Sekretarja për Marrëdhënie me Publikun e Partisë Demokratike, Grida Duma, përgëzoi organin e akuzës për rastin e fundit të procedimit për korrupsion të anëtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea për 50 mijë euro ryshfet dhe kërkoi që me të njëjtën kurajo e vendosmëri Prokuroria të reagojë edhe për foton e kryeministrit Rama me Presidentin Obama.
Në një konferencë për media, ajo i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të sqarojë akuzat, që siç e ka quajtur ajo, për investimin 80 mijë dollarë për një krim federal në Shtetet e Bashkuara.
“Në këtë momente të rëndësishme kur flitet për drejtësi, përgjegjësi, llogaridhënie, prej 20 ditësh, Edi Rama nuk jep asnjë shpjegim, edhe pse gjendet publikisht nën akuzë se ka investuar me 80 mijë dollarë një krim federal në Shtetet e Bashkuara. Tre ditë më parë, ‘Fox News’, duke raportuar mbi këtë skandal, arriti në konkluzionin se pikërisht Edi Rama ka siguruar paratë për Bilal Shehun, i cili u përdor për t’i mundësuar shefit të rilindjes një foto me Obamën, foto që u përdor më pas në fushatë”, u shpreh ajo.
Duma tha se krimi federal që ka investuar Edi Rama me 80 mijë dollarët e tij, është një vepër e rëndë për të cilën Bilal Shehu pritet të dënohet në vjeshtë me 5 vite burg e 250 mijë dollarë.
“Edi Rama ka detyrimin e përgjegjësinë publike të tregojë burimin e parave me të cilat bleu foton me Obamën. A janë para të ligjshme, apo aktivitetit kriminal? Kush është burimi i 80 mijë dollarëve? A janë para droge e trafiku ato që u futën në fushatën presidenciale në SHBA, nga shtetasi i huaj numër 2, siç e cilëson FBI Edi Ramën. Për të gjitha këto ka një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme dorëzuar nga Partia Demokratike”, deklaroi zyrtarja e PD-së.