Nga Armand Shkullaku
Në 48 orët e para të tragjedisë, pothuajse të gjithë e ndalëm dorën për të treguar gjendjen katastrofike të shtetit shqiptar për t’iu përgjigjur si duhet një fatkeqësie natyrore të përmasave të tilla. Nuk ishte dhe nuk është koha për të prevaluar kritikat, por apeli për solidaritet, për unitet dhe për humanizëm.
Të gjithë vlerësuam ndihmën e çmuar që mbërriti nga shumë shtete, ku shkëlqeu ajo e trupave profesionale të Kosovës. Askush nuk zgjodhi të merrej me politikë, ndonëse ishte e paimagjinueshme që një qeveri që hedh qindra milionë euro për check- up e sterilizime, për PPP dhe “rilindje” urbane, nuk kishte as pajisjet më elementare për të kompletuar trupat e saj të emergjencës civile. As aparatura termike, as kamera të thjeshta për të depërtuar në rrënoja, as qen të trajnuar për raste të tilla, madje as doreza gome për ata njerëz që bënë gjithçka për të shpëtuar çdo jetë njerëzore. Nuk ishte dhe nuk është koha për t’u marrë tani me të tilla analiza.
Ishte dhe është koha për të ndërtuar ndjenjën e bashkimit. Dhe këtë duhej ta bënte i pari kryeminstri. Ai duhej të shtynte brenda vetes çdo ngacmim për të bërë politikë, qoftë edhe nëse ndihej i provokuar, duhej ta shmangte tërheqjen fatale që ka ndaj kamerave për të shpalosur deliret e tij, duhej ta kyçte protagonizmin dhe marrëzinë për të bërë propagandë në çdo kohë. Kryeministri do të duhej të ndërmerrte një akt të madh pajtimi duke thirrur një këshill apo tryezë të jashtëzakonshme, bashkë me presidentin e Republikës dhe drejtuesit e opozitës. Të bërit bashkë në fatkeqësi të tilla, është një mbështetje dhe siguri për ata mijëra njerëz që gjenden nën goditjen e fatkeqësisë.
Mirëpo Edi Rama nuk bëri asgjë nga këto. Ai nuk e la t’i ikë rasti, kur edhe në sfondin e rrënojave, zgjodhi fjalët për të shigjetuar kundërshtarët politikë apo për të justifikuar koncensionin e rrugës së kombit. Ai, me xhupin e kombëtares veshur, u kujdes të marrë rolin e protagonistit, duke shmangur madje edhe krijimin e një zyre të informimit të publikut. Dhe kulmin e mbërriti mbrëmjen e djeshme, (do ta kishte patur zili edhe Erjon Velija), kur pasi përzgjodhi sfondin e duhur dhe caktoi vendosjen e kamerave në terren, u shfaq si rastësisht përpara Sokol Ballës për të qëndruar gati 40 minuta live në prime time. Për të na treguar ndershmërinë dhe ndjeshmërinë e tij si kryeministër i shqiptarëvve.
Pa asnjë respekt për ata dhjetra gazetarë, që kanë mbi tre ditë që raportojnë live në kushte tepër të vështira, pa thënë asnjë fjalë falenderimi për ato media që po bëjnë punën që do duhej të bënte një zyrë shtypi e shtabit të emregjencave, pa kërkuar ndjesë për kaosin e raportimit zyrtar, që ende nuk di të thotë me saktësi sa persona janë të pagjetur dhe sa godina gjenden në rrezik, kryeministri kërcënoi se do ta përdorë gjendjen e jashtëzakonshme për të mbyllur ekrane e portale që nuk i shkojnë pas fotove dhe pozave të tij të propagandës. I dehur nga pushteti, ai harroi madje se ligji për gjendjen e jashtëzakonshme për fatkeqësi natyrore, nuk ia jep një fuqi të tillë.
Shqiptarët nga kryeministri i tyre, në këtë tragjedi që i ka goditur, nuk presin as demonstrimin e forcës së pushtetit të tij dhe as intervistat propagandistike. Ata duan të dinë si po organizohet strehimi, ushqimi dhe ndihma mjekësore për të prekurit nga tërmeti. Ku duhet t’i depozitojnë ndihmat apo paratë dhe kush është zyrtari përgjegjës për administrimin e tyre. Cilat janë vendet e ndihmës së parë, numrat e emergjencës dhe ekipet mjekësore pranë zonave të goditura. Ata duan të dinë se cili është plani për ndërtimin e banesave të reja dhe si do të veprohet që njerëzit të kenë sa më parë një vend ku të fusin kokën.
Mirëpo në vend të këtyre, kryeministri i ngushëlloi “i prekur” se i do të gjithë ata njësoj si fëmijët e tij. Në fakt, e vetmja gjë që do dëshironim, është që kryeministri mos të na dojë si fëmijët e tij, por të na respektojë si qytetarë me taksat e të cilëve ka marrë obligimin të administrojë vendin. Në vend të dashurisë prindërore, të shfaqi përgjegjësinë të cilën ka marrë përsipër si kryeministër. Nuk e kemi votuar si baba, por si politikan që është i detyruar të zbatojë angazhimet që ka si pari i qeverisë.
Nuk ishte dhe nuk është koha për t’u marrë sot me Edi Ramën, por ai ka aftësinë e papërballueshme për të shkelmuar edhe mundësinë e një ringritje besimi, solidariteti e frymëzimi human që prodhojnë tragjedi të tilla. Të paktën për disa orë të kishte heshtur dhe të largohej nga kamerat. Shqiptarët sot kanë nevojë të ndjejnë njëri- tjetrin. /lapsi.al