Ideja e pushimeve në Greqi, ndonëse me të ardhura mesatare, më kish joshur prej kohësh.
Fotot e detit, ishujve, lagjeve karakteristike, tavernave, muzikës së Sirtakit dhe në fund imazhet që mbajmë mend nga filmat hollivudianë të grishin më shumë, shtuar kësaj, dëshirën për të ndërruar vend për pushime. Një grup miqsh u interesuam për një ofertë pesë ditore pushimesh në Greqi në një agjencive të Tiranës.
Mbas shumë mundimesh për të komunikuar në telefon me të ‘zotin’ e agjencisë, një pasdite ia behëm në zyrën e tij, diku te Rruga e Elbasanit, zyrë ku dyshimeve tona dhe pyetjeve ai u vuri vulën me frazën tashmë qesharake: ejani se do kënaqeni. Burri që na fliste, ishte në të 50-at, i thinjur, vishte këmisha me kuadrate, pantallona me terital dhe këpucë allasoj. Kishte një palë dhëmbë që verdhëllonin kur rrekej të qeshte pa na parë në sy. U nisëm në mbrëmje, në orën 23:00, për të mbërritur në Lefkadha të nesërmen pas orës 10:00. Gjatë të gjithë rrugës, furgonët (të rinjë po aspak komodë) ecnin shumë ngadalë dhe ndalesat ishin të shumta: të gjitha në bar-kafene të zhyllta, ku era e amonikut ndihej sapo hapje dyert e makinës dhe tavolinat të ngjisnin nëpër duar nga zhuli.
Ndalesa në Parga ishte 30 minutëshe dhe pse qe premtuar të ishte dy orëshe, ndërsa pronari me imazh e mendësi ‘kamionisti’ dridhte çelësat nëpër duar me urdhrin: mos u vononi. Urdhrat do ishin të përhershëm- toni i kamionistit po ashtu, siç qe në fillim edhe ngathtësia jonë për të treguar dhëmbët- në përpjekje për t’u treguar të sjellshëm. Mbërritëm në hotel rreth orës 11-12:00 për t’i lënë çantat në holl, për t’u ndërruar nëpër tualete që të shkonim në plazh. Check-in bëhej në ora 13:00 na u tha dhe kur kërkuam të prisnim orën 13:00 që së paku të akomodoheshim nëpër dhoma, na u tha bëhet në 15:00, e pastaj në orën 17:00.
Morëm rrugën për në plazh. Gjithnjë (edhe ditët e tjera) na thuhej se udhëtimi drejt plazheve zgjat herë 30 minuta e herë një orë –gjithmonë udhëtimi zgjaste më shumë se dyfishi i asaj që na thuhej. Gënjeshtra do rezultonte problemi më i vogël. Në plazh na çonin në ora 11:00, 11:30 dhe prej aty na merrnin në ora 17:30- 18:00(një ditë na morën në orën 15:00 për të na çuar në hotel pasi guida donte të shkonte në një beach-party); ne rrinim në plazh fiks në orët rreptësisht të ndaluara kur rrezet e diellit janë më të rrezikshme se kurrë. Ditën që do të vizitonim disa ishuj me anije (që agjencia e cilësonte kroçerë!!!) u nxorëm nga hoteli fiks në orën 08:00 të mëngjesit, sepse “kroçera ikte e nuk na priste”.
Mbërritëm në orën 08:30 dhe deri pas orës 10:00 ajo nuk u nis. Na u desh të prisnim gati dy orë, në diellin “e kroçeres” për t’u nisur. Ndalesat në ishujt mbresëlënës ishin të shkurtra: diku sa për të bërë foto, diku sa për një kafe në këmbë e diku sa për t’u zhytur një herë të vetme në det. Ishin praktikisht- ndalesa check-in-esh në facebook- për t’u dukur e jo për të ndjerë- çka nuk na ishte thënë. Për të mos dhënë kokëçarjet e çdo dite- ushqimi, që e kishim të përfshirë në pagesën e bërë, thjeshtë nuk hahej- djathi(danez) ishte si sapun, ndërsa menuja që përfshnite disa pjata, nuk prekej: ndonjëherë e pabërë- të gjitha herët e pashije- duke filluar nga llojet e ndryshme të spagetit tek rizotot me ton apo me perime, musakaja apo imam bajalldia. Edhe sallata greke ishte si kashtë e njomë me vaj luledielli e pa kripë, ndërsa buka, oh- buka, ajo ishte me racion, vetëm dy f(l)eta të holla e të vogla. Në hotel, uji i nxehtë nuk i mjaftonte një personi për t’u larë, ndërsa në dhomë ishim dy ose më shumë, shtuar kësaj faktin që peshqirët mungonin dhe çarçafët nuk ndërroheshin. Tej të gjithave, na duhej të duronim edhe arrogancën e guidës sonë, një grua që nuk e njihte komunikimin e që për fat të keq, edhe informacionet “google translate” për vendet ku shkonim i lexonte me aftësinë e një fëmije që sapo ka mbaruar klasën e tretë, ç’ka shkaktoi jo pak herë të qeshura, mes nesh, pushuesve të shkolluar me fakultet qe hiqeshim si ushtarë të bindur.
Qershia mbi tortën e prishur që hëngrëm- ishte kthimi. Në Janinë, guida jonë e paditur dhe arrogante- me të cilën grupi kishte bërë pafund debate për oraret e ndalesat, na u qas me hap ushtarak pranë makinës. Një grupi i komunikoi me një ton të patakt dhe fyes- se kishin vjedhur peshqirë në dhomë dhe se qe lajmëruar policia e cila do na bllokonte në doganë(si një film amerikan)!!!.
Ishin të “njëjtët” peshqirë, mungesën e të cilëve nëpër dhoma e kishim denoncuar që në ditën e parë të mbërritjes në hotel. Mbas një kontrolli të imtësishëm nëpër valixhet e tyre, ku doemos peshqirët nuk ishin- sepse nuk ishin marrë- sepse nuk u ishin lënë kurrë nëpër dhoma peshqirë (nga hoteli që nuk kishte as ujë të ngrohtë e as peshqirë), tensioni u bë i madh.
Të fyerit ngulmuan që zonja të kërkonte ndjesë- por ndjesa e saj ishte po aq fyese sa sjellja e të gjitha ditëve marra së bashku- me një pronar agjencie që thoshte “këtu vendos unë” si të ishte me fëmijë kopështesh dhe një guidë që rrekej të ishte mondane e pedante pa ditur të jetë së pari e sjellshme dhe komunikuese. Agjencia shqiptare ku pronari dhe guida, janë dyshja e përsosur që u shkatërrojnë pushimet greke apo jo qofshim.
Nuk e di se cila instancë shtetërore i kontrollon agjencitë (paçka se jam në kërkim dhe do ta gjej), a paguajnë taksa, a i deklarojnë të ardhurat (ne nuk na u dha faturë tatimore nga Top Travel Tour Albania), a kontrollohet shërbimi që ofrojnë, ku duhet të ankohemi për “fantazmat turistike” që kanë mbirë e që të drejtohen nga ‘lopçarë’ që marrin vesh nga bujqësia por jo nga turizmi. Unë e hëngra tortën e prishur- ju, kini kujdes. (Nga një njeri i dëshpëruar që iu shkatërruan pushimet)
Pasqyre.al