Për ish-prokurorin e përgjithshëm Theodhori Sollaku, vendi është duke bërë një eksperiment me institucionet e reja të drejtësisë. Në studion e emisionit ‘Kjo Javë” me Nisida Tufën, ai tha se është realist sa i takon reformës në drejtësi ndërsa ndau qëndrimin e tij se nuk do të kemi ndonjë situatë që ky proces do pastrojë të korruptuarit. Gjithashtu Sollaku komentoi edhe masat e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, për të grupin e pagëzuar prej tij si KÇK.
“Vettingu të bën analizën ndër vite, që kur ke nisur punë. Unë mendoj që kjo deklaratë është më tepër e natyrës politike. Tregon vullnetin e qeverisë për të mos lënë kontigjente të caktuara të gjyqtarëve e prokurorëve për të abuzuar në fund të karrierës, sepse nuk ka nevojë për ligj të vecantë. Nëse mendon se një gjyqtar merr para, ke sot gjithë strukturat policore, organet ligjzbatuese për ta vënë para përgjegjësisë për korrupsion. Pra, mendoj se nuk ka mungesë ligji sot. Sot, problemi është që ose ka teprim në deklarimet që bëhen, ose ka paaftësi nga strukturat që kanë për detyrë të dokumentojnë këtë veprimtari kriminale.” tha Sollaku.
Pjesë nga intervista:
Sa optimist jeni ju për institucionet e reja të drejtësisë?
E kam thënë edhe më parë që Shqipëria është duke bërë një eksperiment. Janë modele që nuk i ndeshim në asnjë vend tjetër, por ka një gjë që e ka çuar në kolaps sistemin e drejtësisë. U bë gati dy vjet që jemi pa gjykatë të lartë, pa gjykatë kushtetuese dhe në një situatë presioni e trysnie me ata që po punojnë sot. Mënyra se si po veprojnë institucionet e vettingut, mendoj që nuk po zbatojnë si duhet ato që thotë kushtetuta. Janë hequr gati 70-80% e atyre që kanë dalë para këtyre komisioneve. Janë hequr thjesht për mungesë dokumëntacioni, për pagim e taksave. kjo situatë nuk mund ta barazosh me atë që po hiqen të korruptuarit. Nëse 20 vjet më parë ti ke vlerë një pronë, dhe Shqipëria informale ka qenë, kanë qene firmat piramidale, kanë punuar njerëzit në emigracion, s’mund t’i kërkosh sot që ku e ke dokumentacionin që ke paguar taksat. Ne i dimë të gjithë si kanë qenë vitet e para. Ndaj Kushtetuta parashikon që do i tolerojë këta gjyqtarë e prokurorë, nëse ata nuk e kalojnë dyfishin.Pra, nëse ke 100 mijë euro pasuri e të ardhurat e ligjshme janë 50 mijë, ti nuk mund të ndëshkohesh për këtë komponent pasuror. Shumica e gjyqtarëve e prokurorëve janë larguar për situata të kësaj natyre.
Reforma në drejtësi edhe në fillim kam qenë realist, jo pesimist, realist që nuk do të kemi ndonjë situatë që kjo reformë do pastrojë të korruptuarit. Sepse këtu te ne koha ka treguar që kur ka patur fakte kur ka patur prova, gjyqtarët janë treguar shumë të ashpër, qoftë edhe me kolegët e tyre. Gjithmonë shtrohet situata me prova apo pa prova.
Rrjetën e vettingut, nuk është se kanë ngelur të gjithë …
Për mua 70-80 % për këtë që thash.
Pse nuk arrestohen ato që kanë ngelur në vetting?
Problemi është që përsëri ti nuk ke prova që të thuash që këta persona i kanë bërë këto pasuri me veprimtari kriminale për shkak se nuk i provojnë me të ardhura të ligjshme. Këtu e 30 vjet më parë vështirë t’i kërkosh llogari, edhe shteti po kaluan 10 vjet nuk mban dokumentacion. Si mund ta ndëshkosh tjetrin kur s’ka patur një detyrim të tillë. Pra, kësaj i thonë të dënohesh pa ligj.
Dua të ndal vëmendjen te grupi KÇK, që përmend kryeministri. Pse duhet një ligj special për të arrestuar prokurorë e gjyqtarë?
Vettingu të bën analizën ndër vite, që kur ke nisur punë. Unë mendoj që kjo deklaratë është më tepër e natyrës politike. Tregon vullnetin e qeverisë për të mos lënë kontigjente të caktuara të gjyqtarëve e prokurorëve për të abuzuar në fund të karrierës, sepse nuk ka nevojë për ligj të vecantë. Nëse mendon se një gjyqtar merr para, ke sot gjithë strukturat policore, organet ligjzbatuese për ta vënë para përgjegjësisë për korrupsion. Pra, mendoj se nuk ka mungesë ligji sot. Sot, problemi është që ose ka teprim në deklarimet që bëhen, ose ka paaftësi nga strukturat që kanë për detyrë të dokumentojnë këtë veprimtari kriminale.
Ju ishit garues për në Gjykatën e Lartë, por u përjashtuat, a mendoni se ka lidhje me një vendim politik?
Unë jam në konflikt interesi të jap komente. Por, arsyeja ishte e thjeshtë, meqë ligji parashikon që nuk mund të kandidojnë ata që kanë masë disiplinore, shkarkimin tim e barazuan me masë disiplinore. Harruan, apo e keqinterpretuan, ai është një vendin që ndoshta mund ta ankimoj në gjykatën e Apelit, sepse jam i bindur që në situata të tilla nuk mund të barazohet institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm, kur largohet, sepse kushtetuta në atë kohë e parashikonte që largohesh me dy mënyra, ose s’je në rregull nga trutë, ose ke bërë veprime që diskretitojnë figurën ose ke shkelur ligjin. Dy të parat nuk qëndronin, por u tha se ke shkelur ligjin, se nuk zbuluar vrasjen e Kleanthi Kocit, etj etj .. harronin që është detyrë policore dhe jo e Prokurorisë, sepse dosje të tilla pa autor, janë pranë strukturave policore. Këtë gjë, besoj gjithë opinioni e kuptoi që ishte një procedurë politike. U gjet si mekanizëm largimi im nga kjo detyrë.
Ambasada e SHBA tha se do të sjell agjentë të posaçëm anti-korrupsion në Shqipëri, a mos po ngre SHBA një strukture paralale me ato institucionet shqiptare për goditjen e korrupsionit?
Reforma në drejtësi veçanërisht SPAK, është një strukturë që u nxit veçanërisht nga ndërkombëtarët, por mendoj nuk do jetë një strukturë paralele. Do të jenë njerëz që do të asistojnë hetuesit shqiptarë për të hetuar, për të zbuluar veprimtarinë kriminale. Në formë trajnimi besoj, sepse nuk iu lejohet të bëjnë veprime proceduriale./BW