Zbardhet rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimi Europian. Në Rezolutën e miratuar sot, Parlamenti Evropian pohon qartë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kërkesat për të hapur negociatat për anëtarësim. Teksti u miratua nga eurodeputetët me 412 vota pro, 136 kundër dhe 30 abstenime.
Parlamenti shpreh zhgënjim të thellë ndaj dështimit për të rënë dakord në samitin e BE-së në 17-18 tetor, për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Eurodeputetët shprehin keqardhje për vendimin e Francës, Danimarkës dhe Holandës për të bllokuar vendimarrjen dhe thonë se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit dhe plotësojnë kriteret e BE-së për të filluar bisedimet e anëtarësimit”.
Duke vlerësuar përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur çështje të vështira dypalëshe me vendet e saj fqinje, eurodeputetët gjithashtu mirëpresin reformat e fundit të gjyqësorit në Shqipëri.
Një gabim strategjik
“Mosmarrja e vendimit nga drejtuesit e BE-së është një gabim strategjik, i cili dëmton besueshmërinë e BE-së dhe dërgon një mesazh negativ për vendet e tjera potenciale kandidate. Ajo mund të mundësojë gjithashtu që aktorët e tjerë të huaj – veprimtaria e të cilëve mund të mos jetë në përputhje me vlerat dhe interesat e BE-së – të angazhohen më tepër me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Një reformë e procesit të zgjerimit, e mbrojtur nga disa vende, nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat tashmë plotësojnë kërkesat për t’u vlerësuar në bazë të meritave të tyre dhe kritereve objektive, dhe jo të gjykohen nga agjendat politike të brendshme në vendet e tjera”, thuhet në tekstin e rezolutës së Parlamentit Europian.
Koha për hapjen e negociatave është tani
Eurodeputetët u kërkojnë vendeve të BE-së “të veprojnë me përgjegjësi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të marrin një vendim unanim pozitiv në mbledhjen e ardhshme“. “Parlamenti duhet të rrisë aktivitetet e tij të mbështetjes së demokracisë për të siguruar që parlamentet kombëtarë në Ballkanin Perëndimor të luajnë rolin e tyre si motorë për reformat demokratike”, vijon më tej rezoluta.
Debatet
Në debatin që i parapriu rezolutës ishin të shumtë zërat që e konsideruan refuzimin e çeljes së negociatave të gabuar dhe zhgënjyes.
Johannes Hahn, Komisioner për zgjerimin e BE tha se Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk duhen akuzuar, ata bënë gjithçka që u kërkuam të bënin, në mos më tepër. “Janë bërë reforma mbresëlënëse në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, në drejtësi, në luftën kundër krimit të organizuar. Mendoj veçanërisht për Shqipërinë, ku përparimet kanë qenë mbresëlënëse”, shtoi ai.
Eurodeputetja Kati Piri tha nga ana tjetër se “Bashkimi Europian kishte mundësinë që të tregonte përgjegjësi dhe pjekuri politike, por ne dështuam mjerisht”. “Dhe ky dështim dëmton imazhin e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit“.
“Është një gabim historik dhe kaq zhgënjyese për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. President Macron, ju jeni shumë i izoluar në qëndrimin tuaj, por Parlamenti Europian do të ndërtojë një urë me ju. Por ju lutem, President Macron, korrigjoni gabimin që bëtë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, deklaroi Reinhard Buticofer, eurodeputet.
Por kishte eurodeputetë që patën kritika për të dy vendet kryesisht për institucionet e brishta, probleme me shtetin e të drejtës dhe respektimin e standardeve. Por në tërësinë e tyre, europarlamentarët theksuan se nuk e pranojnë qëndrimin francez për moshapjen e negociatave. Ata vunë në dukje se e kuptojnë nevojën për reforma në Union, por hapja e negociatave me këto dy vende nuk është kërcënim për BE-në.