Tre nga tetë personat që u shpallën në kërkim me vendim Gjykate për vrasjen e ish-policit Santjago Malko, ishin arrestuar edhe në muajin prill nga Policia e Tiranës, pas dyshimeve se po përgatisnin një vrasje.
Konkretisht, më 8 prill të këtij viti, Policia njoftoi se ishte goditur një grup i strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës. Në operacionin e afro 6 muajve më parë, morën pjesë forcat e Antidrogës, por edhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës, të cilët arritën të arrestonin 4 persona, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal, njëri i konsideruar si drejtuesi. Të arrestuarit e këtij operacioni ishin Leonard Duka, që dyshohej të ishte drejtuesi i grupit, si dhe dy personat, që po ashtu janë shpallur në kërkim bashkë me të për vrasjen e Santjago Malkos, Oltian Loga dhe Dritan Agaj.
Në atë kohë u arrestua edhe 44-vjeçari Elvis Gaçaj, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, por për të cilin nuk ka prova të jetë i përfshirë në ngjarjen e fundit. Burimet thanë se këta persona po mbaheshin nën vëzhgim prej kohësh nga oficerët e Antidrogës, por Policia është detyruar të ndërhyjë para përfundimit të hetimeve, pas një informacioni që kanë marrë nga qytetarët.
Sipas grupit hetimor, përshpejtimi i këtij operacioni është bërë me qëllim parandalimin e një vrasjeje të mundshme që dyshohej se po planifikohej nga anëtarët e grupit. Por se për çfarë vrasjeje bëhej fjalë nuk u mor vesh asnjëherë. Megjithëse nuk përjashtohet mundësia të ketë qenë edhe ngjarja që ata dyshohet se kanë realizuar në muajin gusht, pra, ekzekutimi i Santjago Malkos. Gjatë aksionit, Policia sekuestroi armë, municion, drogë dhe një makinë e blinduar. Madje, edhe një ditë pas operacionit, Policia vazhdoi kontrollet në zonën ku ata qëndronin, duke gjetur edhe një tjetër pistoletë. Megjithatë, pak kohë më vonë, të gjithë personat e arrestuar u lanë të lirë nga Gjykata e Apelit, në rrethana ende të paqarta.
POLICIA
Policia e Tiranës, më 8 prill të këtij viti, tha zyrtarisht se bashkëpunimi me qytetarët për të luftuar krimin, solli arrestimin e 4 shtetasve, të dyshuar për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Ndërsa u bë e mundur sekuestrimi i një mjeti të blinduar, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi e dyshuar lënde narkotike.
“Seksioni i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në Policinë e Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për disa persona që dispononin armë e drogë, arrestoi në flagrancë shtetasit: L. D., 33 vjeç, banues në Tiranë; D. A., 38 vjeç, banues në Tiranë; O. L., 38 vjeç, banues në Tiranë; E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë”, tha zyrtarisht Policia.
Ndërsa shtoi se është ushtruar kontroll në banesën me qira ku këta shtetas jetonin, pasi dispononte nga qytetarët informacion se këta shtetas mbanin në banesë sende të kundërligjshme.
“Gjatë kontrollit të ushtruar këta shtetas janë munduar të largojnë sendet e kundërligjshme, duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: një mjet të blinduar; një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë; 46 fishekë luftarakë, si dhe doza me lëndë narkotike kanabis.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre, si dhe të përfshirjes të personave të tjerë”, tha zyrtarisht Policia./Panorama/