Bukuresht, maj 1987. Jam i tronditur nga pamja shpirtcopëtuese e një populli të uritur dhe të terrorizuar. Në Rumaninë e Nicolae Ceausescu-t, diktatorit që e quan veten «Titani i Ballkanit», mungon ushqimi. Kjo ndoshta sepse i ka detyruar 23 milionë shtetasit të ndjekin pafund masa disiplinore dhe shkurtimesh, shoqëruara me mungesën e lirisë. Çdo gjë është me racion, edhe produktet bazë si buka, gjalpi, vaji, mielli dhe sheqeri, që gjithsesi shpesh herë as nuk gjenden. Madje dhe patatet shiten me kokrra, vezët janë luks, qumështi pluhur, në ato raste që gjendet, shitet vetëm në farmaci me recetë. «Vjehrra ime, që fatmirësisht është pensioniste, mund ta kalojë ditën duke mbajtur radhët me shpresën mos kap ndonjë gjë nëpër dyqane», thotë Corina. I duhet të zgjohet që në mëngjes për të mbajtur, në të ftohtë, radhën bashkë me shumë të moshuar të tjerë. Të gjithë me vështrimin e përhumbur, me një çantë plastike në dorë që shpresojnë, ta mbushin me diçka përpara mbrëmjes, me ç’të jetë, dhe pak gramë zorrë derri me të cilën mund të bëhet një paçe kundërmuese.
Jo vetëm ushqimet, por edhe energjia elektrike është me racion. Nëpër banesa lejohen llamba maksimumi 40 vat, që përhapin një dritë të zbehtë verdhacuke që e bën ambientin edhe më hijekeq. Furnizimi i energjisë kufizohet me 30 kilovat në muaj për familje, gjendja rëndohet edhe më shumë për shkak të defekteve dhe shkëputjeve të vazhdueshme. Është e kotë të ndezësh sobën përpara mbrëmjes, vetëm në atë kohë gazi arrin presionin minimal të mjaftueshëm të gatuar. Televizioni transmeton vetëm tre orë në ditë dhe i përkushtohet ilustrimit të «triumfeve të komunizmit» dhe elozheve për Conducator-in, udhëheqësin komunist të Rumanisë. Gjatë dimrit, si në zyra ashtu edhe në banesa, ngrohja nuk mund të letë më e lartë se 12 gradë. «Mos hapni dritaret, se mund të ftohen kalimtarët në rrugë», është shakaja në stil humori të zi që qarkullon në Bukuresht, ku njerëzit për muaj të tërë janë të detyruar që të mos heqin kurrë palltot, dorezat dhe kapuçat. Uji i ngrohtë është i vyer, e kuptova kur isha për vizitë te familja e Corina-s. I shoqi kërkon ndjesë për shfrenimin e fëmijëve. «Po bëhen gati të futen në dush – shpjegon jo pa siklet – është i vetmi çast gjatë javës kur kemi të drejtë për nja dy orë ujë të ngrohtë. Tashmë bëhen shtatë vite që jetojmë kështu, duke luftuar me të ftohtin, errësirën dhe urinë.»
Jo se më përpara rumunët ishin mirë, por gjendja filloi të përkeqësohej edhe më në vitin 1980, kur Ceausescu, me një shpërthim krenarie tipik për të gjithë tiranët, vendosi të shlyente borxhin e jashtëm, që kishte krijuar me politikën e tij të pakuptimtë të industrializimit, të transformimit të përshpejtuar të një vendi arkaik dhe rural. Në vitet pararendëse, duke ndjekur iluzionin e mrekullisë ekonomike, Rumania ishte zhytur në borxhe për më shumë se 10 miliardë dollarë, një peshë e papërballueshme nga e cila diktatori kishte vendosur të lirohej. Si fillim heq dorë nga huat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Më pas, mbushi arkat e Shtetit duke rritur tej mase eksportet: çdo gjë që prodhohet në fabrika apo korret në fushat e Rumanisë merr rrugën për jashtë. Në vitin 1987, me valutën e përfituar nga eksportet, borxhi ishte përgjysmuar duke mbetur diçka më shumë se 5 miliardë. Një sukses i lartësuar nga propaganda e regjimit, por që fsheh koston e lartë të kësaj autarkie të marrë. Nën sloganet mbi pavarësinë e Shtetit qëndron realiteti i ashpër i një populli nënshtruar sakrificave dhe privimeve të padëgjuara. Rumania e uritur është furnizuesi kryesor i mishit në Bashkimin Sovjetik. Vendi ku mungon uji i ngrohtë është i njëjti që ka pasuri natyrore si gazi dhe nafta. Ai që dikur ishte një prej hambarëve më të rëndësishëm të Evropës, i jep popullit të vet bukë me racion, 300 gramë në ditë për njeri. Paradoksi tragjik diktuar nga një ideologji e çmendur po e çon vendin drejtë varfërisë më të zezë. Në Rumani, që prej vitit 1980, niveli i jetesës është ulur me 25%. Vdekshmëria foshnjore është 8%, më e larta në Evropë, por në të vërtetë shifra mund të jetë edhe më e lartë pasi lindjet regjistrohen me dy apo tre javë vonesë. Shpesh, fëmijët e parakohshëm vdesin në inkubator për shkak të ndërprerjeve të papritura të energjisë. Personat e moshuar janë mund të shfrytëzojnë të fundit kurat dhe barnat, që dhe këto janë me racion. Emil-i më tregon rastin e një fqinjit të vet, një zotëri i moshuar që u ndje keq dhe vdiq pasi ambulanca nuk erdhi kurrë. Zëra mjaft tëi përhapur thonë se «Duket se për të kursyer benzinën, nuk lëvizin nëse i sëmuri është më shumë se shtatëdhjetë vjeç». Paçka politikave shtetërore në mbështetje të lindshmërisë (çdo grua në moshë riprodhimi duhet të ketë të paktën katër fëmijë dhe ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë është e dënueshme penalisht), në Rumani abortet tejkalojnë lindjet dhe pritshmëria e jetesës, me përkeqësimin e kushteve higjienike, është ulur.
Bukureshti duket si një qytet i Botës së Tretë, i pistë, i mbipopulluar, kaotik. Rrugët janë të stërmbushura me njerëz që në ecje e sipër përplasen me njëri-tjetrin pa e vrarë mendjen. Duken si të pastrehë në kohë lufte, të gjithë në këmbë, të ngjeshur në ndalesat e autobusëve që kalojnë rrallë dhe ecin ngadalë. Trafik nuk ka, makinat e pakta në qarkullim janë pothuajse të gjitha shtetërore dhe me xhama të zinj. Kush ka fatin të ketë në pronësi një «Dacia» të vjetër, makinë e prodhuar në Rumani, është i detyruar të mbajë radhë të gjata në pikat e karburantit dhe, sido që të jetë puna, nuk mund të furnizohet me më shumë se 30 litra benzinë në muaj. Mjeti i transportit më i përhapur, edhe në qytet, është karroca me kuaj. Kjo shpjegon sasinë e madhe të bajgave nëpër rrugë, i vetmi produkt me bollëk në socializmin e Karpateve. Turma përpara dyqaneve është e frikshme. Në hyrjen e Magazinul Victoria, më e madhja në Bukuresht, janë me qindra njerëzit në radhë, shpresa e vetme e të cilëve është të gjejnë ndonjë bluzë leshi apo ndonjë palë këpucë plastike. Në shëtitoren Balcescu, përpara ushqimoreve vura re shumë nëna të reja, me fëmijët në krahë duke shpresuar që kështu të siguronin një racion të dyfishtë. Veç skamjes, rumunëve u duhet të durojnë edhe cinizmin e Conducator-it, i cili i qorton se konsumojnë shumë kalori dhe se abuzojnë me proteinat. Pra, sipas tij, mosushqyerja e popullsisë përputhet me dietën ideale! Pasi vendosi ditën e peshkut (një herë në javë është e ndaluar shitja e mishit), Ceausecu ka ngarkuar një komision ekspertësh për përpilimin e një projekti me të vërtetë revolucionar, në bazë të së cilit produktet ushqimore nuk do të shiten më veçmas, por do të shiten vetëm vakte të plota, të përllogaritura shkencërisht. Lajmi ishte botuar te «Scintea», gazeta e partisë komuniste, që përkthyesi im mundohet ta përkthejë në mënyrë sa më neutrale dhe profesionale. Mircea, është emri i tij, dhe është një mësues italishteje në pension. Ma «këshilluan ngrohtësisht» në departamentin për gazetarët e huaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kur e pyes si venë punët, më përgjigjet gjithmonë në të njëjtën mënyrë: «Si thoni ju në Itali, s’kemi pse të qahemi». Në Rumani kjo shprehje merr një kuptim tjetër. I pëlqen të flasë për udhëtimet (e pakta) që ka bërë jashtë vendit, para dy vjetësh shkoi në Poloni me një delegacion shtetëror, kështu që shkëmbyem përshtypjet tona mbi Varshavën. «Ç’qytet madhështor! – komenton me entuziazëm – Ç’dyqane të bukura. Mbeta një paradite të tërë duke admiruar vitrinat e Novy Swiat-it.» Nuk guxoj ta kundërshtoj, do të ishte si të qortoje një të verbër se ka zili një qorr.
Në mbrëmje, ai që dikur thërritej «Parisi i vogël i Ballkanit», zhytet në errësirën dhe heshtjen më të plotë, nuk ka një tabelë të ndriçuar apo shtyllë të ndriçuar në të gjithë qytetin. Në restorantin e hotel «Bukureshti» ndriçimi është aq i zbehtë sa mezi arrij të lexoj menynë, gjë që gjithsesi do të ishe e panevojshme pasi e vetmja pjatë që gjendet është çorba, një supë tipike rumune me bazë mishi ose perimesh, por që del të jetë një lëtyrë e vakët që nuk kapërcehet. Mbijetoj falë çokollatave dhe biskotave që bleva në dyqanin për të huajt, te holli i hotelit. Aty, kuptohet duke paguar në dollarë, mund të gjesh cigare, pije alkoolike, parfume dhe ëmbëlsira. Perëndimorët përfaqësojnë një specie tjetër njerëzore, i shohin si alienë. Në mëngjes kur dal nga hoteli, gjendem menjëherë i rrethuar nga një turmë e vogël lypsarësh, përgjithësisht të moshuar të veshur keq, me sytë e trishtuar në zgavra të thella dhe me një ndjesi turpi të vizatuar në fytyrë. Kërkojnë një copë sapun, një tub paste dhëmbësh apo një paketë Kent, cigaret që tashmë në Rumani janë kthyer masa e re për shkëmbimet. Ndihem në siklet, spektator i pafuqishëm i dinjitetit të plagosur të një populli të poshtëruar dhe të dorëzuar, i katandisur në një gjendje vartësie materiale dhe morale që prek kufijtë e skllavërisë. «I yni është një Shtet plotësisht kundër natyrës. Edhe në regjimet totalitare më të ashpra, qeveritarët kujdesen që në një farë mënyrë të ushqejnë skllevërit, që kështu të vazhdojnë e të prodhojnë – pohon Paul Goma, disidenti rumun që tashmë, pasi kaloi shumë vite burgjeve për shkak të kritikave ndaj regjimit, jeton në Paris – Mund të themi që sot në Rumani raportet mes Shtetit dhe popullit janë më të këqija se ato mes padronit dhe skllavit.»
Si shpjegohet injoranca dhe indiferenca e evropianëve për çfarë po ndodh, jo në anën tjetër të botës, por një orë e gjysmë larg me avion nga Parisi e Roma? Si është e mundur që Evropa e civilizuar të mbajë raporte normale diplomatike dhe tregtare me një Shtet kundër natyrës. Këto janë pyetje që lindin vetvetiu sapo vë këmbë në Bukuresht. Përgjigjja është sa e thjeshtë edhe tronditëse: verbim nga politika e jashtme jo e zakonshme e diktatorit rumun. Perëndimi gjithmonë ka bërë sikur nuk e ka vënë re anormalitetin e politikave të brendshme. Në të vërtetë, duke bërë për vete Perëndimin me shkëputjen nga Moska, Ceausescu ja doli mbanë të afirmohej si një mbrojtës i paepur i sovranitetit kombëtar. Edhe duke qëndruar në Paktin e Varshavës, me veprime të bujshme që patën efekt në skenën botërore, fitoi famën e «komunistit të pavarur». Në vitin 1968 Rumania nuk pranoi të bëhej pjesë e pushtimit të Çekosllovakisë, që kishin vendosur «vendet simotra». Kjo nuk ishte ftohja e vetme. Si në rastin e raporteve diplomatike me Izraelin, që i mbajti edhe pas luftës së Gjashtë Ditëve kur të gjitha vendet e Paktit i shkëputën, ashtu edhe në rastin e raporteve me Kinën maoiste, miqësia me të cilën u forcua pikërisht kur Moska dhe Pekini i tregonin dhëmbët njëri-tjetrit, udhëheqësi i paparashikueshëm dhe i padisiplinuar ballkanik nuk humbiste shans për të irrituar Kremlinin. Kështu lindi miti i Rumanisë ndryshe, të cilës i vërdallisej Perëndimi që gënjente veten se kishte gjetur një të çarë në unitetin e bllokut sovjetik. Kështu shpjegohet edhe që SHBA-të, në raportet ekonomike, duke anashkaluar mungesën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të shtypjen e pamëshirshme në politikën e brendshme, në 1975 e ngritën në rangun e «vendit të favorizuar». Kjo shoqërohet me reklamën e Rumanisë si një parajsë për pushuesit: turma turistësh perëndimorë mbushin plazhet e Detit të Zi, zbulojnë bukuritë natyrore të këtij vendi latin por u mbahet e fshehtë gjendja e vërtetë e popullsisë vendase. I vlerësuar nga amerikanët, i përkëdhelur nga evropianët, i shtyrë nga kinezët, i lejuar nga rusët, Ceausescu tashmë e ndjen veten De Gaulle i Evropës lindore.
Por, teza e «frondës rumune» është fryt i një fushata të suksesshme keqinformimi, një pasqyrë mashtruese për perëndimorët. Tiranit të Karpateve gjithmonë i ka pëlqyer të luajë rolin grindavecit paksa shpërfillës me anëtarët e tjerë të Paktit të Varshavës, por lidhjet me Moskën nuk i preu kurrë, madje me kalimin e viteve Rumania i fuqizoi marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me BRSS-në. Mbi të gjitha, mbajti të forta lidhjet ideologjike. Nicolae Ceausescu është një komunist militant që beson verbërisht te marksizëm-leninizmi. Njësoj si paraardhësi i tij, Gheorghiu-Dej, lëviz në dy binare, atë të nacionalizmit dhe atë të stalinizmit. I lindur në një familje të varfër fshatare, Conducator-i i ardhshëm do të anëtarësohej që në moshë të re në Partinë Komuniste, kishte luftuar kundër monarkisë dhe regjimit filonazist të gjeneralit Antonescu, kushte përfunduar disa herë në burg, e këtu duhet theksuar, pati fatin të kishte si shok biruce Gheorghiu-Dej-in. U rrit nën hijen e tij, duke ngjitur të gjitha shkallët e nomenklaturës së partisë deri sa u bë i përzgjedhuri i tij. Më 1965, kur Georghiu-Dej vdeq, i zuri vendin, duke pasur si objektiv transformimin e Rumanisë së prapambetur dhe bujqësore në një vend të industrializuar dhe socialist, sipas modelit të Stalinit në Bashkimin Sovjetik. Atë që përfaqësonte «ati i vogël» për rusët, «nea Nicu» (xhaxha Niku) përfaqëson për rumunët. Populli e vlerësonte por edhe i druhej. Pas një periudhe të shkurtër reformash dhe ndonjë zbutje të lehtë në fushën e të drejtave, vendos një pushtet absolut që me kalimin e kohës bëhet më brutal dhe mbytës. Despotizmi i tij merr karakterin e një monarkie komuniste ku sovrani lartësohet si perëndi. Ceausescu ka rrethuar veten me një «kult personaliteti» që do e kishte zili dhe Stalini, të krahasueshëm vetëm me atë që rrethon diktatorin koreano-verior Kim Il Sung dhe shqiptarin Enver Hoxha. «Timonieri i Madh», «Titani i Ballkanit», «Gjeniu i Karpateve», «Danubi i mendimit», janë titujt miklues, që përveç të zakonshmit Conducator, shfaqen, përtej masës së qesharakes, çdo ditë në shtypin rumun. Për të shkruhen poema dhe ditirambe, biografët e krahasojnë me të Mëdhenjtë e historisë si Leka i Madh, Jul Çezari apo Napoleoni, shtëpia ku ka lindur në Oltenia (një prej rajoneve më të varfra dhe të izoluara të Rumanisë) është kthyer në muze. Një kat i tërë i Muzeut të historisë kombëtare në Bukuresht i kushtohet figurës së Heroit të Revolucionit, Filozofit dhe Eruditit, Atletit dhe Arkitektit.
Rreth monarkisë komuniste është formuar dhe mbivendosur strukturës së Partisë, një dinasti grykëse dhe e korruptuar. Diktatura rumune është diktaturë familjare, rreth dyzetë nga postet më të larta në vend mbulohen nga familjarë dhe të afërm. Elena, bashkëshortja, të cilës i thurin lavde si «nëna e Atdheut», «shkencëtare e ndritur» (sipas propagandës ka një diplomë në inxhinieri dhe një varg vlerësimesh akademike), është zëvendës kryeministre dhe drejtuese e Komitetit për edukimin, përveç se anëtare e Zyrës së përhershme të Komitetit politik të Partisë Komuniste. Detyrat e tjera ndahen mes fëmijëve, nipërve, kunetërve dhe kushërinjve, duke formuar kështu një klan mafioz që drejton të gjitha punët e Shtetit. Pastaj vijnë të kooptuarit nga jashtë, funksionarë të partisë që garojnë në servilizëm dhe oborrtari për të hyrë në rrethin e ngushtë të pushtetit. Satrapi i Bukureshtit ka besim vetëm te njerëzit e tij dhe kultura e dyshimit është bërë themeli i të gjithë sistemit politik. Përveç se në familjaritetin arkaik dhe tribal, pushteti totalitar i Ceausescut mbështetet dhe te Securitate, policia sekrete që kontrollon vendin në mënyrë kapilare dhe që përbën një shtet brenda shtetit, një ushtri besnikësh të devotshëm vetëm ndaj personit dhe vullnetit të Conducator-it. Shoqëria rumune, në të gjitha nivelet është e infiltruar nga spiunë dhe informatorë. Agjentë civilë bëjnë rojë përpara hoteleve për të huajt, përzihen në radhët përpara dyqaneve për të regjistruar pakënaqësitë e njerëzve, mbajnë mat gjithë popullsinë me prezencën e tyre kanosëse. Më pak të kujdesshëm dhe efikas se kolegët e Stasi-t, agjentët e Securitate-s lëvizin në mënyrë trashanike, pa e vrarë fort mendjen nëse bien në sy. I dalloj që ditën e parë të vizitës time në Bukuresht. Në mënyrë të vazhdueshme ndiqem nga një tip që nuk përkujdeset aspak që të mos vihet re. Herë pas here, argëtohem duke shkëmbyer ndonjë fjalë me të. Nuk po them që u bëmë shokë, këtë jo, por mes nesh ka një raport të mirë, aq sa në darkë, pas vaktit si gjithmonë mizerabël, kur drejtohem për në dhomë i uroj natën e mirë. Jo vetëm të huajt, por të dhe të gjithë rumunët janë nën vëzhgim të rreptë. Për të arritur dhe në kthinat më të fshehta të jetës së nënshtetasve të tij dhe për të kontrolluar bisedat e tyre Nicolae Ceausecu, i frymëzuar nga e shoqja Elena, shpirti i zi i regjimit, së fundmi ka zëvendësuar të gjithë telefonat privatë, nga kryeqyteti deri në fshatin më të humbur, me aparate të rinj me mikropërgjues të trupëzuar. Kulmi i paranojës u arrit me censusin e shkrimit të dorës, me qëllim identifikimin e autorëve të letrave anonime që i dërgoheshin Radios Free Europe, stacion i financuar nga amerikanët që dëgjohet në të gjithë Lindjen, e ku denoncohen mundimet materiale dhe morale të një shoqërie të tërë.
Në këtë klimë terrori të paktë janë ata që guxojnë të kryejnë ndonjë farë rezistence. Në shenjën e parë të kritikës, e kudogjendura Securitate ndërhyn pranë fatkeqit me paralajmërime të stilit mafioz: «Bë kujdes, djali yt mund të pësojë ndonjë aksident të rëndë». Elementët e gjykuar si «asocialë» apo më keq si «antisocialist» shtojnë radhët e skuadrave të punës që ndërtojnë kanalin lidhës mes Danubit dhe Detit të Zi, praktikisht të dënuar me punë të detyrueshme. Ceausescu, i himnizuar si Arkitekti i Madh, ka nisur të ashtuquajturin «Sistemim të territorit», që do të thotë shkatërrimi i shtëpizave nëpër fshatra për t’i zëvendësuar me pallatet e shëmtuar parafabrikat. Në shtëpitë e vjetra prej druri, fshatarët gëzonin hapësira lirie të pa tolerueshme nga regjimi, i cili synon të krijojë «njeriun e ri» të shoqërisë socialiste, i detyruar të banojë në pallate tip kosheresh prej betoni, me një portier që me ndërgjegje të lartë mban shënim të gjitha lëvizjet. Ka njerëz që prej dëshpërimit janë vetëvrarë. Furisë megalomane dhe të pakuptimtë të udhëheqësit komunist nuk mund ti shpëtonte dhe kryeqyteti. Qendra e Bukureshtit është një kantier marramendës, qindra vinça, ruspa, buldozerë që kanë rrafshuar lagjen e vjetër për të ndërtuar citadelën e pushtetit, një kompleks faraonik pallatesh ku mbizotëron Shtëpia gjigande e Republikës dhe e përshkruar nga shëtitorja e gjatë e Fitores së socializmit. Hitleri kishte Albert Speer-in e tij, arkitektin e Rajhut të Tretë, Stalini krijoi realizmin socialist, Ceausescu do një kompleks perandorak ku përzihen stilet nga asiro-babilonez te neo-gotiku. Një furi urbanistike që po shqyen qendrën e kryeqytetit, duke shkatërruar një pasuri historike të paçmueshme, për ta zëvendësuar me skenografinë e kobshme të dëshiruar nga një regjisor që ka humbur çdo kontakt me realitetin. Një masakër që desha ta shikoja me sytë e mi, prandaj shkova një të diele paradite. U gjenda në mesin e një foleje milingonash, me mijëra punëtorë që kontrolloheshin nga oficerë të ushtrisë. Shkëmbehem me një grup të rinjsh që marshonin me lopatat mbi shpatulla, të ashtuquajturit «vullnetarë» por që në të vërtetë janë të detyruar të ofrojnë krahët e punës për vepra të interesit publik. Debatoj me një polic që nuk më lejon të shkrep fotografi. Për hir të së «ardhshmes epokë të artë», si përsërit propaganda e regjimit, fshihet çdo gjurmë e së kaluarës. Që prej 1985, punohet natë e ditë, edhe të dielave. Përllogaritet se një e katërta e pasurisë arkitektonike të qytetit është shkatërruar. Trembëdhjetë kisha janë bërë pluhur e hi. Ruspat nuk u ndalën as përpara manastirit mesjetar të Vacaresti-t, nuk kursyen as dy sinagogat antike. Shpëtoi vetëm kisha e shekullit të gjashtëmbëdhjetë e Miahi Voda-s, të cilën me një sistem të ndërlikuar ganxhash dhe çikrikësh, e vunë mbi rrota dhe e zhvendosën. E mbyllur dhe e pa vizitueshme, është kthyer në simbolin tragjik të besimit në këtë vend. Nëse besimi është i aftë të lëvizë malet, marksizëm-leninizmi është në gjendje të lëvizë kishat. Në Patrikanën ortodokse janë të tronditur, por askush nuk ngre zërin kundër shkatërrimit të objekteve të kultit. «Është çmimi i lartë por i pashmangshëm për modernizimin dhe urbanizimin e vendit», thotë i dorëzuar, në emër të Patrikanës, peshkopi Nicolae Mihaita. Në Rumani askush nuk bëzan, por jashtë kanë filluar të shprehen shqetësime. UNESCO ka ndërmend të dërgojë në Bukuresht një komision ekspertësh, ndërsa Kongresi i Shteteve të Bashkuara i ka kërkuar Presidentit Reagan anulimin e statusit të «vendit të favorizuar në raportet tregtare».
Janë sinjalet e para dhe kuptimplota se idili mes Perëndimit dhe Conducator-it po përfundon. «Xhaxha Niku» e ka humbur breroren që e bënte të shfaqej si një udhëheqës të guximshëm dhe të pavarur në gjirin e vendeve socialiste. Më në fund po zbulohet fytyra e tij e vërtetë, ajo e një Drakule modern. Që prej vendosjes në Kremlin të Gorbaciov-it, kundërvënia me Moskën nuk funksionon më. Udhëheqësi sovjetik, në pushtet që prej 1985, kërkon të riformojë komunizmin mbi bazën e perestrojkës (ristrukturim) dhe glaznosit (transparencë), slogane të reja që bien ndesh me realitetin e vrazhdë të një sistemi të ngurtësuar dhe të korruptuar. Ceausescu e kishte të lehtë të kritikonte BRSS-në në kohët e Breznev-it plak, duke refuzuar teorinë e sovranitetit të kufizuar të vendeve socialiste. Por tani që sekretari i ri i përgjithshëm i PKBS-së flet për nevojën e ndryshimeve dhe dialogut me Perëndimin, satrapi i Bukureshtit gjendet në vështirësi objektive. Nuk është më heretiku komunist, i duartrokitur dhe përkëdhelur nga bota kapitaliste, vendin e tij e ka zënë njeriu i perestrojkës. Mes të tyre ka mosbesim, për të mos thënë armiqësi. Deklaratat e udhëheqësit sovjetik, gazetat rumune i botojnë me disa ditë vonesë dhe në formë të shkurtuar dhe të zbutur. Reforma? «Ne i kemi bërë shumë kohë përpara se për to të flitej në Moskë», më përgjigjet duke ngritur shpatullat një funksionar i Ministrisë së Jashtme në Bukuresht. Glaznosi? «Kemi dhënë viza për qindra gazetarë të huaj, ç’doni më shumë?»
Maj 1987: Gorbaciov-i vizitoi Rumaninë, fakt që ngjall kureshtjen dhe që u ndoq me vëmendje nga mass-media perëndimore. Me atë rast regjimi hapi dyert për gazetarët perëndimor, një ngjarje e jashtëzakonshme të cilën e shfrytëzova menjëherë për të njohur nga afër socializmin stalinist, të mbyllur dhe shtypës, që mbretëron në Karpate. Është takimi i parë mes Ceausescu-t dhe Gorbaciov-it, një takim zyrtar që fsheh një përplasje substanciale. Autokrati rumun e ka kritikuar shpesh kursin e ri të udhëheqësit sovjetik. Përballë dallgës së perestrojkës nisur nga qendra e perandorisë, Conducator-i ka shtuar dozat e nacionalizmit e tij, duke nisur një përballje të fortë me Hungarinë për çështjen e Transilvanisë, rajonit që në vitin 1945 ju dha Rumanisë por të banuar nga një minoritet i rëndësishëm maxharësh. Duke ndjekur ëndrrën e një homogjeniteti të plotë etnik, në kurriz të të drejtave të pakicave, Ceausescu mori drejtimin e përplasjes me Hungarinë. Përplasje diplomatike që mes dy vendeve «vëllezër» shpërtheu bujshëm në nivel ndërkombëtar gjatë konferencës së fundit të OSBE-së në Vjenë, kur qeveria e Budapestit votoi së bashku me qeveritë perëndimore një mocion dënimi të politikës shtypëse të Bukureshtit kundrejt pakicave kombëtare. Nuk është e rastësishme që Hungaria është vendi socialist më i përfshirë në reformat, në të njëjtën gjatësi vale me perestrojkën. Pra, arsyet e mosmarrëveshjeve ndërmjet Ceausescu-t dhe Gorbaciov-it janë të shumta dhe vështirë se zgjidhen. Është e kotë të kërkosh ndonjë gjurmë në komunikatat e përbashkëta ku flitet në mënyrë të përgjithshme për «vullnetin e përbashkët në vijimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat» e ku theksohet se «takimet mes dy udhëheqësve u karakterizuan nga një frymë e përbashkët vlerësimi dhe miqësie».
Për të zbuluar divergjencat e mbuluara nga qëndrimet zyrtare duhet të vëzhgosh detajet që në pamje të parë duken dytësore. Për të ftuarin e shquar ishte organizuar një pritje e përkryer nga pikëpamja e protokollit, por pa spontanitet, njerëzit ishin vënë në rresht, rrethuar nga një shërbim sigurie masiv, për të valëvitur flamuj e për të brohoritur me slogane të paracaktuar. Nuk pati asnjë shtrëngim duarsh, asnjë dialog të improvizuar të Gorbaciov-it me njerëzit e thjeshtë, ndryshe nga si ka zakon udhëheqësi i Kremlinit në turnetë e tij të simpatisë që bën nëpër botë. Emri i tij thërritet nga turma, por gjithmonë i paraprirë nga ai i të zotit të shtëpisë. Momenti më kulmor është dhe më i sikletshmi. Ndodh kur Gorbaciov-i fillon fjalimin e tij përballë një plateje të përzgjedhur drejtuesish dhe funksionarësh të Partisë, në Sallën monumentale të Kongreseve në Bukuresht. Pas çdo fraze, të gjithë ngrihen në këmbë duke shpërthyer në duartrokitje të stuhishme që ndiqen nga të thërritje ritmike «Ceausescu, Gorbaciov!». Një spektakël grotesk dhe mjeran që u pa edhe kur fjalën e mbajti Ceausecu, i cili dukshëm ishte krenar për inskenimin. Gorbaciov-i, përkundrazi, bezdiset nga ky ritual satrapo-stalinist, nuk i pëlqen që e ndërpresin çdo dy fjalë dhe shfaq dukshëm shenja nervozizmi. Në një pikë e humbet durimin dhe me një lëvizje të qartë të duarve fton auditorin të qëndrojë ulur dhe qetë. Habia dhe hutimi i delegatëve, të detyruar të dëgjojnë në heshtje, reflektohen në fytyrën e zbehur të Ceausescu-t, që mezi e përmban zemërimin. «Shokë – thotë me zë të lartë Gorbaciov-i – i di shqetësimet dhe vështirësitë që hasni në jetën e përditshme.» Salla e Kongreseve kthehet në një pallat akulli: fjalët e udhëheqësit të Kremlinit janë në kundërshti të plotë me ato të «Gjeniut të Karpateve», që në fjalimin e mirëseardhjes kishte mëshuar në «lumturinë dhe mirëqenien e popullit rumun».
Sa i lumtur dhe i kënaqur është populli për mirëqenien e tij mund të dallohej në ditën e fundit të vizitës në Bukuresht, Gorbaciov-i së bashku me Conducator-in përurojnë një mapo të madhe ushqimore. Dy kryetar shtetesh që vijnë vërdallë në një supermarket! Mijëra njerëz sytë i kanë vetëm te raftet e mbushura me të gjitha llojet e ushqimeve, një spektakël i pa parë në Rumani. Sapo delegacionet qeveritare largohen, turma mësyn dyqanet, duke vrapuar e duke u shtyrë si një masë të mallkuarish që krejt papritur gjendet përballë një parajse të vogël konsumi. Por, policia i shtynë prapa, duke goditur me shkopinj gome më të shkathëtit. Ajo vitrinë ishte për Gorbaciov-in, jo për popullin rumun të cilit nuk i lejohet as iluzioni i mirëqenies.
Nën diktaturën arkaike dhe të egër të Ceausescu-t nuk ka vend për disidencë, por në inkubator ka një tërbim të fjetur që lind nga nevojat parake, për shumë kohë të shtypura, e që mund të shpërthejë nga njëri çast në tjetrin. Ashtu si do të ndodhte vetëm pak muaj më vonë. Më 15 nëntor të 1987, në Brasov punëtorët e fabrikës së kamionëve «Flamuri i Kuq» zbritën në shesh kundër regjimit dhe i vunë zjarrin selisë së Partisë komuniste. Revolta u shtyp dhunshëm, por është vetëm fillimi: mëria e një populli të poshtëruar dhe të uritur do të shpaloset përsëri.
/Luigi Genninazi. L’Atlantide Rossa: La fine del comunismo in Europa. Përkthimi MVSK