Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë fundjavë që kaloi në qytetin bregdetar të Vlorës, pasi një vajzë 14 vjeçare, në klasën e nëntë në një nga shkollat e qytetit, sipas mjekëve të spitalit, ka pirë ilaçet e zemrës së babait të saj, dhe ka humbur jetën.
Vajza me inicialet E.H. u paraqit në spital nga familjarët e saj ditën e premte, thuajse në gjendje kome. Prindërit u thanë mjekëve se kishte pirë disa nga ilaçet e të atit. 24 orë pasi qëndroi në kujdesin e mjekeve, kishte filluar shenjat e para të zgjimit, por më pas, kishte rënë prapë në koma derisa zemra pushoi përgjithmonë të dielën në mbrëmje.
Adoleshentja, sipas asaj që u deklarua para mjekëve të spitalit, ka pasur probleme në familje dhe në gjendje të rënduar psikologjike, nuk e ka duruar presionin duke i dhënë fund jetës.
“Nuk besojmë se vajza ka pirë pak ilaçe. Ilaçi i përdorur prej saj ka mortalitet të ulët, rreth 0.2 përqind, nëse përdoret në doza të vogla. Por prindërit na kanë gënjyer’” thonë nga spitali duke konfirmuar se vajza ka pirë më shumë ilaçe sesa pretenduan prindërit përderisa vajza humbi jetën dy ditë pas qëndrimit në spital.
Gazetari i Vlorës Ergys Alushi tregon ngjarjen për miqtë e tij, duke bërë thirrje për më shumë ndjeshmëri të prindërve ndaj fëmijëve të tyre, sidomos në moshën e adoleshencës.
Shkruan Ergys Alushi
Dje, u percoll për në banesën e fundit një vajzë 14 vjeçe, nxënëse në klasën e nëntë, në një nga shkollat në qendër të qytetit.
Kreu vetvrasje duke pirë një sasi të konsiderueshme ilaçesh dhe mjekët nuk arritën dot ta shpëtonin.
Ngjarja e rëndë kaloi në heshtje për qytetin, i cili duket se ka humbur interesin dhe ndjeshmërinë për gjithçka që ndodh në qytet, të mirë apo të keqe.
Vetvrasja e 14 vjeçares është një këmbanë alarmi dhe nuk është një rast i veçuar.
Mjafton të shikoni dhe kuptoni se çfarë realiteti ekziston në pjesën më të madhe të shkollave nëntëvjeçare të qytetit.
Stafet arsimore interesohen vetëm për nota, cilësi e kalueshmëri sepse ju duhen për statistika.
Prindërit, familjet interesohen vetëm për t’u siguruar udhqimin fëmijëve, sigurimi i të cilit veshtirësohet nga dita në ditë.
Familja ka mbetur e vetme fillikat në këto kohë të vështira që po jetojmë, e rrethuar nga veshtirësi e presione të shumta.
Gjithçka tjetër është jashtë kontrollit për një moshë kaq delikate sa janë 12-15 vjeçarët.
Kushdo që të ketë qenë shkaku u vetvrasjes së vajzes 14 vjeçe, ai duhet të bëhet publik e të shërbejë për të shmangur raste të tjera, pasi deri tani ka patur dhe tentativa të thera vetvrasje të kesaj moshe, por që fatmirësisht nuk kanë perfunduar me humbjen e jetës.