A ka vendosur Bundestagu 9 kushte për hapjen e negociatave me Shqipërinë apo jo? Në rezolutën që parlamenti gjerman ka miratuar renditen 9 kushte, që duhen plotësuar, ndërsa i kërkohet qeverisë së kancelares Angela Merkel, që të monitorojë zbatimin dhe plotësimin e tyre.
Referuar rezolutës, në parim, Qeveria Federale duhet të aprovojë negociatat e pranimit me Shqipërinë në Këshillin Evropian më 17 dhe 18 Tetor 2019 vetëm me kushtin që konferenca e parë e pranimit të mos zhvillohet derisa Qeveria Federale të ketë përcaktuar se disa kushte janë përmbushur nga Shqipëria.
Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të punojnë dhe të funksionojnë duke u kompletuar me një numër të përshtatshëm të gjyqtarëve.
Duhet të miratohet reforma zgjedhore, e cila të sigurojë transparencë të plotë të partive për financimet në zgjedhje.
Por duket se edhe në politikën gjermane ka dyshime nëse kërkesat e parashikuara në rezolutën e Bundestagut përbëjnë ose jo kushte.
Ministri gjerman për Evropën, socialdemokrati Michael Roth, thotë në intervistë për DË, se kërkesat e miratuara nga Bundestagu për Shqipërinë nuk janë kushte. Në fakt Roth, në 3 vitet e fundit ka qenë një prej flamurtarëve në politikën gjermane lidhur me hapjen e negociatave me Shqipërinë, por megjithë dëshirën e tij të mirë, kjo nuk ka ndodhur.
“Bundestagu Gjerman nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare.
Dhe nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestag-ut janë me rëndësi si kompletimi me numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor”.
Roth veçon reformën zgjedhore për të cilën thotë se kanë përgjegjësi të dyja palët duke apeluar që opozita të mos bëhet bllokadë.
“Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita. Dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada.
Mund të shpresoj vetëm se përkundër klimës shumë të helmuar dhe të polarizuar në Shqipëri, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, tani do të jenë të gatshme të marrin një qëndrim konstruktiv.
Ne kemi nevojë për një proces gjithëpërfshirës, kemi nevojë për kompromise, në mënyrë që projekti i anëtarësimit në BE të mos dështojë”, shprehet ai.
Ministri gjerman thotë se tashmë Gjermania është shprehur qartë për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë ndërsa pranon skepticizmin e disa vendeve si Franca.
“Shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian janë të zhgënjyera. Nuk po ecet përpara, as në aspektin social e as në aspektin ekonomik. Sukseset sociale dhe ekonomike mungojnë. Herë pas here ka ende mungesë të kulturës demokratike”, thekson Roth.
Ai shprehet optimist për një vendim pozitiv në Këshillin Europian që mblidhet në 17 Tetor, ndërsa thotë se për Shqipërinë nuk do të ketë një procedurë pranimi të klasit të dytë.
Në të njëjtën gjatësi vale me ministrin gjerman të Shtetit, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit edhe Edi Rama, sipas të cilit kancelaria gjermane Angela Merkel ka vënë veton lidhur me hapjen e negociatave, ndërsa shtoi se Bundestagu nuk ka vendosur 9 kushte.
“Dëgjoj këtu që Gjermania ka vënë kushte. Pse i ka vënë Gjermania kushtet? Kushtet Gjermania i ka vënë për politikën e vet të brendshme.
Dhe në funksion të politikës së vet të brendshme. Edhe në grupin më të madh parlamentar në Gjermani, bëhet një debat deri në moment të fundit sikur cfarë po i japim Shqipërisë, dhe ka vota pro dhe ka vota kundër. Për kë? Për politikë të brendshme.
Gjermania ka thënë PO, vetëm për një arsye. Që e ka shprehur dje reporteri i Bundestagut, sepse kancelaria ka vënë veton që nuk ka ndarje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe është vendosur PO. Nuk janë 9 kushte, janë 999”, tha Rama.
Nëntë kushtet e CDU/CSU
1.Ndërtimi dhe nisja nga puna e SPAK
2.Ndërtimi dhe nisja nga puna e Gjykatës Kushtetuese
3.Plotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë.
4.Nisja e proceseve penale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të rrëzuar nga Vettingu
5.Reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj
6.Dënimi i personave të përfshirë në vjedhjen e votave
7.Bilance të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
8.Reforma në administratë
9.Të sqarohet legjitimiteti i zgjedhjeve lokale.