Niko Kaçelano lindi më 1901, në Himarë. Më 8 maj 1946, me vendim nr.2, Gjykata Ushtarake e Vlorës e deklaroi fajtor për “krimin si armik e sabotator i pushtetit popullor” dhe e dënoi me burgim të përjetshëm, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale. Ai vdiq pa mbushur vitin, në burgun e Burrelit, ku në vitet e para, shumë të burgosur kanë vdekur nga uria, sëmundjet dhe torturat.
Djali i tij ishte vetëm 4 vjeç kur ia burgosën të atin dhe i konfiskuan një pasuri të madhe që familja kishte vendosur me mund nga kurbeti.
Kujto.al sjell intervistën me të birin, i cili tregon përjetimet e një fëmije kur sheh babanë të rrahur në dritaren e burgut dhe peripecitë me të cilat u përball më pas familja, duke u transferuar nga një banesë në tjetrën dhe duke jetuar me një pension të xhaxhait, i cili kishte rënë dëshmor në luftë.
Dëshmia për kujto.al nga Ines Ekonomi
Babai im, Niko Kaçelano u dënua për një votë. Në 2 dhjetorin e 1945,u dënua me 101 vjet burgim. Ai nuk bëri asnjë vit në burg. Vdiq në tetor të 1946, në Burrel. Që sot e kësaj dite, nuk i di as varrin. Ai u dënua nga Gjykata Ushtarake. Kryetar i gjykatës ka qenë Gjon Banushi. Së bashku me sekretarë, edhe me dëshmitarët e rremë. I kanë vënë një kategori sepse ishte filo-italianë.
Ndërkohë që babai u dënua nga komunistët, xhaxhain e kisha dëshmor, Koço Kaçelano.
Edhe sot, xhaxhai është tek varret e dëshmorëve në Vlorë. Unë jam rritur me pensionin e xhaxhait, se e merrte gjyshja. E si mund ta harroj unë këtë vend, Himarën, këtë perlë, është e pamundur. Kam kujtimet e mia. Nuk e ndërroj Himarën me as një vend tjetër të botës.
Pas gjithë kurbetit që bëri xhaxhai, të gjitha ato prona që i caktoi, babai i dyfishoi, i trefishoi. Kishte 3 mijë kokë bagëti, kishte pela, po do t’i tregoj me fotografi, i kam fotografitë, edhe gjyshin e kam fotografi, ullinj, vreshta, portokalle, shtëpi, krijoi edhe një punishte vaji, e cila u sekuestrua nga vetë himariotët, pa vendim qeverie. Mbasi ishte bërë sekuestrimi, e sekuestruan dy himariotë, këtu dëgjova që ishin në Komitetin Ekzekutiv. Prej inatit, ia dhanë një tjetri, ia shitën me 30 mijë lekë të vjetra. Ajo ishte enti i banesave, komunalja siç quhej.
Edhe erdhi puna e votave, gjithë fshati ra dakord, babain tim e vendosën edhe kryetar komisioni të votimeve. Edhe tani unë në moshën 4 vjeç, nuk e di a jam i bindur a ka votuar babai im, a nuk ka votuar. Se meqë e vunë edhe kryetar komisioni, edhe mund të ketë votuar, po unë nuk jam në gjendje ta shpjegoj këtë, ta them ose ta vërtetoj. Di që u dënua, u bë gjyqi, në sallën e gjyqit këtu afër, edhe e burgosën për disa ditë në një dhomë këtu lart. Unë isha i vogël. Në krye të shkallëve këtu ishte roja, një ushtar se nuk kishte polic atëherë, rolin e policisë e luante ushtria. E meqë isha i vogël, futesha ta shikoja babanë. Ato pamje deri sa të vdes, bile edhe atje po të ketë jetë, nuk kam për t’i harruar. I gjeja dysheqet e ngritura kaq nga uji, duke hedhur ujë brenda edhe njerëzit rrinin nëpër mure, nëpër 4 qoshe të mbledhur kështu. Çorapet edhe këpucët i kishin hequr, sepse nuk kishte më kuptim nga uji. Edhe një patriot himariot i bëri një darkë komandantit të ushtrisë këtu me qëllim që të arratiseshin, një Gugu Guma quhesh. Se kush i spiunoi, ai e kuptoi dhe i transferoi në Vlorë.
E vizituat babain në burg? Çfarë mbani mend?
Burgu në Vlorë, ka qenë pranë Bashkisë. E mbaj mend rrugicën që shkon për lart, ka qenë pranë Bashkisë që është tani. Doli babai në dritare, dritaret ishin me kangjella hekuri. Më ngriti nëna ime te dritarja sepse isha 4-5 vjeç. Kur shikoj babain tim: të nxirë sytë, ballin. Tani unë nuk dija ta pyesja babanë. Më thoshte nëna: pyete “ç’ke pësuar”. –Dëgjo,- më tha,-çdo darkë, një ushtar nga këto fshatrat e Vlorës, merrte një dru dhe i qëllonte me radhë të gjithë, ishte program, ku të mundte. Babi im mori vesh, se ka qenë shumë i mprehtë, shumë i zgjuar, mori vesh se këtij, fëmijët i vdisnin, nuk i rronin, këtij ushtarit që i qëllonte, gardianit. E meqë ishte një plak që u shtua atje, i thotë do të të bëj një porosi, i thuaj atij që po të dalim nga burgu, do t’i pagëzojmë fëmijët, që t’i rrojnë. Ai ishte i ri e nuk do ta besonte, por plakun e besoi dhe u ndalua druri. Prej andej, pas disa kohësh e çojnë në Burrel. Burreli ishte burgu më i tmerrshëm i Shqipërisë, me nam. Nuk mbushi vitin, vdiq në Burrel.
A mundët ta merrnit trupin e tij pasi vdiq?
Ka qenë tetor, një përmbytje e madhe në të gjithë Shqipërinë. Ishin prishur të gjitha urat, kështu që, nëna ime nuk pati mundësi të vejë. Megjithëse nuk do ta jepnin, po të paktën t’i dinim varrin. Komandanti i policisë së burgut ka qenë korçar me mbiemër Bimo. E mbajti 48 orë që të shkonim atje, edhe nuk arritëm. Mamaja ime qëndroi tri-katër ditë në Tiranë, por urat ishin të prishura e s’kishte mundësi të shkonte në Burrel. Në kohën që morëm lajmin e babait, ne na kishin nxjerrë jashtë nga shtëpia. Ishte bërë repart ushtarak. Ne ishim në rrugë. Disa kushërinj të babait na morën dhe të gjitha ngushëllimet nga të gjithë fshatrat, se ishte fillimi atëherë, nuk kishte filluar lufta e klasave, bëheshin në shtëpinë e kushërinjve.
Si jetuat ju?
Mbasi mbaroi ushtria, u futëm në po të njëjtën shtëpi, që na kishte marrë ushtria. I gjithë malli që kishim, ishte malli i Egjiptit, malli i xhaxhait që e kishte sjellë nga emigrimi, nuk ishte më. Ai mall vajti dëm. E kishin marrë ushtarët e oficerët, nuk gjetëm asgjë. E gjetëm shtëpinë e shkatërruar, me kuajt brenda në oborr, me dyshemetë e shkatërruara. Me këpucë ushtarake u futëm prapë. Pas 2-3 vjetësh, na nxorën prapë, atëherë nuk kishim ku të shkonim, shtëpia jonë u bë spital. Nuk kishim ku të shkonim e u strehuam në kishë. Ajo ishte kishë familjare, Shën Marina, e kishte ndërtuar gjyshi, e kishte mirëmbajtur babai. Vjen kryetari i kooperativës të na nxjerrë jashtë nga kisha.
Mbasi banuam tek kisha, na lejoi spitali, e hoqëm ndarjen, ishim me kompesata me dru, femër-mashkull me dërrasa. Bëhej tregtia me Italinë atëherë, vinin materiale ndërtimi. Edhe bëmë një kioskë në bahçe, në kopsht që ishte rruga automobilistike. Kur kalonte rruga automabilistike, tundej muri e kishim frikë se mos na binte muri e na zinte. Isha unë klasë e parë gjimnaz në Vlorë, gjyshja, nëna dhe dy motrat e mia. Atje qëndruam për 12 vjet rrjesht. Me shumë mundime, e morëm shtëpinë ekzistuese ku banojmë edhe sot. Një gjeneral ushtarak, kur erdhi dhe u ngjit lart në shtëpi, i propozoi nënës sime që ta shisnim shtëpinë dhe nëna ime u gëzua, sepse kishte frikë se na nxirrnin prapë e kush mund t’i përballonte gjithë ato trasferime. Edhe ku do të venim? Sepse neve nuk na dhanë strehim kur na nxorën nga shtëpia. Na nxorën në rrugë, nuk kishte strehim për ne.
/kujto.al/