Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se Kosova sot është në krizë, ndërsa shtoi se Albin Kurti si fitues në zgjedhje, ka përgjegjësinë e madhe për të formuar qeverisjen.
“Përgjegjësinë kryesore e ka zoti Kurti dhe partia e tij. I takon partisë së parë që të ketë fuqi njerëzore e shpirtërore që të arrijë marrëveshje me LDK. Mendoj se hapi kryesor i gabuar ka qenë që z. Konjufca u propozua pa partnerët e koalicionit. Në demokraci qeveris edhe partia e parë, partia e dytë, në rastin e Kosovës ka vend edhe për pakicat joshqiptare, por edhe opozita ka pjesën e saj. Mendoj se molla e sherrit ka qenë presidenti. Ajo qe dua të them është se cilado qeveri që del më 2020, ata duhet të merren vesh se kush do të jetë president më 2021. Unë jam me atë që duhet një kryeministër dhe një president që vendos balanca. Nuk jam për president si kukull. Ironia e asaj që po ndodh në Kosovë është se këta dy parti në të kaluarën e kanë penguar PDK-së që të bllokohet, por ne nuk jemi bllokuar. Këtë herë po bllokojnë njëra –tjetrën. Ne jemi shumë krenarë që realizuam zgjedhje të ndershme e demokratike”, tha Hoxhaj.
Enver Hoxhaj theksoi se PDK ka bërë koalicione me LDK-në, me AAK-në etj. dhe gjithmonë ka ditur të lëshojë për të bërë qeverinë.
“Kosova është në një krizë të mirfilltë. Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen, megjithëse është kryeministër në detyrë. Mirëpo qytetarët e Kosovës kanë votuar ndryshe dhe presim që të ketë zhvillime në këta katër ditë, kanë mbetur edhe katër ditë. Në pikëpamjen tonë, vendi është në krizë. Vetëvendosje është partia e parë dhe z.Kurti ka përgjegjësinë për të bërë qeverinë, si fitues. Ajo që po ndodh në Kosovë është se dy partnerët që kanë fituar zgjedhjet, nuk po arrijnë dot marrëveshje. Ne si PDK kemi qeverisur edhe me LDK, edhe me AAK, asnjëherë me VV, por asnjëherë nuk kemi pasur kësisoj përplasje.”, deklaroi Hoxhaj.