Çdo femër është e veçantë prandaj edhe simptomat dhe vështirësitë që u paraqiten gjatë shtatëzënisë janë të ndryshme tek secila shtatëzënë.
Megjithatë ekzistojnë disa vështirësi që janë më të zakonshme dhe paraqiten në periudha të caktuara të shtatëzënisë. Në vazhdim mund të informoheni se cilat vështirësi e përcjellin shtatëzëninë, farë i shkakton dhe si të liroheni nga ato…
Përzierja
Përzierja dhe të vjellat paraqiten tek shumica e femrave shtatëzëna, edhepse mendohet se ky problem paraqitet vetëm në mëngjes ka mundësi që të ju shoqërojë gjatë tërë ditës. Tek disa persona ky problem nuk paraqet pengesë të madhe ndërsa tek disa të tjerë komplikohet me të vjella që mund të jenë aq të shpeshta saqë kërkojnë shtrim në spital dhe zëvendësim të lëngjeve të humbura.
Arsyeja e paraqitjes së përzierjes nuk dihet por supozohet se vjen nga rregullimi hormonal që nga java e pestë dhe zgjat deri në javën 14, me raste mund të vazhdojë gjatë tërë shtatëzënisë. Nëse vjellni 4-5 herë në ditë, nuk ushqeheni, nuk konsumoni lëngje, humbasni në peshë, atëherë ky problem mund të përbëjë rrezik nga dehidrimi. Në rast të tillë, lajmërohuni tek mjeku juaj i cili do të vlerësojë se a do të duhet të shtriheni në spital që të zëvendësoni lëngjet e humbura dhe vitaminat. Nëse nuk mundeni të ndaloni përzierjen dhe vjelljen atëherë mund të ulni intenzitetin e tyre duke ngrënë më shpesh dhe më pak, ushqim pa mëlmesa që nuk ka aromë të fuqishme, të pini më tepër lëngje dhe të hani mëngjes para se të ngriteni nga shtrati, të mos pini duhan dhe të shëtiteni më tepër në ajër të pastër.
Pagjumësia
Pagjumësia është një problem i shpeshtë gjatë shtatëzënisë, posaqërisht në gjysmën e dytë të saj. Që të zgjidhni këtë problem, provoni të jeni më aktive fizikisht gjatë ditës meqë lodhja fizike është parakusht që t`ju kap gjumi. Nëse jeni mësuar të fleni mbi stomak, ju duhet patjetër që të ndryshoni shprehinë tuaj dhe të mësoheni të fleni në krah pasiqë edhe shtrirja në shpinë mund të jetë e dëmshme për foshnjen pasiqë e bllokon qarkullimin e gjakut deri te foshnja. Që të shmangeni nga urthi atëherë mos hani rëndë, hani më pak dhe më lehtë, dhe mos flini menjëherë pas darkës. Mundohuni që të shmangeni nga ngrohja e tepërt e dhomës dhe tharja e ajrit pasiqë do ju zihen hundët dhe do keni probleme me gjumin.
Dhimbjet
Dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës janë gjë e zakonshme gjatë shtatëzënisë ndërsa paraqitet si shkak i peshës së shtuar dhe ndryshimit të qëndrimit trupor, mirëpo në disa raste mund të jetë paralajmërues i lindjes së parakohshme. Nëse ju dhemb shpina duhet që patjetër ta lajmëroni mjekun që të kuptohet nëse shkaktari është ndonjë komplikim para lindjes. Në raste të dhimbjeve të zakonshme duhet të shmangeni nga konsumimi i medikamenteve kundër dhimbjes dhe duhet që të koncentroheni në përforcimin e muskujve të shpinës dhe të murit të stomakut me stërvitje të ndryshme, shmanguni nga taket e larta dhe mbani mbathje të rrafshëta, mos qëndroni gjatë kohë në këmbë, drejtoni shtatin dhe këmbët, flini në shtroje të fortë me jastëkun nën bark apo në mes të gjunjve që gjithçka të jetë e rrafshët. Dhimbjet mund të ju paraqiten edhe në gjinjë për shkak se bëhen shumë më sensitive andaj edhe duhet të përdorni sytjena që i përshtaten madhësisë së gjinjve gjatë shtatëzënisë. Gjatë javës së dhjetë të shtatëzënisë mund të ju paraqiten disa dhimbje në pjesën e poshtme të barkut ndërsa paraqiten për shkak të tendosjes së ligamenteve që mbajnë mitrën.
Probleme me frymëmarrjen dhe dispepsinë
Në raste që ndjeheni sikur nuk mund të merrni frymë sa keni nevojë duhet të konsultoheni me mjjekun, në disa raste edhe em kardiologun. Duhet të keni kujdes se si e mbani trupin tuaj dhe duhet të jeni e vëmendëshme me peshën trupore. Gjatë shtatëzënisë mund të paraqiten probleme me jashtëqitjen si rezultat i ndryshimeve hormonale si dhe si mungesë e lëvizjes dhe tëtë ushqyerit e rregullt. Është me rëndësi që të konsumoni ushqime të pasura me fibra, pemë dhe perime të freskëta, të pini sa më tepër lëngje si dhe të bëni lëvizje të mjaftueshme. Kur keni probleme me dispepsinë mos i merrni gjërat në duart e juaja por shkoni të konsultoheni fillimisht me mjekun për mos të shkaktuar ndonjë problem tjetër anësor.
Marramendje, kokëdhembje dhe lodhje
Kur ngriteni në këmbë papritmas ,shpeshherë keni marramendje andaj edhe duhet të keni kujdes që të mos rrëzoheni. Femra moderne ka lodhje më të madhe gjatë shtatëzënisë për shkak se duhet të jetë punëtore e mirë, grua e mirë, amvise e mirë dhe të kujdeset për pjesën tjetër të familjes… andaj ju duhet më tepër pushim dhe të shfrytëzoni kohën e lirë në relaksimin e trupit dhe mendjes. Lodhja që e ndjeni mund të vijë edhe i pasojë e gjakut të dobët andaj konsultohuni me mjekun që të bëni kontrollet e duhura. Kokëdhembjet në shtatëzëni mund të jenë pasojë e statusit hormonal apo edhe të ndonjë sëmundjeje të rrezikshme andaj nëse përnjëherë filloni të fitoni në peshë, të ju rritet tensioni i gjakut, të urinoni më pak, të keni duar dhe këmbë të enjtura, fitoni kokëdhembje të përcjellë me përkeqësim të shikimit- menjëherë lajmërohuni tek mjeku.
Probleme me ekstremitetet
Keni shtrëngime në këmbë? Flisni me mjekun rreth asaj nëse duhet të merrni kalcium dhe magnezium si dhe ngritni këmbët në çdo moment të lirë gjatë ditës. Nëse ndjeni pickime në duar, gjë që zakonisht ndodh pasi të zgjoheni, duhe ttë jeni më e vëmendshme me pozitën në të cilën fleni dhe bëni më tepër ushtrime fizike. Nëse edhe mëtutje keni pickime, konsultohuni me mjekun. Nëse keni këmbë të enjtura ju duhet të flisni me mjekun ndërsa për të zbutur enjtjen duhet të ngritni këmbët lartë në çdo moment të lirë ndërsa kur jeni ulur duhet ti mbani mbi nivelin e dyshemesë. Mos i dëgjoni këshillat që thonë se konsumimi i lëngjeve kontribuon në enjtjen e mëtutjeshme, pini sa të mundeni lëngje. Mundohuni të bëni stërvitje fizike.
Enë të zgjeruara të gjakut
Gjatë shtatëzënisë mitra rritet dhe ju bën presion enëve të gjakut në pjesën e legenit, gjë që shton presioni në venat e këmbëve dhe mund të sjellë zgjerimin e tyre. Nëse keni vena të gjeruara para shtatëzënisë ju duhet të informoni mjekun që të mund të përcjellë me vëmendje gjendjen tuaj shëndetësore gjatë shtatëzënisë dhe të mos marrë konkluzione të gabueshme më vonë. Në përgjithësi, venat e zgjeruara nuk përbëjnë rrezik për shëndetin, mirëpo nëse lëkura mbi ato shëndrrohet e kuqe, bëhet sensitive dhe e dhimbshme, këmba bymehet, fitoni tmeperaturë dhe dhimbje në tërë këmbën – menjëherë lajmërohuni tek mjeku!
Probleme të tjera
Mund të keni gjakderdhje të mishit të dhëmbëve edhe pse jeni e kujdesshme me pastrimin e dhëmbëve dhe me kryerjen e kontrolleve të nevojshme në çdo trimestër të shtatëzënisë. Sidoqoftë, anestezioni lokal gjatë shtatëzënisë është i lejueshëm.
Mund të ju ndodhë që kualiteti i lëkurës të ndryshojë dhe të keni kruarje gjithandej, lëkura normale bëhet e thatë apo lëkura yndyrore normalizohet, të gjitha këto janë të mundhsme gjatë shtatëzënisë. Që ti shmangeni ndryshimeve të lëkurës duhet të shmangeni nga rrezet e diellit dhe duhet përdorur kremë kundër rrezeve të diellit.
Mund të keni probleme me sekreti, mund ta keni më tepër sesa para shtatëzënisë mirëpo pos kundërmimit nuk do ju dëmtojë asgjë më tepër. Sidoqoftë, nëse ju pengon mund të shkoni të konsultoheni me mjekun i cili më pas do të konstatojë nëse ju duhet ndonjë terapi.