Pasi lexova prej ditësh reagimet ndaj atij që shumë mendojnë ende se ishte shkrim, jam i bindur që shumëkush që është shfryrë tashmë, do të ketë qetësinë për të lexuar dhe njëherë…
Paragrafi që brenda pak minutash më ktheu në shqiptarin e Shqipërisë londineze, objekt sharjesh, kritikash, akuzash e më shumë se kaq, ishte dhe është një status në Facebook-un tim personal. Aty ku unë komentoj e debatoj dhe ndaj opinione me pjesën më të madhe të miqve dhe kolegëve të mi. Këta të fundit më njohin, prej vitesh, i dinë bindjet e mia dhe mbi të gjitha lexojnë atë që vërtet kam shkruar, si e kam shkruar pa tituj bombastikë e thekse të vendosura aty ku lind nevoja e “expresseve”, që ndoshta nisur nga emri shpejtojnë të bëjnë edhe gafa të përmasave të tilla. Sigurish që me dashje, se nuk dua të abuzoj me fjalën ‘gafë’.
E dua kombin tim, më shumë se disa të tjerë, por jo më pak se askush. Ashtu si dua origjinën time, vendin ku jam rritur dhe ku kthehem me dëshirë çdo herë. Unë jam nga Zhuri i Prizrenit. Pra, unë kam lindur shqiptar dhe jam rritur duke frymuar shqip. Identitetin e ri që po mundohet të ma imponojë politika e “prontove”, (e njëjtë në rezultat me atë që i ndante në Šiptari dhe Albanci) të cilën po e promovon media e Berat Buzhalës, por dhe të gjithë ata që kërkojnë të prezantojnë shqiptarin e Zhurit si kosovar ahtisaarin, dhe ata që duan me kaq dhunë të ndajnë njëherë e mirë Zhurin me Shqipërinë do t’i quaj “racë e poshtër”. Me të njëjtin emër do t’i quaj të gjithë ata që sajojnë lajme bombë ndaj një personi që punon kundër projektit të tyre, ku i vënë një titull, e njëqind prapashtesa, dhe me këtë të krijojnë një mostër, që nuk dashka as popullin e vet, një shqiptar Shqipërie që paska aq arrogancë sa të shajë shqiptarët e Shqipërisë verilindore nga vjen dhe vetë, një ‘kopil’ i cili me tre rreshta nëpërkëmb një popull të tërë. Por në të njëjtën kohë ky ‘londinezi’ i Shqipërisë është po aq naiv sa e bën me një postim, me pak fjalë, a thua se është i bindur se do e kuptojnë të gjithë.
Nëse kolegët e mi të “expressit” – redaksia në Tiranë, duan të dinë vërtet ç’mendoj unë, ç’dua të them, e si e them, janë të lirë të më kontaktojnë, nuk kanë pse të bien në nivelin e ‘grabitësve’ të statuseve, spiunllëqeve, monitorimeve apo presioneve. Ua them sa herë të doni gjerë e gjatë! E kuptoj që mund të jetë sakrificë, pasi do pak punë të bësh një lajm të mirëfilltë, të kontaktosh burimet, të konfirmosh faktet, aq më tepër në këtë rast. Interesi juaj ishte që të nxisnit polemikën mes shqiptarëve. T’i fusni në armiqësi. Ky është misioni juaj, plotësisht i dështuar.
Lexuesve…..
Të manipuluarve pa faj, të mediave që për mision kanë ndarjen e kombit shqiptar, në shqiptarë dhe kosovarë, nuk dua t’ju zhgënjej kur të merrni vesh se në reagimin tim unë nuk do të kërkoj ndjesë për “mëkatin” që kam bërë në postimin tim privat, ku i kam quajtur racë të poshtër të gjithë ata njerëz që punojnë natë e ditë në mbajtjen gjallë të kauzës 700 vjeçare të “Kosovo Metohisë” (Kosovo do të thotë: Fushë me zogj). Projekti për të shndërruar tokën shqiptare, në një fushë zogjsh vazhdon. Une jam nga Prizreni i Dardanisë, dhe kështu dua me m’thirr.
Kush do me qenë kosovar (zog fushe ose zog kurve i Metohisë) është i lirë të komentojë në faqet e bubuzhelave të expressave të UDB-së. Dhe për sa vazhdon kjo përpjekje titanike nga klasa politike e Prishtinës dhe Shqipërisë dhe një pjesë e madhe e mediave në dy qendrat më të mëdha shqiptare për të realizuar projektin 700 vjeçar të Kosovo Metohisë, unë nuk do të rresht së quajturi KËTA njerëz, racë e poshtër. Statusi i postuar nga unë, ishte përgjigje e komenteve të mëparshme që kisha bërë me disa kolegë gazetarë, dhe nga komentet poshtë statusit kuptohej kjo.
Asnjëra prej mediave ‘copypaste’-iste nuk mori mundimin që të dinte përtej asaj që ishte shkruar, meqë e kishin të vështirë deshifrimin. A do të kërkoja falje nëse do të kisha ofenduar, po qoftë dhe indirekt popullin tim shqiptar të Rrafshit të Dukagjinit, të Drenicës, të Llapit, të Shalës së Bajgorës, të Anamoravës, të Kaçanikut, Lumës, Vrrinit?! Sigurisht që do ta bëja pas asnjë problem, nëse vërtetë gjatë këtyre pesë ditësh reflektimi do të bindesha se kam prekur ndonjë në kallo. Në statusin tim në facebook të keqpërdorur, jam marrë me të gjithë ata që i bëjnë fresk ndarjes së këtyre tokave shqiptare dhe sajojnë tituj sensacionalë për të polarizuar shqiptarët dhe për ta institucionalizuar ndarjen e kombit në shqiptarë dhe kosovarë. A jam penduar për atë që i kam thënë racë e poshtër atyre që nuk lënë gur pa lëvizur për të përçarë kombin tim? Jo, aspak. Do të vazhdoj t’i them racë e poshtër Berat Buzhalës, Leonard Kërqukit dhe sojit të tyre, por kurrë shqiptarëve.