Unë erdha në Amerikë në vitin 1982, i joshur nga ky vend dhe i interesuar në politikën e tij. Ato ishin ditët e traumës ekonomike (një recesion i thellë) dhe frikërave për sigurinë kombëtare.
Dhe vija nga India, ku urtësia konvencionale ishte pothuaj-socialiste dhe anti-amerikane. Megjithatë, u gjenda i hipnotizuar nga Ronald Reagani dhe Partia e tij Republikane. Reagani duket se mishëronte shpirtin e Amerikës – optimiste, zemërmadhe dhe liridashëse. Demokratët ishin dashamirës, por duke vënë në dukje të metat e brendshme të Amerikës dhe dështimet e politikës së jashtme, atyre dukej se u shpëtonte panorama e madhe – pra që Shtetet e Bashkuara, jo Bashkimi Sovjetik, përfaqësonin të ardhmen.
Si e kanë treguar konventat e dy partive gjatë dy javëve të fundit, bota politike është kthyer me kokë poshtë. Sot është Partia Demokratike që rrezaton besim në Amerikë dhe republikanët që gërrnjosen për vendin e tyre.
Konventat e 1984-ës ishin të parat që pata shansin të shihja, dhe isha i fiksuar, duke qëndruar deri vonë çdo natë, në një dhomë të përbashkët kolegji, për të ndjekur çdo fjalim. Fjalimi që mbaj mend mirë është një i mirënjohur, nga konventa republikane në Dallas. Reagani kishte emëruar si ambasador të tij në Kombet e Bashkuara një demokrat, akademiken e Universitetit të Georgetoun, Jeane Kirkpatrick. Ajo foli nga podiumi me tone të kujdesshme, plot kuptim, duke iu drejtuar demokratëve me argumente të cilat sot mund të përdoren kollaj – ndaj republikanëve.
Kirkpatrick shpjegoi se ajo kishte admiruar demokratë si Harry S. Truman, sepse ata nuk kishin turp ta shihnin Amerikën “si një komb të madh”. Por “demokratët e San Franciscos” tha ajo, kishin humbur atë besim instiktiv. (Konventa Demokratike u mbajt në atë qytet, atë vit). Kur Moska ishte armiqësore, vuri në dukje ajo, demokratët nuk zgjodhën që të fajësonin, por Shtetet e Bashkuara. “Por në fund të fundit, ata gjithmonë fajësojnë Amerikën të parën”, vuri në dukje ajo.
Kur amerikanët u vranë nga terroristë në Liban, vazhdoi ambasadorja, demokratët “nuk fajësuan terroristët … ata fajësuan SHBA”. “Por në fund të fundit”, përsëriti ajo me të njëjtin ton, “ata fajësojnë gjithmonë Amerikën të parën”. Fjalët e saj u shndërruan në fjalët magjike të fushatës.
Ishte një ekzagjerim, siç është e gjithë këtë lloj retorike, por ajo kapte diçka të vërtetë, ashtu si ndodh sot në lidhje me Donald Trumpin. Kur flet për kinezët, apo sulmet terroriste, ose Vladimir Putinin, ai nuk kritikon ata. Në vend të kësaj, ai ka tendencën të përqëndrohen në të metat amerikane – dobësinë, marrëzinë dhe naivitetin e Uashingtonit.
Kritika më serioze e Kirkpatrick është edhe më shumë me vend, nëse përdoret për kandidatin republikan. Ajo e përshkroi Partinë Demokratike si sillej “më pak si një pëllumb apo fajkua, dhe më shumë si një struc, i bindur se do i fshihet botës, duke e futur kokën në rërë”. Ajo tha se e refuzonte këtë tërheqje. “Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbeten një shoqëri e hapur dhe demokratike, nëse ne vendosim të rrimë vetëm – një shtet-garnizon në një botë armiqësore”. Ajo pyeti se çfarë do të ndodhë në Evropë, nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga mbrojtja e saj. “Ne kemi nevojë për miq dhe aleatë me të cilët të ndajmë kënaqësitë dhe mbrojtjen e qytetërimit tonë”.
Suksesi i Reaganit, shpjegoi ajo, erdhi nga tre faktorë: “Besimi i tij në legjitimitetin dhe suksesin e institucioneve amerikane; Besimi në mirësinë e popullit amerikan; dhe besimi në rëndësinë e përvojës sonë për pjesën tjetër të botës”.
Partia e Trumpit është e ndryshme, e karakterizuar nga dyshimi dhe rënia, e frikësuar për të ardhmen. “Ky vend është një ferr. Ne jemi duke shkuar poshtë me shpejtësi”, thotë ai. Ndryshe nga ai, ishte Presidenti Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle, që kujtuan partinë e tyre, vendin e tyre dhe botën se “Amerika është tashmë e madhe”.
Anketuesit dhe ekspertët theksojnë se një pjesë e madhe e vendit ndihet se jemi në “rrugë të gabuar” dhe se në këto rrethana, optimizmi nuk do të funksionojë. Kjo ndjenjë trishtimi shpjegon joshjen e Trumpit, dhe gjithashtu të Bernie Sandersit.
Por Clinton dhe Obama janë duke vënë një bast të madh, se këto tendenca nuk janë as të thella, as të përhershme. Ata po vënë bast mbi shpresën se amerikanët nuk janë aq të zemëruar, që ata do të përqafojnë një politikë të rënies dhe të ndarjes. Ata po ndjekin Franklin Rooseveltin. Në kulmin e Depresionit, dhe në prag të luftës, Roosevelti gjithmonë besonte se shumica e amerikanëve kërkonin një vend që ishte i vendosur në lidhje me qëllimet e tij, dhe i sigurt në të ardhmen e vet. Kjo ishte Partia Demokratike që ai ndërtoi dhe, për pjesën më të madhe, ajo ishte mbi skenë në Filadelfia këtë javë.
Ia vlen të mbajmë parasysh se në 45 vitet që njerëzit janë pyetur, siç ka vënë në dukje Dean Obeidallah, ka pasur vetëm tre periudha të shkurtra, kur shumica e amerikanëve mendonin se vendi ishte në rrugën e duhur. Në vitin 1980, për shembull, një shumicë e madhe mendonin se gjërat po shkonin drejt greminës. Katër vjet më vonë, ata ishin të bindur se mëngjesi kishte aguar në Amerikë.
The Washington Post
Në shqip nga bota.al