Nga Boldnews.al
Në një simpozium rutinë në Gjermani, diku në fundin e vitit 2011, ku flitej për historinë dhe letërsinë, në podium u shfaq një gjeneral, ishte atasheu ynë ushtarak në Gjermani Sandër Lleshaj. Salla mbante vesh, e diku nga rreshti i parë në zonë nderi qëndronte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, që për një moment u mahnit nga mënyra si fliste dhe referencat që sillte në “leximin e librave” ky ushtarak. Kjo ishte pika e kthesës së gjeneralit tonë, që nga ai moment artin e luftës e ktheu në art për të bërë politikë.
Një vit më vonë, kur vendi ishte në garën e ethshme për President të Republikës u shfaq emri i Sandër Lleshajt. Edi Rama në atë kohë në opozitë, tentoi të gjente një marrëveshje politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe si gjithnjë, për të hedhur një shashkë, të “plasur” edhe herë të tjera, i kërkoi shkrimtarit Ismail Kadare që të pranonte të ishte si kandidaturë për president.
Shkrimtari refuzoi kategorikisht, gjë të cilën e kishte bërë edhe më parë, por për të mos e lënë vendin në këtë “kaos”, propozoi një emër tjetër për president: “Është gjeneral Sandër Lleshaj që i plotëson kushtet për të qenë president i vendit”-besohet t’i ketë thënë Kadare liderit të atëhershëm të opozitës Edi Rama. Për herë të parë Lleshaj u përmend në sallonet e ndyra të politikës pas “referencave” të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
Në këtë mënyrë, PS doli me emrin e Lleshajt si alternativë për president konsensual, por hasi në vendimin e prerë të kryeministri Sali Berisha për ta rrëzuar si kandidaturë, pa e marrë fare në shqyrtim për një votim të mundshëm në Parlament. Atëkohë Sandër Lleshaj mbante postin e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Sandri ynë e shfrytëzoi këtë moment për të bërë politikë, të imagjinohet që nga një personazh anonim, nën petkun e përhershëm të ushtarakut, dikur me kambale veshur pa asnjë spaletë mbi supe dhe vonë me grada madhore, të kalonte në gojën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, e mbi të gjitha të të “madhit’ politikan Edi Rama.
Nuk vonoi gjatë dhe lindën përplasjet në Ministrinë e Mbrojtjes, ku vetëm gjashtë muaj pasi emri i tij u propozua nga Rama si kandidat për president, numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë u shkarkua. Me ardhjen e Ramës në qeveri, Sandër Lleshaj shëtiste gjykatave si i papunë dhe në kërkim për rikthim në detyrë sipas tij për shkarkim të padrejtë dhe të merrte gjithashtu si dëmshpërbblim disa rroga shtesë.
Zuri vend menjëherë në kabinetin e Ramës si këshilltar për çështjet e sigurisë. Qëndronte si një hije në zyrë dhe përpiqej të afrohej sa më shumë me njeriun që e kishte “qasur në ditë të vështira”, kryeministrin Edi Rama.
Radha i erdhi pas dy ministrave të brendshëm të shkarkuar njëri pas tjetrit, të Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafajt, që të dy të akuzuar për përfshirje direkte dhe indirekte në trafikun e drogës. Lleshaj është diplomuar në vitin 1985 në Shkollën e Lartë të Oficerëve në Tiranë në degën e Radiolokacionit, dhe duket si një “njohës i mirë” i koordinatave, ai diti ku dhe pranë kujt të qëndronte…
Që nga nëntori i vitit 2018 Lleshaj ka hequr përfundiimisht uniformën e ushtarakut duke veshur përgjithnjë atë të Rilindasit, “ushtarit” të bindur të kryeministrit Edi Rama. Ministri Sandër Lleshaj u anatemua fort jo vetëm nga opozita por edhe qytetarët nga mënyra si i trajtoi protestat e opozitës, ku në mënyrë të beftë nxorri nga arsenali i armatimeve një sasi të madhe gazi lotsjellës për ta hedhur në mënyrë çnjerëzore mbi qytetarët, si ndaj atyre më agresiv, por mbi të gjithë mbi qytetarët paqësorë që merrnin pjesë në protestë.
I mësuar me ketë formë, ministri e ktheu në “sport” përdorimin e gazit lostsjellës dhe mësymjen e mëpasme me shkupinj gome të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nuk hezitoi aspak që gazin ta lëshonte edhe brenda banesave ku gjendeshin fëmijë, gra, mes tyre edhe shtatzëna dhe të moshuar. Padyshim që kjo ishte në kufijtë e gjenocidit, por ministri i brendshëm Sandër Leshaj jo vetëm e justifikon këtë metodë terrori, por do e ashpërsojë edhe më shumë.
Me një ftohtësi të frikshme, në daljen e fundit publike Lleshaj kërkoi më shumë kompetenca që ti merrte në duar policia. Me ndryshimet ligjore synohet që strukturat e rendit të kenë të drejtë që të shoqërojnë, kryejnë kontrolle, mbajnë në përgjim për një kohë të caktuar dhe mësyjnë në banesa pa pasur nevojën e vendimit të gjykatës apo urdhrit të prokurorisë.
Deri në këtë pikë kjo po shitet si formë për të luftuar grupet e fuqishme të krimit të organizuar, por me atë që ka treguar realiteti i dhimbshëm shqiptar, veçanarisht në gjashtë vitet e fundit, segmente të caktuara të policisë, që për bindje kanë Rilindjen dhe jo ligjin mund të kthehen në rrezik serioz në shkeljen e lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Organizatat kriminale po dalin dita ditës se i ka të lidhura me partinë që përfaqëson, kupola policore nën dyshime të forta për lidhje me trafikantë, kanabisi dhe kokaina kalon nën miratimin e bosëve të mëdhenj të policisë, e akoma më rëndë të politikës, ndërsa Lleshaj sot mburrjen më të madhe ka hedhjen e gazit lotsjellës mbi protestues dhe shoqërimet e dhunshme.
Nodh edhe kështu që ta kemi dhuratë këtë personazh nga një njeri i madh i letrave shqipe si Ismail Kadare, ku me ato çfarë po ndodhin, rastësia e një fjale në një simpozium pa asnjë vlerë në Hamburg të Gjermanisë na la dhuratë një individ që mjetet e dhunës po i përdor në mbrojtje të një mendësie qeverisëse që çdo uzurpon pushtete dhe shkel lititë dhe të drejtat e qytetarëve.