Nga Boldnews.al
Ende sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar shekuj mbahet mend ajo që quhet “taksa e zhizes”, e vendosur nga administrata e Perandorisë Osmane, koha ka kaluar, por një “otoman i ri” që shet modernistet në rrjetet sociale, ka përkulur me barrën e rëndë të taksave dhe tarifës së rritur të shërbimeve çdo qytetar të Tiranës.
Xhizja ka qenë detyrim për kokë që vilej për llogari të shtetit osman vetëm nga shtetasit jomyslimanë të moshës 15-75 vjeç. Xhizja ishte shprehje e politikës së diskriminimit që ndoqën osmanët ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të shtypur të Ballkanit.
Është hequr vetëm fjala “jo myslimanë” pasi taksën për kokë pa na e vjel Bashkia Tiranë në çdo frymëmarrje, madje nga lindja deri në vdekje. Janë rreth 180 milionë euro që bashkia më e pasur në vend siguron vetëm brenda një viti nga taksat e qytetarëve, përfshi edhe të biznesit.
Shumë qytetarë lumturohen nga disa vijëzime në rrugë, ndonjë shkurre e mbjellë në atë pak vend që ka mbetur për gjelbërim, pistë biçikletash ku përplasen kalimtarët, apo vaditje bari buzë Lanës. Por edhe barra e rëndë e taksave nuk i mjafton Lali Erit? Arrihet deri në atë pikë sa jo vetëm qytetarët detyrohen të fryjnë arkën e pasur të bashkisë, por edhe të paguajnë për shtatë apo dhjetë vitet e ardhshme oligarkët që me PPP-të e bashkisë do na rrënojnë sërish në atë pak buxhet që ka çdo familje.
Vetëm për katër shkolla në Tiranë është dhënë koncesioni për 14 milionë euro. Nuk kishte si të mungonte as Lali Eri me PPP-të e famshme që shpiku Rilindja. Emra të njohur të biznesit pranë qeverisë i kanë siguruar këto projekte që kushtojnë qindra milionë euro për një vit.
Por Lali ynë nuk e ndan “taksën e xhizes”, ta vjel edhe në një formë tjetër shumë të pabesë, e mbi të gjitha aspak të drejtë, pasi qytetarët paguajnë dy taksa për të njëjtin qëllim. Prej kohësh në faturat e ujit të pijshëm është edhe (taksa e përkohëshme e arsimit”. Një barrë e madhe shtesë që nuk duhet të ekzistonte dhe nëse do kishte një shtet ligjor, një Gjykatë Kushtetuese të pavarur (në fakt nuk kemi fare Gjykatë Kushtetuese), kjo taksë do ishte hequr me kohë.
Pra ai qytetari i Tiranës, përfshi edhe atë të periferisë në zonat rurale paguan shtesë për arsimin, ka ose jo fëmijë në shkollë. “Duhet të jemi solidarë”-shprehet shpesh i ngijuni nga të katër anët, kreu i Bashkisë së Tiranës.
Taksat e vjelura ikin për betonizimin e vendit, për vepra publike që kushtojnë sa qimet e mbetura të kokës së çdo qytetari të kryeqytetit dhe shumë të tjera për propagandë. Është institucioni me më shumë punonjës propagandistëve, kameranë, fotografë, nëpunës që paguhen për të parë çdo media që kritikon Lalin, “minj magazinash” që marrin pagë nga bashkia vetëm për të sharë dhe kundërshtuar ne rrjetet sociale. Gjithashtu këtu nuk llogaritet ajo pasuri e madhe me kamera, dronë, kranë, studio montazhi, aparatë fotografikë profesionale dhe çdo formë tjetër mbështetëse. Vetëm propagandë, çdo ditë një kronikë, çdo çast një pamje e Lali Erit.
Ka edhe më rëndë se vetë taksa. Kulmi më i madh, ku një njeri me pak karakter do skuqej në fytyrë është mashtrimi se me rritjen e tarifës së ujit të pijshëm deri në 40 % më shumë për katër vite Tirana do kishte 24 orë ujë pa ndërprerje. U provua vetëm që sapo shkoi, kur mijëra familje në Tiranë jo vetëm e paguanin shumë shtrenjt tarifën e ujit, por për ditë të tëra pikë uji nuk patën në banesa.
Batërdia e madhe shkoi deri në atë pikë sa për shkak edhe të ndotjes së ujit, apo mungesës së saj, qindra fëmijë dhe të moshuar u dërgjën spitaleve, por Bashkia si institucioni përgjegjës për këtë “epidemi abuzimi” jo vetëm nuk mbante përgjegjësi, por luante me nervat e qytetarëve duke paraqitur pamje dhe foto në rrjetet sociale sesi po furnizohej Tirana me ujë.
Otomanin e kemi mes nesh, por me veshje allafrënga në publik, por si një kadi që vendos si të rëndojë qytetarët, duke u rrëmbyer me taksa dhe tarifa edhe ata pak të ardhura që sigurojnë me shumë mund.