidhnin ata përpara një muri dhe t’i kontrollonin”.
Bloomberg e pranoi gjatë fundjavës, “Kohën e fundit kam marrë shumë kritika për poltikën “ndalo dhe kontrollo”, por unë e mbrojta atë shumë gjatë sepse nuk e kam kuptuar plotësisht dhimbjen që shkaktoi padashje tek familjet e të rinjve afrikano-amerikanë dhe ata të pakicave të tjera. Duhet të kisha vepruar më shpejt, dhe ta kisha ndaluar atë. Por nuk e bëra, dhe kërkova falje për këtë”.
Biden, në emisionin Meet Press të kanalit NBC të dielën, tha: “Gjashtëdhjetë miliardë dollarë mund t’ju blejnë shumë reklama, por nuk mund të fshijnë historinë e vendimeve tuaja.”
Në të njëjtin emision, Klobuchar tha: “Ai thjesht nuk mund të fshihet pas reklamave televizive. Unë nuk mund ta mposht atë në reklama, por mund ta mposhtë në debat, dhe mendoj se njerëzit e Amerikës e meritojnë këtë për të vendosur (se cilin kandidat do të votojnë).”
Bloomberg gjithashtu ka nxitur një kontroll më të hollësishëm të historisë së tij nga media kryesore amerikane. Gjatë fundjavës, gazeta The Washington Post publikoi një histori të gjatë për komentet seksiste të Bloombergut, që kishin në shënjestër gratë që punonin në kompaninë e tij të shërbimeve financiare.
Këshilltarja Presidentit Trump Kellyanne Conway i tha emisionit Fox News Sunday se, “Mënyra se si Michael Bloomberg trajtonte punonjësit, punonjëset, të cilat ishin nën udhëheqjen e tij, të cilat po mbështeteshin tek ai për jetesën e tyre, për përfitimet e tyre shëndetësore, për pensionet e tyre, ishte bazuar në një lloj kulture me vend pune të pasigurt, ku ndiheni sikur po ngacmoheni për shkak të gjinisë suaj. Kjo është problematike. Unë mendoj se do të dëgjoni më shumë për këtë”.
Fushata zotit Bloomberg mohoi disa nga citimet që i atribuohen në rrëfimin e gazetës, ndërsa kandidati ofroi një koment më të përgjithshëm për qëndrimin e tij ndaj grave profesionale në vendin e punës.
“Unë jam mbështetur tek udhëheqja e tyre, këshillat e tyre dhe kontributet e tyre,” shkroi ai në Twitter. “Siç e kam demonstruar gjatë gjithë karrierës time, unë gjithmonë do të jem kampion për gratë në vendin e punës”.
Sa për sulmet e papritura, fushata e zotit Bloomberg ishte e zhgënjyer.
“Nuk është për t’u habitur që ndërsa Mike vazhdon të rrisë mbështetjen në sondazhe, kandidatët e tjerë, përfshirë (Presidentin) Donald Trump, fillojnë të nervozohen”, tha ai./VOA/