Draft-Raporti i Komisionit të Venecias ishte i qartë si ndër rreshta ashtu edhe në përfundimin e tij se Presidenti nuk duhet të shkarkohet. Sigurisht që edhe mazhoranca e lexoi qartë këtë mesazh, por përse shpejtoi të përhapte lajmin se Venecia rrëzon Metën? Edhe pse në asnjë rresht të draft-raportit nuk përmendet fjala shkelje e Kushtetutës dhe Komisioni rekomandon disa herë që aktet e Presidentit nuk të çojnë në shkarkim, përse prej disa ditësh qeveria ka vërsulur të gjithë eksponentët e saj për të thënë të kundërtën? E vërteta nuk ka të bëjë me Presidentin. E vërteta ka të bëjë me një mega-skandal miliarda eurosh që ka të bëjë me ligjin e pronave dhe ngritjen e Korporatës Shqiptare të Investimeve, e cila, thënë shkurt e thjeshtë do rrëmbejë në mënyrë korruptive tokat e shqiptarëve duke ua dhënë më pas oligarkëve të kryeministrit Rama.
Mediat janë fokusuar tek sesioni plenar i Komisionit të Venecias më 11 tetor ku mazhoranca do përfaqësohet nga Taulant Balla. Por, ajo që nuk përmendet është se bashkë me të do të shkojë edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i cili do të bëjë mbrojtjen për ligjin e Pronave e cila përfshin Korporatën e Investimeve. Vetë Venecia e bën me dije këtë fakt në faqen e saj zyrtare ku shkruan se Komisioni i Venecias po përgatit mendimin për një projektligj lidhur me pasuritë e paluajtshme, i cili synon të përfundojë proceset e pronësisë kalimtare, Drafti i opinionit është në rendin e ditës të seancës plenare të Komisionit në Tetor 2019. Pra, teksa vëmendja e shqiptarëve do përqendrohet tek Presidenti, në të njëjtë seancë varet fati i pronave të tyre të cilat priten të rrëmbehen nga qeveria dhe oligarkët. Dhe e gjitha kjo do bëhet pa zhurmë dhe pa vëmendjen e pronarëve të tokave në zonat më të bukura të vendit të cilët pa pritur do e gjejnë veten të zhvatur nga shteti.
Çfarë është Korporata Shqiptare e Investimeve?
Një plan vjedhje korruptive e tokës së shqiptarëve. Një iniciativë e dyshimtë nga Edi Rama dhe qeveria e tij për t’i rrëmbyer tokat shqiptarëve dhe për t’ua shërbyer një grupi të vogël biznesmenësh të afërt me Kryeministrin.
Ky institucion i ri do të konsolidojë nën kontrollin e tij pronat publike dhe asetet e tjera, dhe t’i përdorë ato si mjete “për të nxitur investimet private”. Ky institucion përfaqëson kanalizimin e çdo prone private dhe publike të qytetarëve shqiptarë që të shkojnë në duart e kryeministrit Rama. Kjo do të thotë që tokat e pronarëve të zakonshëm, por edhe të minoritetit grek në Himarë, Vlorë dhe Sarandë do të merren nga kryeministri Rama apo oligarkëve pranë tij.
Marrja me dhunë e tokës të qytetarëve të zakonshëm dhe transferimi i pronësisë tek disa investitorë jo vetëm shkel të drejtat e njeriut për gjithë pronarët e tokave në Shqipëri por edhe të drejtën e pronës për minoritetin grek ndaj edhe Greqia ka shprehur shqetësime serioze pasi kjo është një vjedhje e hapur e kryer nga vetë shteti. Mediat greke dhe ndërkombëtare kanë shkruar vazhdimisht mbi këtë çështje kaq korruptive e cila prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat themeltare të njeriut dhe sidomos atë të pronës.
Gjithashtu, kjo iniciativë kryhet qartësisht për pastrimin parash. Me këtë Korporatë qeveria e Ramës do të kthehet në “de facto”, oligarkja e vetme në Shqipëri dhe njëkohësisht edhe partneri më i madh i oligarkëve.
Kjo Korporatë u denoncua nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi në një televizion kombëtar se ky është një mega skandal i madh i pronave në jug, mbi të gjitha të atyre në bregdet.
“Kjo është një goditje e madhe dhe vendimtare e Edi Ramës” u shpreh Berisha “për të vjedhur çfarë ka mbetur nga prona e qytetarëve në favor të oligarkëve të tij.”
“Ligji do t’i japë pronësi dhe pushtet absolut arkitektit të këtij ligji, që në fakt është Edi Rama” u shpreh ish deputetja e PD, Jorida Tabaku,. “Ai do të jetë një njeri që do të marrë në kontroll çdo pronë publike dhe/ose private duke I dhënë super pushtet oligarkëve. Në kundërshti me Kushtetutën dhe ligjin mbi pronësinë, në kundërshti me ligjet organike dhe ato të pushtetit vendor dhe së paku tre ligjeve të tjera që rregullojnë asetet publike dhe raportet me pronën.”
Pavarësisht se të gjitha institucionet ndërkombëtare FMN, Banka Botërore, Këshilli i Europës dhe Departamenti I Shtetit kanë kritikuar ligjin e Korporatës së Investimeve, Edi Rama ka vendosur të vazhdojë me planin e tij dhe të shkelë të drejtën e pronës së shumë qytetarëve shqiptarë.
Edhe Greqia u alarmua menjëherë pasi preken edhe pronat e minoritarëve. Si rezultat i presionit të autoriteteve greke për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, Qeveria Shqiptare e hoqi nga Fletorja Zyrtare në pranverën e 2019 vendimin 708 për marrjen arbitrare të pronave të minoritarëve.
Kjo manovër u bë vetëm për të gënjyer grekët për të marrë OK të tyre për hapjen e negociatave. Por autoritetet greke duket se nuk e hëngrën këtë dredhi. Greqia vazhdon të tregojë shqetësim ndërsa shqiptarët janë tërësisht në hije nga zhvatja e pronës që do u bëhet së shpejti për shkak se qëllimisht mazhoranca e ka përqendruar qëllimisht vëmendjen e opinionit tek çështja e Presidentit.
Në 19 shtator, një delegacion i Komisionit të Venecias vizitoi Tiranën për të diskutuar për çështjen shumë të debatuar të pronave.
Mbas takimit me delegacionin, ish-deputetja e PD Jorida Tabaku u shpreh se ”Gjatë gjashtë viteve të fundit ka pasur një përkeqësim dhe shkelje të vazhdueshme të së drejtës së njeriut për pronën e cila nuk duhet të shihet vetëm si prioritet i BE por si një e drejtë kushtetuese. Edi Rama vit pas viti, vendim pas vendimi, ka miratuar vendime qeverie dhe ligje antikushtetuese duke i kthyer normat e shkelura në standard dhe sigurisht që Korporata e Investimeve është shkelja më flagrante, një mekanizëm që shpronëson përsëri pronarët në dobi të oligarkëve”
Nën trysninë e aktorëve të jashtëm dhe institucioneve ndërkombëtare, më 16 shtator 2019 Rama e amendoi ligjin duke bërë ndryshime sipërfaqësore mbi mënyrën se si operohet me Prokurimet Publike duke fshehur se si do të kryhen këto prokurime, duke vazhduar kështu planin për të marrë e zhvatur pronat e shqiptarëve.
Pra shumë shpejt pronat private mund të merren nga Korporata e Investimeve Shqiptare dhe më pas t’u jepen oligarkëve të Ramës.
Ndaj shqiptarët nuk duhet të fokusojnë sytë tek raporti i Venecias për aktet e Presidentit, por tek vjedhja që po u bëhet pronave të tyre. Ky mega-skandal i heshtur po fshihet pas zhurmës së shtyrë qëllimisht ndaj Presidentit. Ndaj shqiptarët duhet të shohin nga Venecia për vjedhjen që po u bëhet pronave të tyre. /Koha Jonë/