Nga Ilir Kalemaj
Viti 2007 qe një vit kthese njëfarësoj për mediat në SHBA, aty ku kombinimi i teknologjisë me lajmin është pararojë e risive që kanë ndryshuar tregun mediatik në nivel global. Në një libër të botuar së fundmi “Tregtarët e së Vërtetës” Jill Abramson thekson rënien e madhe të shitjeve në print dhe masivizimin e rrjeteve sociale të cilat nga njëra anë kërcënonin vërtetësinë e lajmit dhe nga ana tjetër profesionin e gazetarit.
Duke marrë në konsideratë dy gazeta tradicionale me peshë dhe impakt jo vetëm amerikan por edhe botëror të tilla si New York Times dhe Washington Post nga njëra anë dhe dy media të fuqishme online si Buzzfeed dhe Vice nga ana tjetër, Abramson diskuton inovacionin në media si një mjet i jashtëzakonshëm influence për sfidat e shek. 21.
Për të marrë si shembull Buzzfeed i cili u themelua nga një ish-themelues dhe ortak i Huffington Post-it, Jonah Peretti i cili studionte në prestigjiozen MIT dhe e vuri theksin jo te përmbajtja origjinale e një lajmi të caktuar por ri-paketimin e lajmeve ekzistuese, vençarisht postimeve mbi VIP-at apo meme të ndryshme që në atë kohë ishin risi.
Vice ndoqi një rrugë krejtësisht të ndryshme por të bazuar kryesisht mbi provokimin duke kapur një segment mediatik jo lehtësisht të anashkalueshëm. Bumi qe i menjëhershëm dhe strategjitë për të kapur vëmendjen e publikut funksionuan lehtësisht, ngjashëm dhe duke replikuar suksesin e hershëm të pararendëset Huffington Post themeluar nga greko-amerikania Arianne Huffington. Një proces që lindi si blog dhe shpejt u kthye në një medium të fuqishëm që ngjalli interes dhe u ble më vonë nga New York Times.
Natyrisht këto media online u rritën dhe u maturuan ndjeshëm me kalimin e kohës dhe kthesa për Buzzfeed qe kur në 2011 sollën Ben Smith nga prestigjiozja Politico dhe lajmet morën një formë dhe seriozitet duke ridefinuar imazhin dhe përforcuar besueshmërinë. E njëjta gjë ndodhi me Vice që theksoi gjithnjë e më tepër dimensionin e gazetarisë investigative.
Ndërsa Washington Post për historinë e së cilës ka pasur dhe një film Oskari vitin e kaluar interpretuar shkëlyqeshëm nga Meryl Streep mori një kthesë të fortë jo vetëm mbijetese por rikthimi në lavdinë e dikurshme me blerjen nga ana e miliarderit të Amazon Jeff Bezos i cili nga ana tjetër zotëron dhe media të suksesshme online si Business Insider.
Ndërsa një pjesë e mirë e medias tradicionale u ridefinua duke u përshtatur me kërkesat e tregut por edhe duke ruajtur standartin e lartë profesional duke u kthyer në media me pagesë online përvec printit dhe fillimisht që pionerja Wall Street Journal e ndjekur nga New York Times dhe Washington Post.
Natyrisht, nuk mund të ketë cilësi të garantuar falas dhe kjo vlen si për sektorin e masmedias ashtu edhe për shëndetësinë, arsimin, pensionet e me radhë përvec se në retorikën populiste të politikanëve demagogë që në fund shesin sapunin për djathë dhë në fund janë qytetarët ata që paguajnë sa frëngu pulën faturën e vërtetë.
Mediat e suksesshme online janë sot e tretë dhe me rritjen më të shpejtë, duke na garantuar nga njëra anë cilësinë dhe vërtetësinë e lajmit ndryshe nga “lajmet e rreme” të shpërndara pa hesap nëpër rrjete sociale por edhe nga media tradicionale e cila shpesh ka ngecur në kufijtë e anakronisë. Sidomos në Shqipëri.
Ku gazeta kryesore në print shpesh vazhdojnë të botojnë në faqe të plota currufjesjet e viteve 80-të të ish-antarëve të Bllokut famëkeq kur vetëm provincialë me komplekse inferioriteti apo nostalgjikë enveristë mund të kenë ende kërshëri për t’i ndjekur.
Ose na zbardhin kasetat e dërguara nga zëdhënsat e partive, parlamentit apo qeverisë me debate shterpë dhe batuta pa kripë, ose na servirin kronikë të zezë pa hesap, ose budallallepsin miletin me personazhe vipa katundi që nuk i njeh as komshiu apo merita kryesore në jetë ka qenë mbyllja disa muaj në kafazin e “big brother”.
Përsa kohë anti-vlerat vazhdojnë në persistojnë kaq ashiqare në atë që duhet të ishte pushteti i katërt nuk kemi çfarë presim nga politika që është fundja sintezë e nivelit mesatar të shoqërisë ku na ka rënë për hise të jetojmë.