Partia Demokratike pritet të publikojë dokumente, pjesë të asaj që konsiderohet si dosja e Kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Mark Babani, i cili sipas opozitës është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Kështu pas publikimit të dokumenteve mbi Valdrin Pjetrin, që nuk e mori mandatin e Kryebashkiakut të Shkodrës pas votimeve të 30 qershorit, për shkak se nuk kishte deklaruar dënimin në Itali, dhe Agim Kajmakut, që sipas PD-së ka një çështje të hapur me drejtësinë greke, për përdorim të kartmonedhave të falsifikuara, dosja e Mark Babanit pritet të jetë e treta që publikohet nga PD, për kryebashkiakët e Ramës.
Burime për PD konfirmojnë se zotërojnë dokumente autentike lidhur me dënimin e Babanit në Itali.
Pak ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm demokrat, Gazment Bardhi pyeti kryebashkiakun e Ramës se çfarë i kujtonte 4 prilli 1994?
Nga ana e Babanit apo e Rilindjes, përfshi edhe Kryeministrin Edi Rama nuk ka pasur asnjë reagim.
Ndërkohë burime nga PD theksojnë se kjo datë përkon me kohën kur Babani ka qenë në Itali. Demokratët pretendojnë se Babani është ndaluar nga policia italiane në zonën e Siçilisë, dhe pritet që dokumentet që do të publikohen do të hedhin më shumë dritë mbi akuzat ndaj Kryebashkiakut të Vaut të Dejës.
Madje, burime nga PD theksojnë se Babani ka mundur t’i shpëtojë ligjit të dekriminalizimit për shkak të ndryshimit të emrit e mbiemrit, por edhe ditës së lindjes.
Nga ajo çfarë opozita ka publikuar deri më tani për Babanin, ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane.
“Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003”, thuhet në shkresën e Partisë Demokratike, ku zbulohet edhe një detaj tjetër, që ngre dyshime të arsyeshme se mark Babani i Bashkisë së Vaut të Dejës ka gënjyer në formularin e dekriminalizmit.
“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Itali. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”
Partia Demokratike vë në dijeni Prokurorinë edhe për të paktën 3 identitete të tjera që Mark Babani, i emëruar nga Edi Rama në Bashkinë e Vorës, nuk i ka deklaruar në formular.
“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka mbajur identitetin e ndryshuar Mark Ndoc Babaj, i datëlindjes 24.12.1966. Ekzistojnë dyshime të arsyeshme sipas indicieve të bëra publike më parë, se ky shtetas, gjithashtu në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë:
1. Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965
2. Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967
3. Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968”
Prokurori e Përgjithshme ka bërë të ditur se ka nisur verifikimet për kryebashkiakun e 3-të të Rilindjes, dalë nga votimet e 30 qershorit.
Vetë Babani i ka mohuar akuzat, duke thënë se në jetën e tij nuk ka marrë asnjë gjobë makinash, jo më dënime të tjera, të cilat pretendohen nga Partia Demokratike.
“Nuk i di pretendimet se jam në punë, por jam i gatshëm të sqaroj çdo gjë. Jam Mark Babani i lindur me 24 dhjetor 1966. Fisi jonë jemi me mbiemrin Babaj, por në shkollë të gjithë kushërinjtë dhe njerëzit e mi e kemi kthyer Babani. Kështu jam regjistruar në klasën e parë. Kam mbaruar shkollën e mesme, kam mbaruar ushtrinë në Tiranë, kam qenë sportist në klubin Vllaznia për tre vjet, si Mark Babani. Kur kam shkuar në Itali me 6 mars të 1991 jam regjistruar Mark Babani i datëlindjes 24 dhjetor 1966.
Momentin e parë kur kemi marrë permesot e sonxhornos në Itali, një grup i zonës sonë, në prill-maj të 1991 në Siçili, kam filluar punë në një fabrikë peshku në fund të ’91, shtator-tetor. Kam punuar për tre vjet deri në ’94. Punoja në dy punë, edhe në një hotel. Jam larguar nga Italia në 1995, me fabrikën që punoja kemi bërë një investim në Shëngjin të Lezhës. Kjo pjesë nuk ka lidhje me mua dhe jetën time, më vjen shumë turp që i dëgjoj këto fjalë. Kam luftuar të gjithë jetën time me qenë një shqiptar model. Gjithë jetën unë, babai im dhe gjyshi im nuk i ka bërë kush 24 orë burg”, ka reaguar Babani, pas akuzave nga PD. /BN/