Një 29-vjeçar u qëllua për vdekje me armë gjahu nga pronari i lokalit ku kishte pirë alkool për disa orë, në lagjen nr. 2 të Kavajës.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:20, në ambientet e një lokali, që ndodhet në katin e parë të një pallati 7-katësh, aty ndodhi një tjetër vrasje dy muaj më parë, në shtëpinë e Marsida Qatjas. Burime nga Policia e Tiranës thanë se viktima është Marjus Ismaili, 29 vjeç, proceduar më parë për tentativë vrasje, ndërsa autori i dyshuar i krimit është 60-vjeçari Xhevdet Leçini.
Mësohet se viktima dhe autori kanë debatuar me njëri-tjetrin pak momente para se të ndodhte ngjarja, pasi dyshohet të kenë qenë në gjendje të dehur. Por në një moment, situata është acaruar dhe Leçini ka marrë në shtëpi armën e gjahut, të cilën e kishte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të 29-vjeçarit Ismaili. I riu ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa autori i dyshuar ka pritur në vendngjarje derisa ka mbërritur Policia.
Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Kavajës, ku është marrë në pyetje në lidhje me krimin. Ndërsa Policia tha se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut, të cilën i dyshuari e mbante me leje.
Burimet thanë se Xhevdet Leçini banonte në katin e tretë të pallatit ku ka edhe lokalin, në ambientet e të cilit ndodhi ngjarja. Armën e gjahut, ai rezulton ta ketë marrë në shtëpi pas debatit me tone të ashpra që ka pasur me të riun, i cili prej 7 orësh po pinte në lokalin ku ndodhi ngjarja.
VIKTIMA
Marjus Ismaili është 29- vjeçari që mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme në Kavajë, pas një konflikti banal, nën efektet e alkoolit. I riu rezulton emër i njohur për Policinë, pasi ka qenë i arrestuar për “Vrasje të mbetur në tentativë” 7 vite më parë. Ismaili ishte arrestuar atëherë së bashku me shokun e tij, Retaljo Cullhaj.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 29 korrik të vitit 2012, ku Ismaili bashkë me shokun e tij kishin plagosur rëndë me thikë dy persona, pas një sherri në një lokal bastesh sportive.
Nga ana tjetër, edhe autori i dyshuar për vrasjen e tij, 60-vjeçari Xhevdet Leçini, ka qenë i arrestuar para viteve ’90, për një plagosje që ai në atë kohë kishte pretenduar se e kishte kryer për vetëmbrojtje.
Ndërsa në lidhje me vrasjen e 29-vjeçarit Ismaili, i dyshuari ka pohuar në Polici se kanë qenë të dehur të dy dhe nuk e mban mend se si ka ndodhur vrasja. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarë dhe familjarë të viktimës e të autorit.
Të afërmit e 29-vjeçarit duket se kanë hedhur poshtë pretendimet e pronarit të lokalit, duke deklaruar se Marjus Ismaili është besimtar mysliman, që frekuenton vazhdimisht xhaminë dhe nuk konsumonte pije alkoolike.
Megjithatë, Policia tha dje zyrtarisht se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes. /Panorama.al/