Nga Boldnews.al
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka vendosur, me vota të ndara, të lejojë kandidimin e Artur Metanit për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Aplikanti Artur Metani ka mbajtur post politik në 10 vitet e fundit, si këshilltar i Presidentit të Republikës, një nga kushtet për ndalimin e kandidimit për postin e lartë në sistemin e drejtësisë.
Por, shumica e KED-së, përfshirë edhe kryetarin Ardian Dvorani, dhe anëtarët Vitore Tusha, Fatjona Memçaj, Fatri Islamaj e Eriol Roshi, kanë përdorur doktrinën juridike si argument për lejimin e kandidimit të Metanit, duke i shmangur përcaktimeve ligjore.
Ndërsa dy anëtarët e tjerë, Margarita Buhali, në cilësinë e relatores së rastit dhe Arta Marku, janë shprehur kundër lejimit të kandidimit, për shkak se Artur Metani ka mbajtur “funksion politik në 10 vitet e fundit”.
Post politik
“Boldnews.al” ka argumentuar më parë se Artur Metani është në kushtet e ndalimit ligjor për kandidimin për postin e Kryeinspektorit të Drejtësisë, referuar legjislacionit në fuqi në kohën kur Metani ka qenë këshilltar në institucionin e Presidentit, si edhe paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, të miratuar pas vitit 2016.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 147/d, pika 3, parashikon se “Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.
Po ashtu, ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 199/pika 1/dh, parashikon se: “Inspektor i Lartë i Drejtësisë mund të zgjidhet shtetasi shqiptar, që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte:
…
dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;
Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Në bazë të biografisë profesionale të tij, rezulton se ai ka qenë në funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012.
Pozicioni i Këshilltarit të Presidentit konsiderohet “funksion politik” në administratën publike. Përcaktimi i saktë për përfshirjen e “këshilltarit” në “funksione politike” jepet në nenin 3 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Ligji i Vetingut).
Argumenta të ngjashëm ligjorë janë përdorur edhe nga anëtaret e pakicës, Buhali e Marku, për të kundërshtuar lejimin e kandidimit të Metanit.
Këtë qëndrim ka mbajtur edhe institucioni i Presidencës, i cili, në një përgjigje zyrtare për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, e konsideron “këshilltarin e Presidentit” si “funksion politik”.
Avokati i Popullit, një institucion vëzhgues i procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, gjithashtu ka mbajtur të njëjtin qëndrim, sipas të cilit aplikanti Artur Metani ka mbajtur “post politik” në 10 vitet e fundit.
Por, shumica e Këshillit të Emërimit në Drejtësi zgjodhi t’i referohet teorisë juridike, mbi mënyrën e zgjedhjes, rolit dhe kompetencat e Kreut të Shtetit, për të konkluduar se “këshilltari juridik i Presidentit nuk është funksion politik”.
Qëndrimi i shumicës
Parlamenti ka miratuar në vitin 2016 ndryshimet kushtetuese dhe paketën ligjore shoqëruese mbi krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat karakterizohen nga e njëjta frymë ligjore, si një paketë e vetme.
Të gjithë ligjet për krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë parashikojnë, ndër të tjera, si kusht ndalimi për emërim qënien si “funksionar politik” në 10 vitet e fundit.
Koncepti i “funksionarit politik” është trajtuar specifikisht në ligjin e Vetingut, ku përcaktohet qartësisht se ky term i referohet, ndër të tjera, edhe këshilltarit të Presidentit.
Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ku parashikohet edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, parashikon të njëjtin ndalim për “funksionarët politikë”. Por, ky ligj nuk shpjegon plotësisht se cili është kuptim i këtij koncepti.
Pikërisht, këtë “detaj” kanë shfrytëzuar shumica e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të vendosur në favor të kandidimit të aplikantit Artur Metani.
Në vendimin nr.100, dt. 30.07.2019, të cilin “Boldnews.al” e ka siguruar të plotë, KED pranon se konceptet e përmendura në ligjin e Vetingut, parashikojnë ndalime për raste të ngjashme me atë të Metanit.
Por, thotë KED-“Këshilli vlerëson të theksojë se koncepti kushtetues dhe ligjor “funksionar politik” nuk është detajuar dhe specifikuar për kandidatët për ILD, sikundër ligji ka vepruar në ligje të tjera”, thuhet në vendimin e KED.
Dhe, duke shfrytëzuar pikërisht këtë “mungesë”, KED ka vendosur të interpretojë konceptin e “këshilltari të Presidentit” në frymën e institucionit të kreut të Shtetit.
Sipas argumentave të shumicës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucioni i Presidentit nuk është politik në kuptimin e ngushtë të termit. Presidenti, sipas KED-së, jo domosdoshmërisht zgjidhet nga deputetët e një partie politike. Kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe nga anëtarë të grupeve të ndryshme parlamentare, duke e bërë që ai të mos jetë “partiak”.
Në frymën e tij, vendimi i KED-së ka ndarë konceptin “politik” nga ai “partiak”. Në favor të argumentave të saj, shumica e anëtarëve të KED-së i janë referuar në vendim edhe një qëndrimi të mbajtur nga Komisioni i Venecias për pozicionin kushtetues të Presidentit.
Sipas ekspertëve të Komisionit të Venecias, të cilës i është referuar KED, “..në shumicën e regjimeve parlamentare, Kreu i Shtetit luan rolin e arbitrit ose “pushtet neutral”, i shkëputur nga politika partiake”.
Vendimi për lejimin e kandidimit të Artur Metanit për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është një ndër më të ndërlikuarit dhe më teorikët e miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në konkluzion, KED vendosi t’i japë dritën jeshile kandidaturës së Artur Metanit. Kandidati Metani është aktualisht Avokat i Përgjithshëm i Shtetit. Ai ka mbajtur më parë poste të larta drejtuese në administratën e Kryeministrit Edi Rama, si edhe ka qenë menaxher dhe koordinator në projekte të ndryshme të fondacionit Soros. Në periudhën 2002-2012 ka ushtruar detyrën e këshilltarit me presidentët Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.