Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përjashtuar nga sistemi i drejtësisë gjyqtari në Gjykatën e Apelit të Durrësit Arjan Balliu.
Trupa Gjykuese përbëhej nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine, Roland Ilia.
Një raport negativ i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, për pasurinë e tij, u gjet i bazuar në pjesën më të madhe edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjyqtarit iu vu në dukje se ILDKPKI e kishte gjetur atë në dy raste konflikti interesi, po ashtu për disa pasuri të tij ishin konstatuar fshehje dhe mosdeklarime, ndërsa në disa raste edhe deklarimi i rremë në deklaratat vjetore ose atë për llogari të vetingut. Relatori tha se gjetjet e Inspektoratit kishin qëndruar edhe gjatë hetimit të Komisionit. Ilia vuri në dukje se nga analiza financiare Balliu kishte rezultuar me bilanc negativ prej 11.7 milion lekësh.
Balliu kundërshtoi gjetjet dhe fajësoi ILDKPKI se kishte hetuar më herët dhe nuk i kishte vënë në dukje asnjë problem. Ai iu referua disa herë paqartësive në ligjin për deklarimin e pasurisë dhe kundërshtoi akuzën se ishte në konflikt interesi.
Gjatë relatimit po ashtu u përmendën gjetje që kishin të bënin me bashkëshorten e subjektit Rezarta Balliu (Vigani), po ashtu gjyqtare. KPK vuri në dukje mosdeklarimin nga ajo e një apartamenti të blerë nga Balliu në kohën kur ishte avokat në vitin 2007.
Balliu kundërshtoi në seancë edhe gjetjet që dukej se ngarkonin bashkëshorten e tij me probleme.
Gjatë seancës dëgjimore, e cila ishte shtyrë pas kërkesës së Balliut për të përjashtuar relatorin Roland Ilia, u vu në dukje se kjo kërkesë ishte rrëzuar nga një trupë tjetër gjykuese. Balliu po ashtu po gjykohet edhe nga Xhensila Pine, kryesuese, dhe Valbona Sanxhaktari, relatore.
Arjan Balliu e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2000. Më pas, zoti Balliu ka punuar si drejtor i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave. Nga viti 2004 Balliu ka ushtruar profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 është emëruar inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është rikthyer në sistemin gjyqësor në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.
Probleme me apartamentet
Gjatë relatimit u vu në dukje se transaksionet e lidhura me tre apartamente ishin ndër problemet kryesore të Balliut. KPK vuri në dyshim burimin e ligjshëm për blerjen e tyre, tha se kishte gjetur deklarim të rremë, mosdeklarime, dyshime për fshehje pasurie dhe vuri në dukje mundësinë e veprimeve fiktive. Po ashtu probleme u gjetën edhe për një garazh.
Sipas relatorit bëhej fjalë për një apartament 70.8 metra blerë në fillim të viteve 2000 në Tiranë për 28 mijë dollarë, një tjetër i blerë për 2 milion lekë në të njëjtën zonë me gati të njëjtat përmasa dhe një apartament në një fshat të Kavajës, marrë me kontratë shitje, por që pretendohej i përfituar nga një kontratë shkëmbimi trualli me ndërtim.
Relatori Ilia tha se në blerjen e një apartamenti 70.8 metra në fillim të viteve 2000 kishte deklarime të ndryshme në vitin 2003 dhe deklarime të ndryshme në deklaratën veting. Paqartësitë rezultonin kryesisht të lidhura me 15 mijë dollarë që Balliu pretendonte se i kishte marrë nga vjehrri. Në vitin 2003 ato ishin deklaruar si burim i apartamentit, por në deklaratën veting dhe gjatë seancës Balliu pretendoi se këto para ishin përdorur për shpenzime të tjera familjare.
Po ashtu KPK vuri në dukje dyshimet nëse babai i Balliut kishte pasur të ardhura të ligjshme për të ndihmuar atë në blerjen e apartamentit. Nga seanca rezultoi se ai kishte dhënë rreth 1 milion lekë për apartamentin në fjalë të blerë për 28 mijë dollarë.
Balliu vetë pretendoi në këtë pikë se kishte pasur të ardhura nga kursimet dhe po ashtu dhurimin nga babai. Ai tha se i ati kishte punuar në emigracion, por nuk kishte dokumente të tjera veç pasaportës që provonte qëndrimin në Greqi. Ai tha se duhej të konsiderohej në pamundësi objektive për të paraqitur dokumentacion. Ai po ashtu pretendoi të ardhura nga kompania VEFA dhe tha se këto para ishin vendosur në firmën piramidale dhe prej tyre ishin marrë interesa ndërsa më pas babai ia kishte dhuruar atij shumën. Ai pranoi se nuk kishte dokument për këtë dhurim.
Ai pretendoi po ashtu se KPK duhej ta konsideronte në pamundësi sa i përket të ardhurave nga puna e tij si hetues në Pogradec në fillim të viteve 90’, pasi arkivat ishin djegur. Duke iu referuar shumë se bërë dhuratë nga vjehrri ai bëri një pasqyrë të gjatë të të ardhurave të pretenduara të vjehrrit dhe vjehrrës. Ai tha se kishte gjetur disa kontrata nga qiratë që provonin të ardhurat e tyre në shumën prej rreth 44 milion lekësh dhe rreth 13 mijë dollarë.
KPK nga ana tjetër vuri në dukje se marrëdhënia e tij financiare me vjehrrin dhe vjehrrën ishte “e dyshimtë”. Nga një anë sipas KPK-së Balliu kishte blerë apartamentin dhe deklaruar fillimisht si burim shumën prej 15 mijë dollarë si dhuratë nga vjehrri përfshi edhe dhurime të tjera, në anën tjetër në vitin 2012 ai ia kishte shitur këtë apartament vjehrrës për 8.8 milion lekë.
Balliu kundërshtoi pretendimin se bëhej fjalë për një shitje fiktive. Ai pretendoi se paratë e dhuruara nuk ishin përdorur për apartamentin pasi ai ishte blerë më herët. Ai po ashtu vuri në dukje se prindërit e bashkëshortes kishin mbetur pa shtëpi në këtë kohë, pasi banesa e tyre u ishte kthyer pronarëve dhe se kjo shpjegonte shitjen e apartamentit.
Apartamenti i dytë i blerë për 2 milion lekë po ashtu ishte i dyshuar për një kontratë fiktive. KPK bëri me dije se çmimi ishte mjaft i ulët për zonën dhe se Balliut i kishin munguar të ardhurat për këtë pasuri. Po ashtu u vu në dukje se ishte deklaruar me çmim të ndryshëm, pasi në deklaratën vjetore ishte deklaruar 2.9 milion dhe në atë veting për 2 milion.
Gjyqtari pretendoi se e kishte blerë apartamentin nga një kompani të cilës i kishte ofruar shërbime avokatie në kohën që ishte avokat. Ai tha se kompania nuk kishte pasur mundësi të paguante. Ai kundërshtoi po ashtu dyshimet mbi pagesën e tatimeve për punën e tij si avokat, për të cilën KPK tha se nuk ishin gjetur në tatime.
Ai pretendoi se apartamenti ishte marrë karabina dhe se ai kishte shpenzuar 900 mijë lekë shtesë, por se ketë nuk e kishte deklaruar në veting pasi në formular nuk kishte hapësirë të posaçme për këto shpenzime.
Për këtë apartament KPK po ashtu vuri në dukje se bashkëshortja e Balliu po ashtu gjyqtare nuk e kishte deklaruar në vitin 2007 kur ishte bërë kontrata. Balliu pretendoi se nuk kishim fshehje pasurie pasi ai e kishte deklaruar apartamentin në vitin 2009 me fillimin e detyrës si Inspektor dhe cilësoi këtë rast dhe disa probleme të tjera si pasaktësi që nuk mund të konsideroheshin fshehje.
Ndërkohë për apartamentin në Kryevidh Kavajë, KPK tha se teorikisht ai ishte përfituar nga një kontratë shkëmbimi trualli e nënën së bashkëshortes. Por Komisioni gjeti se apartamenti ishte marrë me një kontratë shitblerje drejt për drejt nga bashkëshortja dhe jo në pallatin në të cilin nëna e bashkëshortes kishte dhënë tokë. KPK tha se kishte dyshime për një kontratë që shmangte pagesën e tatimeve.
Balliu pretendoi se nuk kishte shmangur tatimet për këtë apartament dhe se veprimi ishte zgjidhur si një prej mundësive ligjore që ata kishin për të marrë apartamentin.
Konflikti i interesit
Gjatë relatimit u vunë në dukje dy momente të konfliktit të interesit. Një prej rasteve kishte të bënte me qenien e Balliut relator në një gjykim ndaj A. Gjatës. Emri u përmend nga vetë gjyqtari gjatë leximit të mbrojtjes, ndërsa u bë me dije se ai kishte qenë përfaqësues me prokurë i kompanisë të cilit gjyqtari i kishte blerë në vitin 2007 apartamentin për 2 milionë lekë.
Sipas relatimit A.Gjata ishte personi me të cilin Balliu kishte lidhur kontratën e shitblerjes së një apartamenti në vitin 2015, të marrë nga një kompani ndërtimi për 2 milionë lekë. Më herët në relatim KPK ngriti dyshime si për çmimin e apartamentit që sipas relacionit ndodhej në një nga zonat më të shtrenjta në Tiranë.
Balliu ishte relator në çështjen e prokurorisë kundër Gjatës në vitin 2016 për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm”. Gjata ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Faktit dhe Apeli, bazuar në relatimin e Balliut si gjyqtar relatorë, kishte lënë në fuqi këtë vendim.
Gjyqtari gjatë kundërshtimeve të tij tha se nuk kishte pasur konflikt interesi pasi A.Gjata kishte qenë vetëm përfaqësues me prokurë i kompanisë së ndërtimit dhe jo personi që i shiste apartamentin. Ai tha se nuk kishte pasur marrëdhënie biznesi me Gjatën dhe për pasojë as konflikt interesi në çështjen e gjykuar prej tij.
Rasti i dytë i konfliktit kishte të bënte me faktin që Balliu kishte vijuar të figuronte i regjistruar si avokat në Qendrën Kombëtare të Biznesit edhe pasi ky i fundit kishte filluar punë si Inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Balliu pretendoi se kishte depozituar dokumente për çregjistrim menjëherë pas emërimit. Ai tha se pas emërimit nuk kishte punuar më si avokat dhe se nuk figuronte as të kishte paguar taksa apo të kishte kryer veprime të tjera. Ai tha se çregjistrimi i vonuar ishte për faj të institucioneve shtetërore dhe se ai nuk duhej të mbante përgjegjësi për këtë.
Analiza financiare dhe likuiditete
Gjyqtarit Balliu ju vu në dukje gjatë seancës dëgjimore se një sërë likuiditetesh të pretenduara prej tij nuk ishin njohur si të ligjshme nga KPK. Komisioni tha se dukej se për të ardhurat nga qiratë dhe të ardhura të tjera nuk ishin paguar tatimet.
KPK po ashtu vuri në dukje mosdeklarimin e gjendjes cash në vite dhe pretendimin në deklaratën veting për pasjen e kësaj gjendje. Balliu ashtu si edhe gjyqtarë të tjerë pretendoi se nuk kishte pasur detyrim për të deklaruar gjendjen cash. Ai po ashtu pretendoi se kishte paqartësi dhe mungesë informacioni nga ILDKPKI për plotësimin e formularëve dhe gjetjen në to të gabimeve, ndërsa pretendoi se deklarimi i shitjes së apartamentit nënkuptonte edhe pasjen e gjendjes cash.
Relatori vuri në dukje ndër të tjera problemet që dilnin nga një shumë parash e kursyer si bono thesari nga bashkëshortja. Balliu pretendoi se një pjesë e shumës kishte qenë e babait të gjyqtares dhe se i ishte kthyer atij pas.
Vënies në dukje të bilancit negativ prej 11.7 milionë lekësh Balliu iu përgjigj duke pretenduar se nuk i ishin llogaritur të ardhurat nga puna si avokat dhe ishte konsideruar padrejtësisht se nuk kishte paguar tatime dhe se po ashtu i ishin vënë shpenzime më të larta. Ai pretendoi se shpenzimet për mobilimin duhej të ndaheshin në disa vite. Ai po ashtu pretendoi kurs të ndryshëm dollarit dhe tha se kishte blerë dollarë me rrogën për disa vite dhe jo vetëm para blerjes së apartamentit prej 28 mijë dollarësh.
Në fund të seancës Balliut iu kërkua nga vëzhguesja e ONM, Mia Roessingh të shpjegonte edhe njëherë marrëdhënien mes tij, prindërve të bashkëshortes dhe po ashtu situatën e një apartamenti në të cilin ai banonte, por që nuk e kishte deklaruar në përdorim. Balliu këmbënguli në të njëjtin version. Ai tha se paratë e marra nga vjehrri dhe të deklaruara në vitin 2003 nuk kishin shërbyer për apartamentin që i ishte shitur vjehrrës për 8.8 milion në vitin 2012. Ai tha se prindërit jetonin në apartamentin ku ai ishte pronar me 1/3, ndërsa ai jetonte në apartamentin e babait të tij. Ai tha se kishte konsideruar si të deklaruar apartamentin pasi e kishte përdorur atë si adresë në formularin e vetëdeklarimit.
Ai kërkoi në fund që të hetohej edhe në dy kriteret e tjera dhe që KPK të dilte në përfundimin që pasuria e tij ishte e ligjshme.
Kujtojmë se Balliu shfuqizoi vendimin e gjyqtares Mimoza Margjeka dhe konfirmoi Valbona Sakon si kryebashkiaken e re të Durrësit, e dalë nga votimet e 30 qershorit.