PD ka akuzuar kreun e bashkisë së Tiranës për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë dhe thotë se ky është një rast i pastër i korrupsionit dhe krimit shtetëror
Këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Akil Kraja, i ka kërkuar llogari Veliajt për heshtjen e tij, duke u shprehur se vjen pasi administratori i firmës së pastrimit, i kontraktuar nga bashkia është kreu i PS Peqin dhe kreu i OSHEE në Peqin.
DEKLARATA E PLOTË E KRAJËS
Në lanfillin e Sharrës, jo vetëm nuk funksion ligji, siguria teknike, siguracioni për punonjësit, por për më tepër aty po përfitohen miliona euro në një biznes të ngritur nga Erion Veliaj dhe një klient i tij, kreu i PS-së së Peqenit, njekohesisht kreu i OSHEE në Peqin, Edurim Teqja, dhe aktualisht në kërkim nga policia për vdekjen e 17 vjecarit.
Erion Veliaj nuk lë rast pa përfituar të dalë në media për të bërë propagandë. Për këtë rast, Erion veliaj dhe Bashkia e Tiranës heshtin. Vdekja e 17 vjeçarit, Arditit, në landfillin e Sharrës, një territor i administruar nga Bashkia e Tiranës dhe nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, është një rast flagrant që tregon se si krimi e korrupsioni ka futur kthetrat në Bashkinë e Tiranës.
Pse hesht Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës?!
A mos vallë kompania e cila është nënkontraktuar nga një agjensi e Bashkisë së Tiranës e sapo krijuar, është nën administrimin e një personi të përjashtuar nga Italia për krime, apo për shkak se ky person është kryetar i PS-së në Peqin, për shkak se ky person është administrator në OSHEE?!
E pra këta janë partnerët e Erion Veliajt. Partnerë që shkelin normat më minimale të sigurisë. Shkelin ligjin për të përfituar, zhvatur dhe vjedhur këtë qytet. Erion Veliaj vazhdon me represionin ndaj qytetarëve. Para disa kohësh shitësit ambulantë ishin të persekutuar vetëm e vetëm që ti lihet hapësirë rikjoskëzimit të Tiranës, në një kuadër korruptiv. Asnjë transparencë.
Tani janë shtresat më vulnerabël, komuniteti rom, të rinj që dua të punojnë të blejnë libra e po persekutohen deri në vdekje që ti lihet hapësirë aferës korruptive miliona euro për riciklimin e mbetjeve në Tiranë. Kemi të bëjmë me një krim shtetëror sepse ligji që ndodhet në Parlament për importin e plehrave tregon që jemi në një rrezik më të madh për qytetin. Sot jemi dëshmitarë të një bashkëfajësie mes Bashkisë Tiranë dhe një kompanie që nuk kishte eksperiencën e nevojshme për të menaxhuar landfillin e mbetjeve në Tiranë. Sot jemi dëshmitarë të një krimi në kurriz të një 17 vjeçari të pafajshëm që kërkonte vetëm të punonte për të blerë libra për tu shkolluar.