Nga Boldnews.al
“Edi Rama mirsevjen ku ka shqiponja folen’. Rrugë e lumit të Shushicës në fazën finale hyri Himarës dhe Selenicës i ri si unazë floriri. Vulën vendosi sovrani në këtë 30 qershor, Pëllumbi, Gjergji, Dritani, Selenicë, Himarë dhe Vlorë”. Më bukur se kaq nuk kishte ku të shkonte pritja për Edi Ramën nga banorët e disa fshtrave të Vlorës që u ekzaltuan për rrugën e re. Ai, këmbëmbari, zbriti nga makina dhe u turr para grupit polifonik. U mallëngjye nga kënga, u prek nga fjalët e bukura dhe u trimërua kur ia “certifikuan” votimet njëpartiake të 30 qershorit.
Armiqtë e jashtëm le të plasin, përfshi edhe ata vëzhguesit e OSBE/ODIHR. Këtë ta fundit paraqitën raportin përfundimtar me 34 faqe që e nxinë të gjithë procesin, gati duke i vënë vulën që zgjedhje të tilla nuk mund të njihen. Nuk i pranon OSBE/ODIHR zgjedhjet? “Na u prish gjiza”…, do thonte ai i pari i partisë mëmë, zgjedhjet i “certifikon” Shushica, Babica, Tërbaçi apo Bënça e Tepelenës.
Edi Rama sot në Vlorë të kujton Haxhi Qamilin, të cilit kur i thanë se Perandorinë Osmane nuk e do Franca dhe Anglia, ai ia ktheu: “Punë e madhe, më do Peqini dhe Kavaja”. Nën moton “Dum Babën” lëvizja e Haxhi Qaimilit dështoi, por për aq pak muaj sa ekzistoi dëme të mëdha i shkaktoi vendit.
E sot kryeministri nuk do tia dijë për monitoruesit e zgjedhjeve si organizmi më i lartë botëror. Politika ndërkombëtare, jo ata të nivelit ambasadoresk që falen përballë “Bablokut të madh”, po ja vënë gjithnjë e më shumë në dukje mëkatet që ka akumuluar dhe trashur në gjashtë vite qeverisje.
Vendi sot është pa Gjykatë Kushtetuese, me një prokurori tërësisht të kontrolluar nga ekzekutivi dhe partia dhe një sistem gjyqësor të trembur, që për shkak të vettingut vetëofrohet në shërbim të Rilindjes. Korrupsioni në nivele të larta është futur në periudhën e çmendurisë, që nuk njeh më e etikë dhe formë të kamufluar përfitimesh. Në Parlament dhe pushtetin lokal, ligjin e bënin dhe e bëjnë të akuzuar për vrasje, për trafik prostitucioni, trafikantë droge dhe përdhunues. Të gjitha këto fakte Edi ynë i fshin me një vargje bejtexhinjsh dhe delir madhështie.
Kryeministri vijon propagandën, dhe ekzaltohet kur ia këndojnë këngën e triumfit, ndonëse është kulmi i një turpi kolektiv, që në vitin 2019 përunjet para liderit, dhe janë të njëjtët këngëtarë folklorik që i thurnin vargje dhe i jepnin zë bëmave të Enver Hoxhës. Ashtu u prit edhe në Tepelenë, në Vlorë, Selenicë dhe ndonjë rapsod nga veriu nuk ngurron që me çifteli apo muzikë tallava ti thurin lavde kreut të qeverisë.
Nga ky histerizëm nuk kanë shpëtuar as kryeministrat e mëparshëm, por nuk kishin arritur deri në atë pikë sa me këngë në gojë të “certifikojnë” votimet moniste. Bota për kryeministrin nis e mbaron nga shtëpia e luksit në Surrel, në dyert e kryeministrisë dhe takimet e orkestruara nga zyrtarë lokal që e presin me këngë e bejte.
Gjithçka një teatër absurd që për të përhapur sukseset imagjinare të qeverisë po japin ndihmën e vyer edhe televizionet kombëtare dhe disa syresh lokale. Sot Rilindja është në “festë”, 30 qershori përfundimisht u njoh grupi “raki me opingë” dhe isopolifonia e katundeve të bashkuara, këta janë certifikuesit e procesit të votimeve lokale!