Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka shprehur mendimin se vendi ka nevojë për një pakt të unifikuar kombëtar dhe jo për një marrëveshje të radhës politike mes partive kryesore në vend, me qëllim zgjidhjen e krizës.
Duke komentuar kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për negociatat me Shqipërinë, në një intervistë për gazetën ‘Panorama’, Bushati shprehet se klasa politike duhet të jetë në gjendje të krijojë një prespektivë të prekshme evropiane larg retorikës, dhe të gjenerojë kapacitet për ndryshim duke dalë nga labirinti i vetëmashtrimit sepse askush nga institucionet evropiane nuk do ta bëjë këtë për Shqipërinë.
Bushati, fillimisht ndalet te sqarimi se Bundestagu nuk vendos kushte, por sipas tij, “në bazë të një procedure të brendshme të përcaktuar në ligjin federal të bashkëpunimit mes qeverisë dhe Bundestagut për çeshtjet që kanë lidhje me BE ka miratuar një qëndrim që cilësohet si ‘vija e sjelljes’ që duhet respektuar nga qeveria gjermane gjatë konsultimeve me vendet anëtare të BE, për procesin e bisedimeve për anëtarësim të vendit tonë”.
I pyetur se cilat janë hapat që duhet të ndjekë Shqipëria pas miratimit të dokumentit në Bundestagun gjerman, Bushati shprehet troç: “Nisur nga përvoja e vende të tjera që kanë shkelur këtë rrugë para nesh, kemi nevojë për një unitet kombëtar, dhe jo marrëveshjen e radhës politike. Një unitet që bazohet në parimin se barrën për këtë proces e mban qeveria, por përgjegjësia është e përbashkët. Ndaj na duhet një pakt për Europën, që përcakton strategjinë, objektivat, burimet njerëzore, duke përfshirë edhe shqiptarët e diasporës, si dhe instrumentet financiare për të paktën dekadën e ardhshme”.