KLSH ka zbuluar se detyrimet e prapambetura ose borxhi i fhsheur për 2018 arrin në 610 mln euro, një shifër kjo rreth 4 herë më e lartë se ajo e deklaruar zyrtarisht nga Ministria e Financave.
Në raportin e KLSH-së zbulohet shifra e frikshme, por edhe skandali i fshehjes së një detyrimi real që qeveria ka në formën e borxhit.
E njëjta gjë ndodhi në Greqi, kur kjo e fundit u përfshi nga një prej krizave më të thella që e ccoi drejt falimentimit, ndërsa shkaku ishte pikërisht fshehja e shifrave reale të ekonomisë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë raporton se detyrimet e prapambetura janë 150 miliardë lekë detyrime të prapambetura, që përbëjnë më pak se 25 % të borxhit real që ka zbuluar KLSH.
“Në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mosplanifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pambështetura me plan buxhetor, moslejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mosraportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetorë, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetorë brenda kufijve të miratuar. Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018”, thuhet ndër të tjera në raportin e KLSH-së.
Sipas tij, “në konkluzion konstatojmë se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit”.
Detyrimet e llogaritura në total nga KLSH arrijnë në 60 miliardë lekë, ose 4 herë më të larta sesa ato që raportohen nga Ministria e Financave. Ky detyrim ndahet si më poshtë:
-Detyrimet për Rimbursimin e TVSH-së raportohen zero nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), ndërsa sipas KLSH-së ato janë 20.7 miliardë lekë.
KLSH konstaton se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit. Në këto kushte, nga evidencat e mbledhura, në vlerësimin e KLSH detyrimet e prapambetura vlerësohen të jenë të paktën 20 miliardë lekë në fund të vitit 2018 (pa përfshirë rimbursimin e TVSH dhe detyrimet e prapambetura të FSDKSH).
Për më tepër dhe si trajtuar më lart, vlera e detyrimit për TVSH të rimbusueshme rezulton të jetë në shumën 20.7 miliardë lekë në fund të vitit 2018 dhe ajo në FSDKSH rezulton të jetë në shumën 1.2 miliardë lekë.
-Detyrime për projekte investimesh, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera janë 15.5 miliardë lekë sipas Ministrisë së Financave dhe 21.2 miliardë lekë, sipas KLSH.
-Rimbursimi i tepricës kreditore të tatimit të fitimit ka krijuar një detyrim prej 15.2 miliardë lekësh, sipas KLSH, ndërsa Ministria e Financave e raporton zero.
– Detyrime për vendime gjyqësore ndërkombëtare janë 3.2 miliardë lekë, sipas KLSH dhe zero sipas MFE.
Një ditë më parë në ndryshimet buxhetore të diskutuara dhe miratuara në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, nuk u parashikua një fond lidhur me shpërblimet e fundvitit për shtresat në nevojë dhe pensionistët, por edhe për buxhetorët.
Nga Ministria e Financave u tha se në muajt në vijim mund të diskutohet mbi fondin, ndërsa Kryeministri Edi Rama në kuadrin e Shqipërisë solidare, kërkoi nga oligarkët që të derdhnin një fond për të varfërit.
Mësohet se oligarkëve u është kërkuar një shifër 2 % e dividentit, që do të shërbejë si një fond solidar për të mbështetur shtresat në nevojë.