“Jeta e Agron Tufës ishte dhe mbetet e rrezikuar edhe në azil në Zvicër” Kështu shprehet Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në një letër protestë drejtuar opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar, autoriteteve shtetërore e politike në Shqipëri, përfaqësive diplomatike si dhe organizatave për të drejtat e njeriut.
Sipas shoqatës kjo gjë duhet të merret seriozisht pasi është e vërtetuar që në të shkuarën komuniste Sigurimi i Shtetit dhe aleatët e tyre ndërkombëtarë kanë eliminuar fizikisht kundërshtarë politikë në azil politik në vendet perëndimore.
Ata i kërkojnë qeverisë së Zvicrës ti garantojë mbrojtjen e jetës z.Tufa dhe familjes së tij në Zvicër pas kërcënimeve publike të njerëzve me pushtet në Shqipëri se do ta gjejnë e ta lëndojnë edhe atje.
“Qeveria direkt dhe indirekt ka mbështetur kërcënimet ndaj Tufës pasi në të kundërt të të vërtetës së zbardhur nga Instituti i z. Tufa vazhdon të nderojë publikisht autorët e krimeve të komunizmit e të denigrojë viktimat e tyre, një mbështetje e frymëzim i madh për ata që kërcënojnë të eliminojnë fizikisht Tufën dhe familjen e tij.” – shkruan në letrën e saj Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.
Letra e plotë:
Sot në ditën ndërkombëtare të të drejtave themelore të njeriut, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë e shqetësuar dhe e indinjuar nga situata e krijuar prej kërcënimeve publike ndaj ish drejtorit të Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri z. Agron Tufa për jetën e tij dhe familjes, i drejtohet me këtë letërprotestë opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar, autoriteteve shtetërore e politike në Shqipëri, përfaqësive diplomatike si dhe organizatave për të drejtat e njeriut.
Arratia e detyruar nga vendi e ish drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri është prova më e qartë e mos garantimit të të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri. Argon Tufa dhe familja e tij u detyruan të largohen nga vendi pasi atyre ju kërcënua e drejta më themelore e njeriut :E drejta për të jetuar!
Në mënyrë të përsëritur, prej më shume se një viti z. Tufa u përball me kërcënime, presion e shantazh të hapur e të fshehur nga persona funksionarë e anëtarë të niveleve më të lartë të pushtetit politik në Shqipëri.
Anëtarë të Parlamentit dhe shumicës në pushtet dhe zyrtarë të tjerë të shtetit, media pro
qeveritare dhe individë me precedentë të rëndë penale u përfshinë në një fushatë
kërcënimesh, presioni e shantazhi publik që detyroi largimin e tij dhe të familjes nga vendi.
Motivi i saj ishte për shak të cilësisë së tij si drejtori i institucionit që heton krimet e
komunizmit në Shqipëri, të klasifikuar juridikisht krime shumë të rënda si gjenocid dhe krime kundër njerizimit, autorë të të cilave janë edhe kërcënuesit publikë të Tufës ose familjarë të tyre.
Ne ish të përndjekurit politikë të Shqipërisë viktima e dëshmitarë të krimeve të komunizmit
jemi të ndërgjegjshëm për rrezikun serioz që i kanosej në Shqipëri z. Tufa, pasi e dimë që kërcënuesit janë të aftë të kryejnë krime të tilla pasi gjatë diktaturës e kanë bërë realisht një gjë të tillë kanë vrarë, burgosur, torturuar, internuar e përndjekur pa mëshirë kundërshtarët e tyre politikë dhe familjet e tyre.
Në kushtet kur në pushtet janë ish komunistët në konflikt interesi me hetimin dhe studimin e krimeve të komunizmit shteti shqiptar nuk ka as vullnetin dhe as mundësinë për ti garantuar Tufës dhe familjes së tij: të drejtën për të jetuar!
Vetë z. Tufa por edhe shumë institucione e individë të tjerë kanë denoncuar publikisht
praninë në parlament, qeveri, drejtësi, institucione të sigurisë publike e kombëtare,
institucionet e mbrojtjes së të drejtave civile etj të autorëve të krimeve të komunizmit,
drejtues të lartë të PPSH anëtarë të qeverisë së diktuarës komuniste dhe organizatave satelite të saj, ish drejtues oficerë e bashkautorë të Sigurimit të Shtetit, hetues, prokurorë, gjyqtarë, e dëshmitarë të proceseve gjyqësore politike, oficerë e drejtues të burgjeve komuniste etj autorë të krimeve të komunizmit apo familjarë të tyre.
Në këtë situatë institucionet shtetërore janë vetë në konflikt interesi dhe nga garantues
kushtetues të jetës së Tufës dhe familjes se tij, janë potencialisht një kërcenim e rrezik serioz për ta dhe kujtdo tjetër që heton e zbardh e publikon krimet e komunizmit.
Vetë qeveria direkt dhe indirekt ka mbështetur kërcënimet ndaj Tufës pasi në të kundërt të të vërtetës së zbardhur nga Instituti i z. Tufa vazhdon të nderojë publikisht autorët e krimeve të komunizmit e të denigrojë viktimat e tyre, një mbështetje e frymëzim i madh për ata që kërcënojnë të eliminojnë fizikisht Tufën dhe familjen e tij.
Vazhdimi i kërcënimeve publike ndaj z. Tufa edhe pas largimit të tij nga vendi nga njerëzit e pushtetit në Shqipëri tregon se jeta e tij ishte dhe mbetet e rrezikuar edhe në azil në Zvicër, gjë që duhet të merret seriozisht pasi është e vërtetuar që në të shkuarën komuniste Sigurimi i Shtetit dhe aleatët e tyre ndërkombëtarë kanë eliminuar fizikisht kundërshtarë politikë në azil politik në vendet perëndimore.
Ne mendojmë se linçimi publik i z.Tufa, vazhdimi i kërcënimeve ndaj tij dhe familjes synon
nga autorët në pushtet të tyre, krijimin e një klime terrori politik e kërcënimi real për të gjithë ato institucione e individë që guxojnë të denoncojnë krimet e komunizmit dhe autorët e tyre dhe të kërkojnë ndëshkimin ligjor të tyre. Me pak fjalë këto akte terroriste synojnë pengimin e vendosjes së drejtësisë për gjenocidin dhe krimet kundër njerizimit që komunistët kanë kryer në Shqipëri.
Ne të përndjekurit politikë i bëjmë thirrje të veçantë institucioneve ndërkombëtarë dhe
shteteve demokratike perëndimore të trajtojnë me seriozitet çështjen e z. Agron Tufa si dhe të tjera të ngjashme, ti japin atij dhe familjes statusin që i takon. Për ta kuptuar më mirë situatën ne përcjellim te miqtë tanë perëndimorë mendimin tonë se rasti i Agron Tufa për Shqipërinë është si rasti i Selman Ruzhdi për Iranin dhe meriton trajtim të njëjtë!
I kërkojmë qeverisë e shtetit të Zvicrës ti garantojë mbrojtjen e jetës z.Tufa dhe familjes së tij në Zvicër pas kërcënimeve publike të njerëzve me pushtet në Shqipëri se do ta gjejnë e ta lëndojnë edhe atje.
Në këtë ditë të të Drejtave Themelore të Njeriut i kërkojmë opinionit publik, opozitës,
mediave dhe shoqërisë civile që nuk ndjehet në konflikt interesi me krimet e komunizmit të
reagojë ndaj akteve të tilla praktika e politika terroristë, të diktuarës komuniste në Shqipëri.
Kërcënimi ndaj Tufës është për të gjithë ata që duan e respektojnë te drejtat themelore të
njeriut, lirinë, demokracinë, zbulimin e dënimin e autorëve të krimeve dhe vendosjen e
drejtësisë në vendin tonë!
Kryetari
Nebil Çika