“Kombi shqiptar duhet të vendosë tani nëse dëshiron të bëhet anëtar i një Serbie të Madhe nën ndikimin rus dhe të heqë dorë nga kultura e tij mijëravjeçare dhe të vazhdojë të vegjetojë në një narko-shtet të Ramës dhe të humbasë më në fund rininë, fëmijët e saj; apo dëshiron të ruajë identitetin, kulturën dhe vlerat e saj, si dhe pavarësinë ekonomike dhe të gjejë të ardhmen e saj në BE”.
Është kjo deklarata që vjen nga eksperti gjerman për rajonin, Martin Henze, i cili në një intervistë shprehet se nëse shqiptarët e dëshirojnë BE-në, atëherë Shqipërisë i duhet shumë shpejt një qeveri të re.
Pjesë nga intervista
- Henze, ç’mendim keni për marrëveshjen mini-Shengen midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut?
Henze: Pikë së pari, më lejoni të theksoj se ekziston vetëm një marrëveshje Shengen, që BE-ja po heq kontrollet në dogana.
Është një strukturë juridike shumë e ndërlikuar e shteteve brenda BE-së. Parakushti themelor është që këto janë shtete demokratike, përndryshe sistemi Shengen nuk do të funksionojë.
Në Shqipëri, sundimi i ligjit dhe demokracia parlamentare u shfuqizuan dy vjet më parë nga administrata Rama dhe as Serbia nuk ka një sistem të sundimit të ligjit.
Prandaj, mini-Shengen nuk ekziston. Kjo është përpjekja për një marrëveshje midis kryeministrit serb dhe atij shqiptar për të mbështetur njëri-tjetrin personalisht. Në këtë mënyrë, Rama në thelb po tradhton kombin shqiptar.
Ekziston vetëm një marrëdhënie midis qeverisë serbe dhe asaj shqiptare.
Të dyja qeveritë dhe partitë qeverisëse drejtohen nga politikanë autoritarë dhe klika korruptive, ato gjithnjë e më shumë po largohen nga demokracia dhe sundimi i ligjit. Të dyja qeveritë me siguri nuk mund as të heqin dorë nga fjala sundim i ligjit.
Nëse sundimi i ligjit do të funksiononte në të dy vendet, Vuçiç dhe Rama nuk do të ishin kryeministra në Serbi e Shqipëri dhe të dy vendet do të ishin tashmë anëtare të BE.
Si e shpjegoni qëndrimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për këtë marrëveshje?
Henze: Sundimi i ligjit dhe demokracia në vetvete nuk ekzistojnë në Shqipëri. Ekonomia është në një gjendje shumë të keqe, investimet e huaja janë thuajse zero, ka vetëm trafik droge nga jashtë, papunësi e lartë, trafikim njerëzor, emigrim masiv i të rinjve, varfëri ekstreme, plakje të popullsisë në fshat, infrastrukturë e shkatërruar, korrupsion masiv në administratën e qeverisë Rama, manipulimi i zgjedhjeve parlamentare në 2017 në bashkëpunim me mafien, sipas shtypit ndërkombëtar, zhvillimi i paligjshëm i zgjedhjeve lokale në 30 qershor. Zgjedhjet e paligjshme lokale në Shqipëri janë shkelje e përhershme e kushtetutës shqiptare nga qeveria Rama. Situata në Shqipëri shënohet nga rritja e trafikut të heroinës, shkelje e vazhdueshme e kushtetutës nga qeveria Rama, përndjeka e opozitës dhe gazetarëve kritikë, shpronësimi i qytetarëve pa mundur të mbrohen kundër shpronësimit përpara një gjykate. Shqipëria është në prag të falimentimit kombëtar. Janë mbyllur disa kontrata në ndërtimin e rrugëve dhe në sektorin e shëndetësisë, që referohen si PPP. Në realitet ato janë kontrata familjare midis qeverisë Rama dhe miqve të biznesit. Populli shqiptar po shfrytëzohet.
Në fakt, këto kontrata nuk i plotësojnë as standardet minimale të PPP-ve evropiane, janë krijuar monopole private, nuk janë kryer tenderë të rregullt, jo-transparente. Negociatat për anëtarësim në BE janë shtyrë, një katastrofë e vërtetë.
Është mjaft e thjeshtë, qeveria Rama dëshiron heqë vëmendjen nga këto katastrofa, së pari një Shqipëri e Madhe, një ministri e përbashkët e jashtme me Kosovën, u festua nga Rama në pranverën e këtij viti, tani po festohet një Serbi e Madhe.
Dhe Serbia?
Kreu i qeverisë së Serbisë Aleksandar Vuçiç pëlqen ta shfaqë veten si një përkrahës i zjarrtë i BE-së dhe vlerave të saj. Ai i thur elozhe Kancelares gjermane në mënyrë periodike me deklarata, njësoj si Rama në Shqipëri, të cilët vlerësojnë qëndrimin e saj demokratik e humanist. Ish-ministri i diktatorit Millosheviç, Vuçiç, gjithashtu preferon të veprojë si apostull i pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Qëllimi i tij është një Serbi e Madhe. Kjo nuk mund të jetë në interes të Shqipërisë.
Vuçiç ka marrëdhënie mjaft miqësore me presidentin rus. Në pranverë, ai bëri një marrëveshje avionësh luftarakë me Putinin. Armët u dorëzuan përmes Rumanisë në korrik 2019, ku u ndaluan, dhe Rusia i dërgoi nga ajri.
Ai rregullisht ka organizuar manovra ushtarake serbo-ruse, afër kufirit me fqinjin e tij jomiqësor Kroacinë. Ai nuk është mik i NATO-s. Kjo nuk mund të jetë në interes të Shqipërisë, apo jo?
Shqipëria është anëtare besnike e NATO-s, një aleate e vërtetë e Perëndimit. A është kjo qeveria e Ramës? Bashkëpunimi i ngushtë me Kinën komuniste dhe tani me Serbinë, ngre dyshime serioze nëse Z. Rama është ende mik i Perëndimit.
Të krijohet përshtypja se qeveria Rama po i nënshtrohet shtetit serb, madje po negocion me BE për këtë çështje. Kryeministri shqiptar është bërë si Vuçiç.
Qeveria shqiptare po i dorëzon Beogradit fuqinë negociuese për kombin shqiptar për një nga çështjet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, çështjen e anëtarësimit në BE / Shengen. Kjo është diçka që duhet të imagjinohet.
Një procedurë e pabesueshme, një shkelje thelbësore e kushtetutës, preket pavarësia kombëtare e Shqipërisë.
Nuk është konsultuar me Presidentin e Republikës, BE-në apo popullin shqiptar. Kjo nuk mund të jetë në interes të Shqipërisë.
Sloganet e shpeshta të Vuçiçit kundër të opozitës serbe, disidentëve dhe mediave të pavarura janë të mbushura me kërcënime serioze. Rama dhe Vuçiç janë shumë të ngjashëm në këtë drejtim. Kjo nuk mund të jetë në interes të Shqipërisë,
Por sigurisht, Vuçiç e quan propagandë anti-serbe, kur masakra e Srebenicës quhet gjenocid. Vuçiçi, që udhëheq Serbinë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, me po aq fuqi sa ish-shefi i tij, Slobodan Milosheviç, është shembull i shkëlqyer i një drejtuesi autoritar populist e nacionalist, udhëheqës pro-rus që mori titullin e Aleksandrit Nevski të Meritës nga Putin këtë vit. Për çfarë shërbimesh e mori ai urdhrin më të lartë rus?
Më 4 dhjetor ai u takua përsëri me Putinin në Soçi, dhe me siguri ka marrë urdhrat atje, tani ai është në Tiranë dhe ka sjellë mesazhet nga Rusia. Diktatorët gjithmonë bien dakord shpejt.
Rusia gjithmonë ka qenë e interesuar për akses në detin Adriatik. Perëndimi dhe NATO duhet të reagojnë tani.
Politikat e gabuara të Perëndimit tani janë duke u bërë të dukshme. Për vite me radhë, këta autokratë të Ballkanit u mbështetën financiarisht, ambasadorët e BE dërguan raporte të shkëlqyera në vend që të mbështesin opozitën demokratike, të orientuar nga BE. Franca ka të drejtë, qeveria në Shqipëri nuk duhet të besohet. Sot, të paktën, duhet të jetë e qartë se Qeverisë së Ramës duhet t’i jepen mesazhe të qarta dhe të paqarta. Është e papërgjegjshme që autokratëve t’u jepen paratë e taksapaguesve evropianë. Mbështetje e qëndrueshme duhet t’i jepet opozitës demokratike, dhe kjo përfshin Serbinë. Koha për lojëra ka përfunduar. Kjo vlen edhe për kombin shqiptar, i cili tani duhet të vendosë në cilën drejtim dëshiron të zhvillohet.
A besoni se Serbia tani do të fitojë një ndikim në Tiranë?
Jo. Shumica e popullsisë serbe ka qenë indiferente apo edhe armiqësore ndaj BE-së në sondazhe. Ndërsa 84 për qind në Kosovë, 93 për qind në Shqipëri dhe mbi 89 për qind në Maqedoninë e Veriut, shprehin një qëndrim pozitiv ndaj Bashkimit Europian, ndërkohë që në Serbi 29 për qind e popullsisë dëshiron të anëtarësohet në BE.
Këto janë vlerësimet më të ulëta të matur ndonjëherë në një vend kandidat për anëtarësim në BE. Këto rezultate janë gjithashtu të jashtëzakonshme sepse përvoja tregon se pëlqimi popullor shpesh bie pas pranimit.
Ky është një ndryshim shumë vendimtar midis dy kombeve, ata kanë synime krejtësisht të ndryshme të shtetit-komb.
Nuk ka asnjë bazë për bashkëpunim të ngushtë dypalësh midis Shqipërisë dhe Serbisë, dhe as nuk ka problem për Kosovën.
Kombi shqiptar dëshiron të bëhet anëtar i BE-së dhe e sheh veten si pjesë të botës perëndimore dhe jo si republikë autonome e Serbisë.
Qëllimi politik duhet të jetë anëtarësimi në BE dhe aderimi në zonën Shengen të BE-së.
Pse Kosova nuk është pjesë e këtij procesi?
Serbia nuk i njeh kufijtë e Kosovës. Një marrëveshje bilaterale me Kosovën fqinje, të cilën Serbia ende nuk e ka njohur, kërkohet ende në nivelin politik. Një marrëveshje e tillë duhet të ishte përfunduar tashmë, por as marrëveshjet me Kosovën në 2013 ende nuk janë zbatuar. Serbia është përgjegjëse për këtë.
Por nga vjen refuzimi i BE-së në Serbi?
Nëse e pyetni Presidentin serb Aleksandar Vuçiç për këtë, ai thotë se shumica e shteteve të BE-së e njohin Kosovën, ish-provincën e Serbisë, si një shtet të pavarur.
Në të vërtetë, BE mori vendimin e duhur. Kjo njohje ka sjellë paqen në Ballkan. Qëllimi ishte që të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen anëtare të BE-së si shtete të pavarura.
Serbia ende ka të drejtën e sundimit mbi Ballkanin Perëndimor dhe e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë, ndërsa shqiptarët janë të huaj për Serbinë. Ka një tundim të madh për ta konsideruar Ballkanin në tërësi. Por fotografia është një klishe.
Është imorale dhe e padrejtë t’i trajtosh të gjithë popujt e Ballkanit me të njëjtën mënyrë. Grekët, shqiptarët, rumunët, bullgarët – asnjë nga këta popuj të vjetër, kulturorë nuk sulmuan fqinjët e tyre, ata vetëm mbroheshin.
Një politikë agresive, shoviniste po ndiqet vetëm nga Serbia, të cilën mund ta shohim shumë mirë në vitet 90. Mjafton të kujtojmë liderin serb Radovan Karaxhixh. Vetëm ndërhyrja e NATO-s, dhe e Gjermanisë solli rivendosjen e kufijve dhe paqen.
Ky është një ndryshim thelbësor midis Serbisë dhe Shqipërisë. Kombi shqiptar dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, kombi serb jo.
Për këtë arsye, Bundestagu gjerman deklaroi qartë në shtator 2019 se kufijtë ekzistues në Ballkan, përfshirë kufijtë e Kosovës, duhet të respektohen dhe se të gjitha përpjekjet për të kundërtën janë të papajtueshme me parimet e BE dhe duhet të çojnë në ndërprerje të negociatave e pranimit.
Pra, nëse kombi shqiptar dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, dhe ky është rasti për 93% të popullsisë, mund të ketë vetëm një Shengen në BE.
Një bashkëpunim me Serbinë dhe Rusinë çon në një lidhje me këto dy shtete dhe jo me BE, që nuk çon në të ardhmen. Kjo sjell një rrëzim të kombit krenar shqiptar.
Shqipëria tani duhet të punojë shumë për të përmbushur kriteret e pranimit në BE.
Qeveria Rama ka dështuar plotësisht në këtë çështje dhe me sa duket nuk është në gjendje ta përmbushë këtë synim, qoftë në mënyrë objektive, edhe në aspektin e personelit.
Kombi shqiptar duhet të vendosë tani nëse dëshiron të bëhet anëtar i një Serbie të Madhe nën ndikimin rus dhe të heqë dorë nga kultura e tij mijëravjeçare dhe të vazhdojë të vegjetojë në një narko-shtet të Ramës dhe të humbasë më në fund rininë, fëmijët e saj; apo dëshiron të ruajë identitetin, kulturën dhe vlerat e saj, si dhe pavarësinë ekonomike dhe të gjejë të ardhmen e saj në BE. Nëse e dëshiron, Shqipërisë i duhet shumë shpejt një qeveri të re.