Nga Boldnews.al
Takimi i thirrur nga OSBE në Tiranë për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore u duk si hapi i parë në pajtimin mes “armiqsh politik”, për të shkuar në një marrëveshje të mundshme. Opozita, ndryshe nga sa pritej, bëri hapin e saj duke dërguar tre përfaqësues të nivelit teknik në këtë takim.
Aty do të flitej për ndryshime ligjore, kushtetuese, për zgjedhje të lira dhe ndershme, që të mos dëgjohet më fjala blerje e shitje votash, që të mos ketë më grupe kriminale që ndikojnë në rezultat dhe deformojnë vullnetin qytetar. Gjithçka për tu vlerësuar në këtë nismë, por faktet ishin aty brenda dhe gjeje llojet e njerëzve të pushteshëm që kanë dërmuar çdo proces zgjedhjesh.
Mbledhja u drejtua nga Damian Gjiknuri, që Dibrën në 2016-ën e ktheu në “tërmet o tërmet”, në blerje e shitje votash dhe kërcënimet që vinin nga “çunat problematik”. E aty pranë tij, në karrigen ngjitur u ndodh sot Ivi Kaso i PD-së, në rolin e ekspertit për çështjet zgjedhore.
Si me zor dukej se e kishin dërguar, por kauza është më e madhe se mënjanimi i vetë personazhit që kishte pranë. “Opozita konsideron se personat që janë subjekt i dosjes 339 dhe 184 janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi. Për këtë arsye reforma e vërtetë zgjedhore mund dhe duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Kaso në emër të opozitës së bashkuar.
Plot kërshëri, gati në çlirim sikur kishte arritur “diçka të madhe” shihte ambasadori i OSBE-së Borchardt, por iu prish pamja kur ja anatemuan Damianin. Nuk ishte i vetmi që reagoi, pasi me radhë, përfaqësuesit e vetëshpallur opozitarë mbajtën qëndrime të forta, duke kundërshtuar një marrëveshje të mundshme PD-PS për Reformën Zgjedhore dhe mënjanuar ata.
Deputeti Myslim Murrizi, njëherësh nënkryetar i parlamentit, u shpreh se ata po largohen nga kjo konferencë, duke u kërkuar organizatorëve të marrin votat në Partinë Demokratike. “Ne po largohemi nga kjo tryezë, shkoni merrni votat në PD”-u shpreh Murrizi ndërsa braktisi tryezën.
Më pas me radhë, Lymi, Timi, Ralfi, lanë sallën e mbledhjes, duke lënë thuajse të vetëm ambasadorin Borchardt, bashkë me Damian problematikun. E gjithë paranorama e këtij “takimi të madh” u mbyll me shumë qejfëmbetje, hakërrime se nuk do japin votë dhe revoltë të opozitarëve të vetëshpallur se nuk do të lejonin një “martesë PS-PD”.
Nga ana tjetër, opozita e vërtetë që ka braktisur Parlamentin me djegien e mandateve, sot mori vlerësime nga ambasada e SHBA-së që me emër të përvetshëm konsideroi Lulzim Bashën se me dërgimin e përfaqësuesve të saj në këtë takim ishte sjellë si shtetar i mirëfilltë. Por është fare pak për tu vetëkanaqur, pasi Reforma Zgjedhore sot drejtohet nga Damian Gjiknuri.
“Q… nënën, tërmet o tërmet”-shprehet Gjiknuri në një nga përgjimet ligjore të realizuara në vitin 2016 në zgjedhjet e parakohshme lokale në Dibër. Më herët Damiani, si i dërguari i Rilindjes flet me zyrtarë lokal të PS-së duket i premtuar se do sjellë nja dy furgonë të mbushuar me “çuna problematik” për ti përdoruar kundër përfaqësuesve të PD-së, nga ata djem azganë që të thyejnë brinjët apo nxjerrin koburet për të mbrojtur pushtetin e Rilindjes.
Sot Gjiknuri shfaqet aty si një “ekspert” për zgjedhjet, që më shumë se ligjet e shkruara njeh “ligjin e rrugës”, atë të “çunave problematik”. Nuk është aspak çudi që Damiani të japë dorëheqjen nga ky komision i Reformës Zgjedhore, pasi kështu e do partia dhe paria aty lart, për të ulur “gjakrat”. Opozita duhet të kuptojë se nuk është çështje individi, por fryme. Nëse ikën një Damian, vjen një “diamant” tjetër nga radhët e PS-së që me dëshirë të vëtëofrohet për të bërë gjithçka edhe në mënyrë të paligjshme për të shantazhuar zgjedhësit, apo blerë fukarallëkun me 40 mijë lekë të vjetra vota, për ta nënshtruar për katër vite më radhë këtë qytetar që shet bashkë me varfërinë edhe dinjitetin.
Dosjet hetimore 184 dhe 339 janë groposur thellë në Prokurininë e Krimeve të Rënda, atë të Përgjithshme dhe të Dibrës. Zonja 69-tëshe është e gatshme të bëjë të zezën të bardhë në të mirë të pushtetit aktual. Rama, Gjiknuri, Tahiri, Manja, Qefalia dhe Ndreu dalin të gjithë në “masakrën e Dibrës” ku u ble vota, ku u shantazhuan mësuesit për largime nga puna nëse nuk votonin PS-në, apo kur zyrtarë të lartë të policisë vetëofroheshin për të ndikuar në zgjedhje, për një vend më të mirë pune, aty ku gëlonte paraja dhe korrupsioni.
Halli sot nuk është Damiani, që në një shtet ligjor, ku drejtësia mos ishte e kapur nën darët shtrënguese të pushtetit ndoshta mund të ishte në një qeli dhe të gjente edhe më shumë liderin shpirtëror gurunë indian. Ai është vetëm një nga shumë të tjerë që afrohen për të çuar deri në fund frymën që vjen nga lart: “Vota me çdo kusht dhe mbajtje pranë të grupeve kriminale që sjellin pushtetin dhe rrënojnë shtetin”.