Mbi trotuarin e “Bankë”-s, shitet “Bar Miu”. Rrëzë murit të “Change”-it tregëtohet “Far Djathi”. Anash vetrinës së “Fustane Nusërie”, janë nderë të mbathura. Dyqani i frutave mban tabelën “Mish Derri i Freskët”. Në “Farmaci” mund të hyhet vetëm nëpërmjet derës së dyqanit ku shiten patate me shumicë. Para një “Cash Point”-i mbajnë rradhë për të tërhequr pare; një me mustaqe, një tjetër pa dhëmbë, një ushtarak, një hunderr, një i pestë me një shenjë thike në faqe. Në një dyqan shiten njëkohësisht oriz, sheqer, patate, makarona, kopertona bicikletash, vajra makinash, shapka. Tek “Travel Agency” luhet Bilardo dhe vihen “Baste Sportive”. “Këpucë të Vjetra” rrinë varur mbi ca arka me presh. Ngjitur me arkat dy qingja të vegjël me lesh të vardhë po blegërijnë se e kanë të qartë që pas pak do theren. Brenda një guve të errët që quhet “Ëmbëltore”, kërrusur mbi pjata dhe tasa, nja pes a gjasht të uritur po kullufisin male mishi shoqëruar me pilaf dhe kos. “Qilima”-t e varur në trotuar mbulojnë tabelën “Telefona Celularë Orëndreqës”. Trotuari i “Elektroshtëpiake”-ve plot me hekurishta të ndryshkura. “Klinikë Dentare” ka vetëm tabelën, s’dihet se ku ndodhet. “Sallon Bukurie” dhe “Shërbime Funerale” i ndan një derë e vogël dërrase mbyllur me lloz që s’merret vesh ku të degdis. Një kamion i ndalur, shoferi i të cilit ka ikur në drejtim të paditur, është futur së prapthi në një si magazinë. Një e treta e kamionit brënda në magazinë, pjesa tjetër ka bllokuar trotuarin dhe gjysmën e rrugës. “Dyer të Blinduara”, përderisa është mbyllur dhe s’dihet se kur do hapet, ka blinduar dhe veten. “Fotograf”-i ka mbledhur në gjirin e vet; “Internet Kafe”, “Lojra Kompjuterike në Rrjet”, “Punime Duroalumini”. “Fizioterapist”-i ka sipër një “Class Restorant”, nga e majta një “Picaso Bar” nga e djathta një “Gëlqere”. Tek “Berber”-i nuk mund të rruhesh, të qethesh, apo të bëhesh synet, sepse nga brenda del tymi i pulave hungareze të pjekura në hell. Një Golf 4 me 8 veta në bord duke provuar të hyjë mbrapsht në një garazh, gjatë manovrës hedh përtokë një motoçiklist pa kaskë. Nga karroceria e një kamioni të vjetër plot tym e zhurmë bien mbi asfalt një katarakt me arka bosh.