Bashkëshortët Floresha dhe Xhemal Kalemaj i takojmë në ambjentet e Gjykatës së Apelit të Vlorës, të shqetësuar si kushdo që pret drejtësi dhe me dyshime të forta se togat e zeza po vonojnë qëllimisht dënimin përfundimtar të dy të rinjve që u kanë vjedhur mbi 100 milionë lekë të vjetra, kursime dhe të ardhura nga biznesi i tyre familjar.
Në datë 12 Shtator 2019, Gjykata e Apelit të Vlorës duhet të niste shqyrtimin e ankimit të Renaldo Latifit dhe Xhuljano Muça, dy të rinj të dënuar nga gjykata e Fierit për vjedhjen e parave dhe një automjeti Benz të çiftit Kalemaj, ngjarje e ndodhur në 29 Maj 2017.
Por, as seanca e parë dhe as ajo vijuese, e caktuar në 1 Tetor 2019, nuk u zhvillua në Gjykatën e Apelit. Shkak është bërë deklarimi i dy anëtarëve të trupës gjykuese për të dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i rastit.
Kur kanë kaluar më shumë se 20 ditë nga hapja e procesit gjyqësor, kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë nuk ka gjetur ende kohën për të shqyrtuar kërkesën e gjyqtarëve për dorëheqje.
“Unë kam dyshimet e mia, se kjo vonesë absurde dhe e pakuptimtë e gjykatës së Apelit po bëhet për të favorizuar vjedhësit dhe për t’u dhënë lirinë sa më shpejt”, thotë Floresha Kalemaj, e cila mundohet pa sukses të fshehë shqetësimin dhe nervozizmin”.
Dyshimet e forta
Gjykata e Fierit, në 29 Prill 2019, ka vendosur dënimin e Renaldo Latifit me 6 vjet burgim dhe Xhuliani Muça me 5 vjet e 4 muaj, të dy të shpallur fajtor për “vjedhje me pasoja të rënda”, në dëm të Floresha dhe Xhemal Kalemaj.
Dy të dënuarit ankimuan vendimin e Gjykatës dhe kërkojnë pafajësinë. Në bazë të ankimit, Gjykata e Apelit të Vlorës hedh shortin dhe përzgjedh trupën gjykuese, të përbërë nga kryesues Petrit Aliaj dhe anëtarë Sokol Ngresi e Nazmi Troka.
Në seancën e parë, ku ishin të pranishëm vetëm trupa gjykuese dhe të dëmtuarit, Floresha e Xhemal Kalemaj, dy nga anëtarët, Petrit Aliaj e Sokol Ngresi, deklaruan se do të japin dorëheqjen, për shkak se kanë shqyrtuar kërkesa paraprake për këtë rast.
Seanca u shty për në datën 1 Tetor 2019. Në këtë seancë, në sallë ishin sërish të njëjtët personazhe-e njëjta trupë gjykuese dhe të dëmtuarit. Të pandehurit dhe avokatët e tyre, ashtu si edhe një seancë më parë, nuk ishin të pranishëm.
Edhe kjo seancë e dytë u shty, për faktin se kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë, Iliba Bezat, ende nuk kishte shqyrtuar kërkesën për dorëheqje të dy anëtarëve të trupës gjykuese.
Ky është momenti kur dyshimet paraprake të bashkëshortëve Kalemaj mbi integritetin e gjykatës shndërrohen në bindje.
“Ne na duket shumë e dyshimtë që, për 20 ditë, nga data 12 shtator deri në 1 Tetor, kryetarja e Gjykatës, Iliba Bezat, nuk ka gjetur kohën për të shqyrtuar kërkesën për dorëheqje të dy anëtarëve të trupës gjykuese”, thonë bashkëshortët Kalemaj për “Boldneës.al”.
Për më tepër, ata ngrenë pikëpyetje për një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet gjykatës së Apelit dhe avokatëve të të pandehurve. “Si ka mundësi që të pandehurit dhe avokatët e tyre janë në dijeni se seancat nuk do të zhvillohen?”, flet me nota të forta dyshimi Floresha Kalemaj, e cila mbështetet në çdo fjalë nga bashkëshorti i saj, Xhemali.
Ajo ngre pikëpyetjen e madhe se si, të arrestuarit, ata që kanë ankimuar vendimin, nuk kanë asnjë interes për seancat. Këtë mungesë “interesimi” nga të pandehurit dhe avokatët e tyre, Floresha Kalemaj e sheh në një këndvështrim tjetër.
“Unë dyshoj fort se ndërmjet Gjykatës së Apelit dhe avokatëve të të pandehurve ka kanale komunikimi të fshehta, të cilat, në gjykimin tonë, shkojnë në favor të vjedhësve”, vijon më tej Floresha.
Problemi i madh që i detyroi të përballen me gjykatat, i ka ndihmuar bashkëshortët që të mësojnë edhe ato “vogëlsirat proceduriale”, të cilat shpesh përdoren nga sistemi i drejtësisë për të mbajtur anën e të pandehurve.
“Dy hajdutët janë arrestuar në Shtator 2017. Ata u dënuan me 9 vite njëri e 8 vite tjetri. Por, gjykimi i tyre u bë me procedurë të përshpejtuar dhe ata përfituan uljen e 1/3 së dënimit”, thonë bashkëshortët Kalemaj.
“Kjo vonesë që po bëhet nga Gjykata e Apelit na duket tërësisht e qëllimshme, për t’u dhënë atyre mundësinë që të qëndrojnë në paraburgim, pa një vendim të formës së prerë, sa më gjatë. Ligji parashikon që 1 ditë në paraburgim llogaritet me 1.5 ditë. Pra, çdo vonesë në dhënien e vendimit përfundimtar, u shkurton kohën e qëndrimit në burg të të arrestuarve”, flet me gjuhën e saktë të ligjit Floresha.
Bashkëshortët Kalemaj kanë vendosur të presin drejtësinë, edhe pse, në shumë anë të ndryshme, kanë dëgjuar se “të arrestuarit do të përdorin një pjesë të parave që u kanë vjedhur për të shpëtuar paq në Gjykatë”.
Nuk duan ta besojnë këtë variant. Por përballja e hidhur me Gjykatën e Apelit ka nisur t’u forcojnë idenë se ai skenar korruptiv mund të realizohet.
Dhe, në fakt, shuma që u është vjedhur bashkëshortëve Kalemaj është e mjaftueshme për të blerë shumëçka.
“Na vodhën më shumë se 100 milionë lekë të vjetra, shuma të cilat i kishin grumbulluar për të blerë mall për biznesnin dhe për të paguar disa kredi e detyrime”, thotë Floresha Kalemaj.
Vjedhja
Ngjarja që u tronditi jetën familjes Kalemaj ka ndodhur në 29 Maj 2017. Në mëngjes herët, rreth orës 6.30, Xhemal dhe Floresha Kalemaj dalin nga shtëpia e tyre, në Fier dhe shkojnë në magazinën dhe dyqanin në pronësi të familjes, në Levan, ku shesin plehra kimike.
Rrugën Fier-Levan, rreth 8 kilometra, e përshkojnë me automjetin Benz, të familjes. Në bagazhin e tij, gjendej shumë mbi 10 milionë lekë të reja, pjesën më të madhe të të cilave i kishin për të paguar ngarkesën me “ure” që sapo u kishte mbërritur me kamion tek magazina.
Benzin e parkuan në anë të rrugës dhe shkuan për të shkarkuar kamionin. Pak minuta më vonë, Xhemal Kalemaj konstaton se Benzi nuk gjendej më në vendin e parkimit. E kuptoi që dikush ia kishte vjedhur mjetin, së bashku me paratë që ishin në bordin e tij.
U nis menjëherë në shtëpi me një mikun e tij, për të marrë një automjet të vjetër dhe më pas të vijonte kërkimet për Benz-in e vjedhur. Në shtëpi, në Fier, konstaton se kafazi i dritares ishte shkatërruar dhe i kishin vjedhur edhe çelësin rezervë të Benzit, me të cilin vjedhësit kishin arritur të merrnin automjetin e parkuar para biznesit.
Bashkëshortët Kalemaj bënë menjëherë kallëzimin dhe ndihmuan Policinë për të identifikuar autorët. Njëri prej tyre, Xhulio Muça, është vëllai i pronares së një lokali ngjitur me biznesin e familjes Kalemaj, në Levan. Tjetri, Renaldo Latifi, është mik i Xhulios.
Hetimet e Prokurorisë provuan plotësisht se ata janë përfshirë në vjedhjen e realizuar në familjen e Floresha dhe Xhemal Kalemaj. “Janë grup i madh që kryejnë vjedhje të tilla, kanë edhe mbështetje të forta”, thotë Floresha Kalemaj.
Deklarimi i saj mbështetet ligjërisht edhe nga Prokuroria, e cila, pasi ka kërkuar dënimin për dy të arrestuarit, ka veçuar dosjen edhe për bashkëpunëtorë të mundshëm të tyre.
Floresha dhe Xhemal Kalemaj vijojnë të presin dhe të shpresojnë tek drejtësia. Prej mëngjesit të 29 Majit 2017, jeta e bashkëshortëve është vështirësuar ndjeshëm.
Ata duhet të mbajnë në këmbë një biznes të goditur rëndë, tek i cili është e gjithë jeta e tyre brenda. Ndërkohë, duhet të përballen edhe me “ece-jaket” e sistemit gjyqësor, tek i cili presin të fitojnë të drejtën e tyre të rrëmbyer ditën për diell.
©BoldNews.al