Ngërçi i krijuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi nuk është i vetmi konflikt që lind mes institucioneve me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.
Nënkryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi Oerd Bylykbashi, në një intervistë për Report Tv shprehet se këto boshllëqe duhen kompensuar me 7 ligjet që plotësojnë këtë reformë.
Sipas Bylykbashit, opozita bëri gjithçka për të finalizuar një produkt cilësor, ndërsa edhe në mbledhjen e fundit para miratimit të amendamenteve kushtetuese kërkoi heqjen e KED, pasi ky institucion jo vetëm nuk e zgjidh por e fut në krizë sistemin.
“Është një kushtetutë që është e dizenjuar me probleme të rënda në arkitekturën e saj dhe shumë shpejt do të shikojmë krizat që do të prodhojë, megjithatë duhet të bëjmë të gjithë, nëse të gjithë i qasemi në një mënyrë pozitive dhe konstruktive me konsensus zbatimit të kushtetutës duke filluar nga faza e ligjeve mund të ulim shumë tone tensionesh dhe kjo është në të mirën e shqiptarëve. Ne duhet të përpiqemi që edhe ato boshllëqe që drafti që shkroi në mënyrë të njëanshme qeveria aty ku ne nuk patëm mundësinë më të ndërhynim për ta përmirësuar, shpresojmë që ato boshllëqe ti rikuperojmë nëpërmjet ligjeve”, u shpreh Bylykbashi.
Opozita është e gatshme ta kalojë në komision e më pas në Kuvend ligjin e vettingut, për të cilin ka bërë oponencën e saj.
Bylykbashi thotë se në themel të vërejtjeve të PD ka respektimin e procesit të rregullt ligjor, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut e si dhe pavarësinë e gjyqësorit. Por nënkryetari i komisionit shprehet se gjatë kësaj kohe vettingu po përdoret si shantazh i Kryeministrit ndaj gjyqtarëve.
“Ne e rëndësishme është që këtë ligj ta vejë në dispozicion parlamentit sa më shpejt, mundësisht brenda javës që vjen. Vetingu nuk mund të jetë një armë që përdoret për presion dhe shantazh, si kjo që ka bërë Edi Rama, nëpërmjet të dërguarve të tij mbi gjyqtarin e gjykatës administrative i cili mori një vendim dhe refuzoi kërkesën e partisë Socialiste për të pezulluar dekretin e presidentit të Republikës”, shprehet Nënkryetari i komisionit.
Ndërsa vettingu është hapi i parë i ligjeve të reformës në drejtësi, për 6 ligjet e tjera nuk ka asnjë bashkëpunim. Madje Oerd Bylykbashi edhe dy ligjet e tjera që kërkohen me ngulm nga ndërkombëtarët, SPAK dhe ai i qeverisjes së gjyqësorit, nuk u janë ofruar ekspertëve të opozitës me argumentin se nuk janë gati.
“Kanë kaluar në komision pore meqë i kanë bërë ndryshime në mënyrë okulte që vetëm transparencë nuk ka nuk dimë fare se çpo bëjnë këta ekspertët e qeverisë me këtë draftin. Asnjë nga këto ligjet në versionin më përfundimtar të tyre nuk është i disponueshëm” u shpreh për Report TV, Nënkryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi Oerd Bylykbashi.
Për zgjidhjen e ngërçit për KED, Bylykbashi adreson një shprehje britanike për Presidentin e Republikës.