Ka vetëm një numër të kufizuar të ditëve gjatë ciklit të një gruaje kur shtatzënia është e mundur.
Pas shkrimit tim mbi pilulën e emergjencës, shumë shoqe më treguan eksperienca nga më të çuditshmet të përdorimit të pilulës së emergjencës nga vetë ato, shoqet e tyre apo nga shoqet e shoqeve.
Nuk u habita fare, madje as kur një vajzë e kishte pirë pilulën e emergjencës, thjesht se i kishin rënë disa pika spermë në kofshë (thua se sperma kishte krahë dhe e gjente vendin vetë).
Për tu habitur jo, sepse histori të tilla dëgjoj shpesh rrotull, thjesht më erdhi keq se sa pak flitet, në një botë me internet ku burimet e informacionit janë të gjitha aty, sa pak e njohim trupin tonë. Kisha akoma shumë gjëra për të thënë, pasi gjithmonë ka shumë vend për këto tema, për të cilat flitet pak ose aspak në mediat tona qoftë në radio, gazeta apo televizione.
Pastaj kujtova orën e edukatës seksuale në shkollë. Se di pse edukata seksuale dhe punët shtëpiake zhvilloheshin në një lëndë mësimore. Kaq arrita të kujtoja (asgjë tjetër se çfarë më kishin mësuar në shkollë). Ah po, kujtova edhe se ato disa herë që kishim zhvilluar orën e edukatës seksuale, djemtë i largonim nga ora e mësimit.
Ndërkohë përfshirja e edukatës seksuale në kurrikulat shkollore është një temë që ngrihet sot në shumë qarqe akademike, pedagogjike, sociologjike e psikologjike anembanë botës. Në shumicën e shkollave publike të SHBA-së edukimi seksual fillon në klasën e pestë, në Çikago është parashikuar të fillojë që në nivelin parashkollor.
Sipas raporteve dhe studimeve të publikuara, edukimi seksual në shkollë është një proçes i integruar që duhet të fillojë në kopësht dhe të ofrohet deri në gjimnaz.
Ndonjëherë njerëzit besojnë se edukimi seksual i referohet vetëm aktit dhe jo një fushe të gjerë termash si trupi i njeriut, anatomia seksuale, shëndeti e orientimi seksual, riprodhimi, shtatzënia e shumë koncepte të tjera.
Qëllimet e arsimit gjithëpërfshirës seksual janë për të ndihmuar të rinjtë të fitojnë njohuri të domosdoshme të seksualitetit, si dhe për t’i përgatitur për të marrë vendime të përgjegjshme.
Shumë gra kanë idenë se mund të mbeten shtatzënë në çdo ditë të muajit. Ky është zakonisht informacioni i dhënë atyre për qëllime të mira që do të thotë, nga të rritur që mund të jenë edhe vetë të keq informuar.
Fakt është se ka vetëm një numër të kufizuar të ditëve të çdo cikli, kur një grua mund të mbetet shtatzënë – pesë ditë para se ajo të ovulojë dhe 24 orë pasi ajo ka ovuluar. Këto gjashtë ditë janë të vetmet ditë pjellore të ciklit të gruas por gjithashtu duhet të merret parasysh jetëgjatësia e spermës (5-7 ditë, pra nëse keni bërë seks deri në para 1 javë para ovulimit sperma mund të jetë ende aktive) dhe jetëgjatësia e vezës (24 orë).
Disa koncepte të thjeshta:
Ovulimi.
Ovulimi është periudha fertile e ciklit menstrual. Është momenti kur veza lirohet nga një prej ovareve (vezoreve). Veza e shkëputur kalon nëpër tubin e mitrës dhe aty është gati për t’u fekonduar nga spermatozoidet.
Ka disa shenja: ovulimi mund të shkaktojë dhimbje të gjoksit apo të barkut. Dëshira seksuale është më e fortë dhe sekrecionet janë më të bollshme.
Si ndodh Fekondimi?
Fekondimi ndodh kur një spermatozoid arrin kontaktin me vezën. Veza e fekonduar përreth 3 deri në 4 ditë arrin mitrën dhe aty pozicionohet për t’u zhvilluar.
Ovulimi zakonisht ndodh rreth mesit të ciklit të gruas, rreth 14 ditë para se të fillojë cikli i saj i ardhshëm, por kjo nuk ndodh gjithmonë të njëjtën ditë preçize të çdo cikli. Kjo ndryshueshmëri i bën shumë njerëz të shqetësuar duke u përpjekur të “parashikojnë” ovulacimin dhe ka qenë një arsye kryesore që grave ju është thënë aq shpesh se ato mund të mbeten shtatzënë në çdo kohë. Megjithatë, koha e ovulimit është hulumtuar mirë dhe siç shfaqet edhe në grafikun më poshtë, shumica e grave ovulojnë në afërsi të mesit të cikleve të tyre.
Si mund ta përdorim këtë informacion për të planifikuar apo parandaluar shtatzëninë?
Metodat e planifikimit familjar identifikojnë ditët 8 – 19 si ditët potencialisht pjellore për gratë me ciklet midis 26 dhe 32 ditëshe (rreth 80% e cikleve).
Studimet e efikasitetit të kryera nga Instituti i Shëndetit Riprodhues në Universitetin Georgetown kanë treguar se kur gratë kanë shmangur marrëdhëniet e pambrojtura në këto ditë potencialisht pjellore, ato nuk kanë të ngjarë të mbeten me shtatëzënë, pra mjafton të mos bëni seks ose të bëni seks të mbrojtur nga dita 8-19 e ciklit.
*Nje sekret: Unë p.sh e kam zgjidhur shumë thjesht këtë punën e ovulimit, kam shkarkuar një aplikacion në telefon “FLO”, i cili më llogarit jo vetëm ditët e ovulimit, por madje mban mend kur kam bërë seks për herë të fundit.
/tabloid.al/