Gjykata e Korçës ka dhënë masën “arrest me burg” ndaj 42-vjeçarit Zamir Topi i cili vrau me sëpatë bashkëfshatarin e tij, 50-vjeçarin Dashnor Osmani, pasditen e 3 ditëve më parë. Me bluzë sportive dhe me sytë gjithë kohës të fokusuar në një pikë, Zamir Topi ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve të Gjykatës.
Prokurori Oli Visi ka kërkuar masën e arrestit me burg. Kërkesa është pranuar nga gjyqtari Arben Lera.
Krimi
Topi 42-vjeç, pas një konflikti me 50-vjeçarin Dashnor Osmani pranë pazarit të Korçës, e qëlloi me sëpatë duke e lënë të vdekur. Pas vrasjes së shitësit ambulant të bananeve, autori u arrestua pak metra larg vendngjarjes.
“Në lagjen nr. 9, në Korçë, pas një konflikti për motive të dobëta, 42-vjeçari, banues në fshatin Pocestë, dyshohet se ka goditur me mjet prerës 50-vjeçarin, banues në fshatin Pocestë, i cili për pasojë ka ndërruar jetë”, njoftoi policia.
Ngjarja ndodhi në sy të dëshmitarëve. “E goditi me sëpatë në kokë disa herë. U trondita. Sa e pashë u largova kisha frikë. U tmerrova desh më ra të fikët”, tha për mediat një i ri.
Dëshmia
Ishte vetë dëshmia e tij që hodhi dritë mbi krimin. Sipas 42-vjeçarit: të dy prej kohësh ishin në një konflikt për një vend në varreza. Dashnor Osmani kishte varrosur të atin pranë varrit të nënës së autorit, ndërkohë që të dy ishin prej 5 vitesh në këtë konflikt, duke mos arritur asnjëherë dakortësi për zhvendosjen e eshtrave të të atit të viktimës larg varrit tjetër.
Ndërkohë, dyshohet se Zamir Topi është person me probleme mendore.
/BN/